Connect with us

Aktualitet

Detaje të reja/ Kush është “Bledi”? Çfarë e lidh zhdukjen e “Koçoles” dhe Sulovarit me vrasjen e…

Emisioni “Në Shënjestër” ka sjell sot detaje të reja për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve në Sarandë. Një metodë për të eliminuar kundërshtarët, apo një paralajmërim për të tjerët, që jo vetëm ju vrasim, por edhe ju zhdukim kufomat.

Në Shqipëri nuk ka ende një të dhënë se klanet mafioze po përdorin ‘Lupara Biancan’, apo ndryshe, shuarjen në acid të trupave të kundërshtarëve, një metodë e vjetër kjo e përdorur nga ‘Cosa Nostra’ në Itali.

Por fakt është që shumë nga grupet kriminale shqiptare, duke imituar mafien italiane kanë futur në modë, zhdukjen e trupave të armiqve të tyre, një teknikë gati e sigurtë dhe e pastër, ku si fillim përdoret joshja e objektivit me një justifikim të qëlluar, më pas rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e trupit të tij.

Egërsi e pastër, e cila kapërcen çdo skenar filmi, kjo duket të jetë edhe historia e Leonard Thodhorit, njohur me pseudonimin ‘Koçole’ dhe Fatmir Sulovarit që më herët mbante mbiemrin e familjes, Krasniqi.

Dy 46-vjeçarë, miq me njëri-tjetrin, të cilët humbën pa gjurmë, në rrethana të paqarta ende edhe sot, të enjten e datës 6 prill 2023, në qytetin e Sarandës, pikërisht në qytetin i cili muajt e fundit është kthyer në eksportues të disa prej krimeve më të rënda të ndodhura në Shqipëri.

Ngjarje, fijet e të cilave, duket se lidhen edhe me zhdukjen e papritur të ‘Koçoles’ dhe mikut të tij Sulovari.

Por, si humbën gjurmët dy të njohurit me njëri-tjetrin? Cila është e tashmja dhe e shkuara e tyre kriminale? A u bë ajo shkak për atë që konsiderohet si rrëmbimi dhe zhdukja e tyre?

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, Leonard Thodhori, njohur si ‘Koçole’ dhe miku i tij Fatmir Sulovari, u zhdukën pa gjurmë më datë 6 prill në afërsi të Kanalit të Çukës, në Sarandë. E para që iu drejtua komisiariatit të policisë Sarandë, për humbjen e djalit të saj, ishte nëna e 46 vjeçarit, Leonard Thodhori.

Ajo tha për grupin hetues, se takimi i fundit me të birin kishte qenë paraditen e datës 6 prill, kur ajo e kishte lënë djalin e saj në gjumë, në banesë, bashkë me një shokun e tij të quajtur Miri, i  cili kishte bujtur në shtëpinë e tyre një natë më parë.

Ndërsa vetë ishte nisur për te motra e saj, ku kishte kaluar edhe mbrëmjen, por me t’u kthyer të nesërmen në banesë, më datë 7 prill, ajo thotë se nuk e gjeti aty të birin.

“Hera e fundit që e kam takuar djalin ka qenë më datë 6 prill. Leonardi paradite do të shkonte në Sarandë pasi kishte ditën që do të merrte ilaçet te spitali i qytetit, medikamente që i merrte për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike. Më datë 7 Prill 2023, në mëngjes unë u ktheva  në shtëpi por nuk gjeta në banesë as Leonardin dhe as shokun e tij Mirin”, deklaron Evanthi Thodhori.

Por ajo që e shqetësoi nënën më shumë se sa mungesa e pajustifikuar e të birit, do të ishte mënyra se si Leonardi kishte lënë në rrugë makinën me të cilën lëvizte, makinë e cila u gjet e parkuar keq më datë 7 prill, pranë banesës së saj, në fshatin Çukë në Sarandë.

Kjo rriti dyshimin te nëna e Leonardit dhe te familjarët se diçka e pazakontë kishte ndodhur me të afërmin e tyre.

