Politike
Lamallari mohon zërat për dorëheqje: Nuk merrem me portalet, merrem me punën
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, hodhi poshtë zërat e publikuar në disa portale që pretendonin se ai kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Gjatë një vizite në Berat, ku mori pjesë në inaugurimin e ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë, Lamallari u pyet nga gazetarët për këto pretendime, por u përgjigj shkurt, duke theksuar se është i fokusuar te puna.
“Unë nuk merrem me portalet, unë merrem vetëm me punë konkrete. Ky takim ku jemi sot është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, ku edhe unë bëj pjesë”, deklaroi ministri.
I shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Lamallari inspektoi godinën e re të Policisë në Berat, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 253 milionë lekë.
Sipas tij, investimi synon të përmirësojë kushtet e punës për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët. Ai theksoi se objektivi kryesor mbetet forcimi i besimit të qytetarëve te policia përmes bashkëpunimit, etikës dhe respektit në ofrimin e shërbimeve.
Lamallari bëri të ditur se ambientet e reja përfshijnë edhe hapësira të posaçme për pritjen, shoqërimin dhe intervistimin e të miturve, të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Ministri vlerësoi gjithashtu situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke e cilësuar atë si një nga zonat me nivel të lartë rendi dhe qetësie publike. Sipas tij, siguria mbetet një faktor kyç për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.
Gjatë takimit u diskutuan edhe masat për sezonin turistik, përfshirë zbatimin e rregullave të reja për kontrollin e zhurmave, me synim garantimin e një mjedisi më të qetë për qytetarët dhe vizitorët.
Në përfundim, Lamallari deklaroi se me inaugurimin e kësaj godine përmbyllet cikli i investimeve në drejtoritë vendore dhe komisariatet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, duke theksuar se qeveria ka investuar paralelisht në infrastrukturë, teknologji dhe përmirësimin e kushteve të punës për efektivët.