“Ditën e premte, ndërsa u ktheva në banesë, pashë të parkuar keq pranë banesës, makinën që Leonardi kishte marrë me qira. Unë u bëra merak dhe i telefonova gruas së djalit, nëse Leonardi ishte në shtëpi. Ajo mu përgjigj që Leonardi nuk ndodhej në banesë, dhe se telefoni i tij i dilte i fikur. Sipas gruas së tij hera e fundit që kishte folur me të kishte qënë një ditë më parë, më datë 6 Prill 2023 rreth orës 13:00 të drekës dhe që nga ky moment nuk kishte kontaktuar më me të”, ka deklaruar ajo.

Ky parkim i pazakontë i makinës në rrugë, të cilën Leonard Thodhori, e kishte marrë me qira, dhe mungesa e tij e gjatë për të marrë mjetin, u bëri përshtypje edhe banorëve të fshatit Çukë, të cilët mesa duket kishin njohje me të dhe veprimtarinë e tij në zonë.

Por askush nuk mundi të hapë automjetin, për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Në makinë, në pamje të jashtme nuk kishte gjë, ndërsa në kroskot më vonë u gjet patenta, karikuesi dhe ilaçet që përdorte djali. Kjo më bëri të dyshoj më shumë, sepse ai pa ilaçe nuk ikte kurrë”, pohon nëna e tij.

Por ajo që foli e fundit me Leonardin, ishte bashkëshortja e tij, e cila tha për grupin hetues se kontakti i fundit me të shoqin, ishte paraditen e datës 6 prill, kur ai e njoftoi se po kthehej nga spitali, pasi kishte marrë ilaçet.

Por duke qenë se sipas saj Leonardi nuk e kishte për herë të parë që vonohej, ajo nuk i dha rëndësi moskthimit të tij në banesë.

“Për herë të fundit unë kam folur me Leonardin ditën e enjte më datë 6 Prill 2023 rreth orës 11:00 të paradites në ëhats app me video. Ai më tha që kishte marrë ilaçin te spitali dhe po shkonte në shtëpi. Ai po vonohej, por duke qenë se e ka bërë shumë herë këtë veprim, unë nuk i kushtova shumë rëndësi vonesës së tij. Pasi kaluan disa orë unë u shqetësova dhe e mora përsëri në telefon por telefoni dilte i fikur”, deklaron Athina Anastasi.

Pra siç shikohet edhe nga dëshmia e gruas së Leonard Thodhorit, gjithçka dukej në rregull deri në orën 11.00 të datës 6 prill 2023.

Por ndërsa ajo priste që Leonardi të kthehej në banesë, ai nuk u kthye kurrë. Madje fiku edhe telefonin.

E shqetësuar, po sipas saj, pasditen e datës 6 prill, ajo mori në telefon nënën e Leonardit, si edhe motrën e tij, që banojnë në Çukë.

“Pas kësaj unë mora në telefon vjehrrën time dhe kunatën që banojnë në Çukë. Kunata që quhet Leonora Meçani më tha se të enjten në darkë e kishte parë te shtëpia e vjehrrës time dhe të premten në mëngjes se kishte parë më. Unë komunikova me vjehrrën time e cila më tha se të enjten në mëngjes Leonardi kishte qenë te shtëpia me një person me emrin Miri por që nuk dinte me shumë të dhëna”, shprehet Athina Anastasi.

Por ndërsa më 10 prill, nëna e Leonard Thodhorit, iu drejtua policisë për humbjen e të birit, të njëjtën gjë bënë edhe familjarë të Fatmir Sulovarit.

Ai që trokiti në policinë e Sarandës ishte Gëzim Krasniqi, që mban edhe gjeneralitetet Gazmir Pëllumbaj, i cili bëri denoncim për zhdukjen e vëllait të tij, Fatmir Sulovari alias Krasniqi.

Ai ishte edhe mik me Leonard Thodhorin, i njëjti person që kishte qëndruar në një banesë me këtë të fundit, një natë para se të zhdukeshin.

Ndryshe ai njihej me emrin Miri, emri me të cilin nëna e Leonard Thodhorit, i drejtohej mikut që kishte lënë në mëngjes në banesë, bashkë me djalin, para se të nisej te motra e saj.

“Unë jam vëllai i Fatmirit dhe ne kemi humbur kontaktet me të që nga data 7 Prill 2023. Rreth orës 19:20 të kësaj date ne kemi tentuar të lidhemi me të, po kështu dhe më datë 8 Prill, por telefoni ka qënë i mbyllur. Me sa dimë ne Fatmiri nuk ka konflikt me askënd dhe nuk dyshojmë tek asnjeri, pasi ai ishte një tip i qetë dhe shikonte punët e tij”, tregon Gëzim Krasniqi.

Ashtu si nëna e Leonard Thodhorit, edhe vëllai i Fatmir Sulovarit, pohoi përpara grupit hetues, se ata kishin qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit, orët e fundit para se të zhdukeshin në mënyrë të papritur.

“Në komunikimet që kemi pasur me rrethin shoqëror të vëllait, ata na kanë thënë se ai ka qenë me shtetasin Leonard Thodhori. Ne kemi shkuar tek banesa e këtij shtetasi në fshatin Çukë dhe kemi mësuar nga familjarët e tij se dhe Leonardi ka humbur kontaktet me familjen”, deklaron Gëzim Krasniqi.

Sulovari thuhet se ishte një biznesmen pa influencë në qytetin e Sarandës. Ai ishte nga Fieri, por jetonte në Tiranë.

Sipas familjarëve të tij, ai vinte shpesh në qytetin e Sarandës, pasi që prej vitit 2006, ishte pronar i disko ‘El Dorado’. Këtë herë ai kishte mbërritur në qytet, pasi diskoja ishte prishur.

Për këtë arsye ai kishte ardhur aty bashkë me babain e tij, për të kryer shpërnguljen e të gjithë pajisjeve që kishin shërbyer në disko.

Babai i tij, Hasan Krasniqi ishte i fundit që e takoi të birin para se të zhdukej, që konsumoi edhe kafenë e fundit me të, në një nga lokalet e Ksamilit, gjatë datës 6 prill… Momenti kur u ndanë dhe nuk u panë më së bashku.

“Unë jam babai i Fatmir Sulovarit (Krasniqi). Më datë 5 prill 2023, ditën e mërkurë Fatmiri ka qenë në shtëpinë tonë në Fier. Sipas asaj që më tha gruaja ime, ai doli nga shtëpia rreth orës 10.00 për të shkuar në Ksamil. Në të njëjtën ditë edhe unë u nisa në Ksamil me automjetin tim, ku arrita në orën 18.30 në vendin ku Fatmiri kishte pasur diskon, por që tani është prishur.

Ditën tjetër më datë 6 prill unë isha duke u marrë me materialet  kur në mesditë aty u afrua një makinë e bardhë, nga ku zbriti Fatmiri. Qëndruam pranë objektit për rreth një orë duke biseduar. Unë i thashë Fatmirit të shkonte të më priste te lokali i Ilirit në qendër të Ksamilit. Pas 30 minutash unë shkova te lokali i Ilirit dhe e gjeta Fatmirin të ulur vetëm dhe u ula me të. Pas rreth 15 minutash aty erdhi edhe një person me emrin Nori dhe biseduam për rreth një orë për objektin që ishte shembur në Ksamil” shprehet Hasan Krasniqi.

Pra sipas babait të Fatmir Sulovarit, takimi i fundit me të birin, ishte mesditën e datës 6 prill 2023, kur ai u pa të largohej në këmbë bashkë me një person të quajtur Nori.

“Unë u ktheva te objekti, ndërsa Fatmiri bashkë me Norin iu drejtuan qendrës së Ksamilit në këmbë. Ky ka qenë dhe momenti i fundit që unë u takova dhe fola me Fatmirin. Ditën e premte pasi mbarova punë me materialet unë u nisa për në Fier dhe mbërrita aty rreth orës 19:00. Ditën e shtunë (8 prill) unë mësova se në Fier kishte ardhur nëna e shokut të Fatmirit për të kërkuar djalin e saj, i cili kishte humbur kontaktet”, thotë Hasan Krasniqi.

Do të ishin këto denoncime, si edhe fakti që dy shtetasit e raportuar si të humbur nga familjarët ishin miq me njëri-tjetrin, por dhe e shkuara e tyre e afërt dhe e largët kriminale, që krijoi mendimin te policia, se ishin përballë një rrëmbimi të dyfishtë.

Zhdukja misterioze e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit prej disa javësh janë kthyer në kryefjalë të kronikës, ndërsa policia ende nuk ka zbardhur plotësisht ngjarjen. Por si mendohet se ndodhi rrëmbimi i ‘Koçoles’ dhe mikut të tij Fatmir Sulovari?

Emisioni “Në Shënjestër” ka sjell detaje të reja, ku sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, rrëmbimi i dy miqve mendohet se u krye në vendin ku edhe u gjet e parkuar në mënyrë jo të rregullt makina e drejtuar nga Leonard Thodhori, në fshatin Çukë në Sarandë.

Dyshimet e policisë janë se Leonard Thodhori u thirr aty nga persona me të cilët mendohet se kohët e fundit ai kishte krijuar divergjenca. ose u nxor në pritë nga njerëz të cilët ai cilësonte si të besuar.

Më pas këta persona e tradhtuan duke e dorëzuar te personat me të cilët kishte probleme. Por ajo që tashmë dihet është se përpara se të nisej në vendin ku kishte lënë për të sqaruar përplasjet, Leonard Thodhori mori me vete edhe Fatmir Sulovarin, me të cilin thuhet se ndante një shoqëri të vjetër në kohë.

Ai mendohet se e thirri mikun e tij të vjetër, si shoqërues, pasi ky i fundit kishte armë, ç’ka rrit dyshimin se Thodhori nuk ishte i panjohur me njerëzit që do të takonte dhe rrezikun që i kanosej.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja përse Fatmir Sulovari zgjodhi ta kalonte natën përpara se të zhdukej në banesën e mikut të tij.

Por duke iu kthyer te dinamika e rrëmbimit të ‘Koçoles’ dhe shoqëruesit të tij Fatmir Sulovari, grupi hetues është ndalur te itinerari që ka ndjekur makina me të cilën dyshohet se u rrëmbyen dy personat.

Për herë të parë emisioni ‘Në shënjestër’, publikon pikërisht ato që policia i cilëson si momentet e rrëmbimit.

Sipas policisë, Leonard Thodhori, thënë ndryshe ‘Koçolja’ dhe Fatmir Sulovari, u rrëmbyen pasi u futën në kurth, nga makina e cila është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë.

Makinë me xhama të zinj, që siç vihet re lëviz me shpejtësi në disa akse rrugore në qytet në orën 15.50.

Ajo që konstatohet është fakti se drejtuesi i mjetit, edhe pse koha jashtë është e vranët dhe me shi, mban të ulura mbrojtëset e përparme kundra diellit, si në krahun e shoferit ashtu edhe në atë të pasagjerit.

Kjo me siguri, për t’i pamundësuar policisë, identifikimin e shoferit dhe më pas të personave të cilët janë pjesëmarrës në rrëmbim, apo edhe të urdhëruesve të këtij rrëmbimi të dyfishtë.

Një tjetër element që vihet re është se xhamat e pasmë në makinë, janë të zeza. Kjo krijon më tej dyshimin e arsyeshëm te policia, se jo pa qëllim autorët kanë zgjedhur këtë makinë për të kryer rrëmbimin e dy personave në Sarandë.

Në një tjetër pamje më të afërt, ajo që konstatohet është se drejtuesi i mjetit, ka marrë gjitha masat që portreti i tij të mos shquhet nga policia.

Ndërkohë që në vendin e parë të pasagjerit, sipas grupit hetues edhe pse nuk dallohet mirë, ndodhet Fatmir Sulovari, apo Krasniqi, makinë ‘Mercedes Benz’, e cila nga kërkimet e grupit hetues rezulton e vjedhur, ashtu si edhe targat saj, të huaja.

Në dosjen hetimore thuhet:

Nga kqyrja e pamjet filmike të marra nga kamerat e objektit XH/Telo rezulton se: Në orën 14.00.31 të datës 6 prill 2023, 50 minuta mbrapa orës reale shfaqet automjeti tip Wolskvagen me ngjyrë gri me targa AA 091 JC i cili zbret nga një rrugicë e fshatt Çukë dhe futet në rrugën kryesore në drejtim të një toke anë rrugës.

Në orën 14.03.24  shfaqet automjeti i cili zbret nga toka në anë të rrugës dhe futet në rrugën kryesore në drejtim të një toke në anë të rrugës dhe futet në drejtim të kësaj toke.

Nga kqyrja e kamerave shfaqet automjeti tip Wolskvagen me ngjyrë gri me targa AA 091 JC i cili del nga toka anë rrugës dhe futet në rrugën kryesore në drejtim nga rrethi i Çukës dhe një automjet tip Benz ngjyra e zezë i identifikuar nga ana jonë me targën AA751LV, targa të vjedhura, i cili vjen nga kanali i Çukës dhe lëviz në drejtim të rrethit të Çukës dhe ndalon rreth 200 metra pa shkuar te vendi ku më parë kishte ndaluar Wolksvageni.

Në orën 14.06.47 shfaqet autonmjeti Benz i cili afrohet dhe ndalon në krah të automjetit Wolsvagen ngjyrë gri me targa AA 091 JC.

Nga pamjet e siguruara nga kamera nr. 8 në orën 15.49.46 shfaqet automjeti tip Benz ngjyra e zezë me targë AA751LV i cili vjen nga rrethi i Çukës në drejtim të Kanalit të Çukës.

Por ajo që e ndihmoi policinë ishte rruga e kthimit që makina ‘Mercedes Benz’ bëri, pasi doli nga fshati Sorone në Sarandë, ku dyshohet se humbën gjurmët e dy personave të zhdukur.

Edhe këtë herë në ndihmë erdhën kamerat e sigurisë, në itinerarin e kthimit që ndoqi makina.

Në dosjen hetimore thuhet:

Nga kqyrja e pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë në parcelat me mandarina që ndodhen rrugës për në Sorone pa hyrë në fshatin Pllakë shfaqet automjeti tip Benz ku dallohen xhama të zinj anësor, si dhe mbrojtëset e diellit të ulura.

Automjeti lëviz në drejtim të fshatit Sorone. Xhami i përparmë nga ana e pasagjerit është gjysmë i hapur dhe brenda tij arrin të dallohet një person. Në brendësi të automjetit nga ana e shoferit arrihet të dallohet një person i veshur me rrobë gri.

Targa e automjetit tip Benz  YTO 1114 është denoncuar e vjedhur në Greqi. Nga kqyrja e pamjeve të siguruara nga kamerat e një karburanti shfaqet automjeti tip Benz ku arrihet të dallohet qartë një pullë jeshile në cepin fundor ballor nga ana e pasagjerit.

Automjeti ikën në drejtim të rrugës së vjetër për në Vlorë. Nga kqyrja e kamerave të Bashkisë Sarandë dhe të bizneseve të ndryshme është bërë i mundur  identifikimi i itinerarit të ndjekur nga automjeti Merceded Benz.

Në orën 13.46.50,  ora e kameras është 60 minuta nga ora reale, kamera e biznesit Saranda Treg shfaq  automjetin që vjen nga rruga e vjetër e vlorës në drejtim të hyrjes së Sarandës, fshati Gjashtë.

Nga pamjet e kameras të një karburanti në orës 14.47/29,  ora është fikse, automjeti hyn në qytetin e Sarandës në drejtim të Qafë Gjashtës. Automjeti zbret nga Qafa e Gjashtës dhe merr rugës per te kanali i Çukës. Automjeti lëviz më pas në drejtim të fshatit Çukë.

Por cili ishte problemi që personazhi i njohur si ‘Koçolja’ kishte me personat të cilët më pas kryen rrëmbimin dhe zhdukjen e tij dhe të mikut që e shoqëronte?

Cilët ishin personat me të cilët ai thuhet se ishte në konflikt? Pse Leonard Thodhori nuk nuhati asgjë nga ajo do t’i ndodhte?

Ajo që do të çonte grupin hetues në zbulimin e njërit prej autorëve dhe arrestimin e tij, do të ishin pikërisht lëvizjet e makinës ‘Mercedes Benz’, të cilat çuan policinë drejt fshatit Nivicë në Sarandë dhe drejt emrit të shtetasit Sofokli Baxheri, i njohur shkur si Sofo, banues në Nivicë.

Por cila është lidhja e Sofokli Baxherit me rrëmbimin e dy personave në Sarandë?

Pse grupi hetues ka krijuar bindjen se ai dha dëshmi të rreme për këtë ngjarje? Pse ai ka vendosur të kyçë gojën përpara hetuesve në lidhje me këtë rrëmbim?

Sipas grupit hetues, Sofokli Baxheri mendohet se u ka vënë në shërbim personave që rrëmbyen ‘Koçolen’ dhe Sulovarin, banesën që kishte marrë me qira në fshatin Nivicë në Sarandë.

Banesë në pronësi të shtetasit, Strati Dukshi, në oborrin e së cilës u gjend edhe makina ‘Mercedes Benz’, që dyshohet se transportoi dy personat drejt bazës ku u zhdukën, gjatë rrëmbimit të tyre.

“Unë Leonard Thodhorin, me nofkën ‘Koçole’ e njoh vetëm fizikisht si banor i qytetit të Sarandës, por nuk kam pasur kurrë marrëdhënie me të. Po kështu as me shtetasin, Fatmir Sulovari. Në lidhje me shtëpinë në Nivicë është e vërtetë që kam qenë ndërmjetës në qeramarrjen e vilës së shtetasit Strati Dukshi. Më datë 11 Janar 2023, në zyrën e agjencisë ku punoj, ka ardhur një shtetas me emrin Bledi, që donte të merrte me qira një banesë ose vilë për një vit, në periferi të Sarandës. Unë i ofrova këtij personi, që jetonte në Kanada, vilën e Strati Dukshit, por duke qenë se nuk kisha foto, shkuam e pamë nga afër”, ka deklaruar Sofokli Baxheri.

Pasi ranë dakord me çmimin, ky person i tha Strati Dukshit, se pagesën një vjeçare të qirasë, do e merrte te stacioni i autobusëve në Athinë.

Por Sofokli Baxheri, nuk tha asgjë tjetër për grupin hetues, duke vendosur të heshtë. Ai tha se shtetasin me emrin Bledi, nuk e pa më pasi ky i fundit i la në tavolinë kontratën e qirasë.

Madje Baxheri heshti edhe për makinën ‘Mercedes Benz’ që u gjet në oborrin e vilës në Nivicë, me të cilën dyshohet se u rrëmbyen Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.

Çfarë thuhet në dosjen hetimore:

Sofokli Baxheri dyshohet se banesën e marrë me qira në fshatin Nivicë, e ka vënë në shërbim personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit dhe ndoshta vrasjes së ‘Koçoles’ dhe Sulovarit.

Ai akuzohet se ka gënjyer gjatë marrjes në pyetje nga policia, pas shoqërimit me disa të rinj të tjerë nga Saranda, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë. Ata janë kryesisht lidhje shoqërore e disa personave me precedentë penalë që dyshohet se fshihen pas rrëmbimit të dy 46 vjeçarëve.

Sipas policisë, Baxheri është njeriu kyç që nëse flet, mund të zbardhë jo vetëm rrëmbimin e ‘Koçoles’ dhe Fatmir Sulovarit, por edhe të një ngjarje tjetër të rëndë, në të cilën del i përfshirë i njëjti automjet ‘Mercedes Benz’ që dyshohet se është përdorur gjatë rrëmbimit të 46-vjeçarëve.

Kjo ngjarje, është ajo e vendosjes së një sasie eksplozivi në banesën e 54 vjeçarit, Lefter Lefteri, njohur ndryshe edhe me gjeneralitetet, Afëz Kulla.

Çuditërisht këtu del se Sofokli Baxheri është shok me djalin e pronarit të banesës së cilës iu vendos eksploziv.

Ndërsa grupi hetues kërkon prova se kush fshihet pas automjetit që u gjet në garazhin e banesës së Baxherit në Nivicë, automjet rezulton i përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe të tritolit.

Me qëllim humbjen e gjurmëve është tentuar të lyhej dhe t’i ndryshohej ngjyra.

Pasi janë futur në kurth, mendohet që Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë transportuar për në fshatin Sorone, dhe të jenë mbajtur në disa stalla bagëtish, në pronësi të një personazhi problematik në zonë, i cili së fundmi është pjesë edhe e një fashikulli hetimor, që lidhet me dy ngjarje të rënda të ndodhura në Tiranë.

Stanet më herët thuhet se janë përdorur për fshehjen e sasisë së drogës, që kalonte në Greqi, aty ku mendohet se Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë vrarë dhe më pas trupat e tyre janë zhdukur për të mos u gjendur edhe sot.

Shkak fillestar për këtë rrëmbim dhe më pas zhdukje të trupave, thuhet të jetë bërë një tokë që ‘Koçolja’, në këtë rast Leonard Thodhori, kishte shitur në Sarandë.

Bëhet fjalë për një parcelë me një vlerë të konsiderueshme, për të cilën ai thuhet se ka kërcënuar personat me të cilët ishte në këtë marrëdhënie se nëse nuk do t’i jepnin paratë, ai do të rrëfente krimet që kishin kryer.

Dyshimet e policisë janë se dy të rrëmbyerit janë vrarë dhe trupat e tyre janë fshehur në fshatin Vrinë. Atje ky prej ditësh kryhen kërkime intensive, jo vetëm nga policia, por janë edhe familjarët të cilët privatisht, kërkojnë por edhe protestojnë që ngjarja të zbardhet dhe të gjenden trupat e të afërmve të tyre.

Por kur ishin Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari që mbante edhe mbiemrin Krasniqi?

Leonard Theodhori, për të cilin qarkullojnë vetëm dy foto, njëra që i përket rinisë së tij të hershme, njihej në rrethin shoqëror me pseudonimin ‘Koçole’ dhe i kishte hyrë problemeve me ligjin që në rininë e tij.

Një prej tyre ishte ngjarje e tmerrshme që u shënuan gjatë vitit të mbrapshtë 1997, ku gjatë këtij viti ai thuhet se ishte pjesëmarrës në Masakrën e Qafë Gjashtës.

Një nga ngjarjet më të rënda që u dokumentua gjatë vitit të zi, kur armët ranë në duart e bandave kriminale të cilat zotëronin territorin, midis tyre dhe në jugun e Shqipërisë, pritë ku mbeti i vrarë, oficeri Gjergj Mehmeti.

Ky i fundit më 4 mars 1997 po udhëtonte në të njëjtën makinë me shefin e komisariatit të Vlorës, Sokol Bizhga dhe oficerin tjetër të policisë, Eduard Aliaj.

Këta të fundit një ditë më parë ishin dërguar nga Ministria e Brendshme për të ringritur stacionin e policisë në Sarandë, pasi ishte marrë në dorë nga bandat

Por në pamundësi për ta bërë një gjë të tillë, ata vendosën të kthehen nga Qafë Gjashta, aty ku u ndaluan nga persona të armatosur, të cilët i zunë pritë makinës së efektivëve të policisë.

Pas një shkëmbimi zjarri mbeti i plagosur rëndë Gjergj Mehmeti, të cilin bandat ia dogjën trupin të gjallë në makinë, dhe u mor peng për dy javë oficeri tjetër, Eduard Aliaj.

Ky i fundit u keqtrajtua rëndë dhe më pas u lirua vetëm nëpërmjet negocimit. Por edhe pse ishte pjesëmarrës në atë masakër, Leonard Thodhori, në atë kohë 18 vjeç, thuhet se nuk ishte i përfshirë direkt në ngjarje.

Ai nuk u dënua kurrë për masakrën e Qafë Gjashtës, por kjo nuk e pengoi në vazhdim të kishte një “Cv” të pasur në radhët e krimit.

Në vitin 2003 ai ishte i pranishëm në makinën që drejtohej nga Andrea Gjini, para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.

Po në vitin 2003, ai u arrestua për ‘moskallëzim krimi’ për një tjetër ngjarje të kryer nga Andrea Gjini. Më pas ai u arrestua në akuzat për ‘vjedhje’ dhe ‘mashtrim’.

Por edhe për trafik të lëndëve narkotike, ku duket se ishte i përfshirë në grupe të fuqishme krminale që qarkullonin në zonën e Sarandës.

Por krahas kësaj veprimtarie, Leonard Thodhori, thuhet se ishte edhe vetë përdorues i lëndëve narkotike. Fakt që e pranojnë edhe familjarë të tij, të cilët thonë se ai merrte medikamente për shkak të varësisë që kishte krijuar nga droga.

Të njëjtën “Cv” të lidhur me drogën duket se kishte edhe miku i tij Fatmir Sulovari, që mbante edhe mbiemrin Krasniqi. Ai ishte dënuar më parë për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘plagosje e lehtë me dashje”.

Për herë të fundit Sulovari ishte përballur me drejtësinë në muajin prill të vitit 2022, ku gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij në Lushnjë, policia gjeti në mjetin e tij “BMË” X5 një sasi lënde cannabis sativa të ndarë në doza, gati për shitje.

Ndërkohë që nëna e Leonard Thodhorit, thotë se ditën kur konstatoi se djali nuk gjendej, shokë të tij e kanë ndaluar në rrugë, dhe i kanë thënë se të enjten në mbrëmje më datë 6 prill, nga numri i Leonardit i ka marrë Fatmir Sulovari, i cili u ka kërkuar ‘mall’… që nënkuptonte drogë.

“Para se të vija në Polici që të njoftoja për humbjen e djalit, ditën e saktë nuk e mbaj mend, unë shkova në qytetin e Sarandës te spitali i qytetit dhe pas kësaj u nisa për në banesë. Gjatë rrugës në vendin e quajtur “Rrethi i Gajdarit” në  Sarandë unë takova shtetasin Niku Beduli, që është shok me Leonardin. Pas pak minutash pranë nesh erdhi një person i panjohur nga unë dhe pas 5 minutash edhe një djalë të cilit Niku iu drejtua me emrin ‘Bumçja’. Ai i tha Nikut që thuaj nënës se ku është Leonardi dhe i tha që ditën e enjte në darkë e ka telefonuar Fatmiri nga numri i Leonardit dhe i ka thënë ‘Do na sjellësh mall këtu? ‘Se e do Ylli’. Por Bumçja i ishte përgjigjur se nuk kishte dhe ia ka mbyllur telefonin. Pas kësaj bisede Niku u largua dhe më çoi në shtëpi. Rrugës më tha që të mos mërzitesha se Leonardi do kthehej”, u shpreh Evanthi Thodhori.

Por për t’iu kthyer edhe njëherë pistave të mundshme të rrëmbimit, grupi hetues mendon që një ndër to, lidhet me dy vrasje të bujshme të ndodhura në një kohë fare të shkurtër që zanafillën e kanë në Sarandë dhe trafiku i lëndëve narkotike që vinte prej këtij qyteti.

Policia beson që në ngjarjen e rrëmbimit të ‘Koçoles’ dhe të Sulovarit, të ketë gisht Ledjan A., njohur edhe me gjeneralitetet, Eldjan A..

Personi i cili del edhe në dëshminë e nënës së Aleksandër Sadikaj, si i implikuar në ekzekutimin e tij më 11 qershor të vitit 2022 tek rrethrrotullimi i TEG-ut nga shpërthimi i një sasie të madhe eksplozivi që ishte montuar në makinën e tij.

Grupi hetues beson se Leonard Thodhori, kishte dijeni të plotë për atentatin me eksploziv ndaj Aleksandër Sadikaj si dhe njerëzit që e organizuan.

Njerëz të lidhur me trafikun e drogës që kalonte nga Kanali i Çukës në Sarandë në drejtim të Greqisë.

Ashtu si edhe Aleksandër Sadikaj, nga Memaliaj, që mbante pseudonimin ‘Sanço’, por edhe Edmond Papa, një biznesmen nga Saranda, i cili u qëllua për vdekje.

Ngjarja ndodhi vetëm 6 muaj më pas, më 16 dhjetor 2022, në lagjen Selitë në Tiranë, teksa qëndronte në këtë lokal duke konsumuar një kafe në pritje të familjarëve të tij.

Narkotrafik me destinacion Greqinë me të cilin duket se ishin të lidhur edhe i rrëmbyeri Leonard Thodhori dhe personat të cilët organizuan më pas zhdukjen e tij dhe të mikut që kishte marrë me vete.

Persona të cilët ishin të investuar direkt në vrasjen e Aleksandër Sadikaj. Ekzekutim për të cilin duket se ka pasur dijeni edhe Leonard Thodhori dhe pas konflikteve për një pronë në Sarandë, që kishte me këta persona, duket se i ka kërcënuar këta të fundit se do i kallëzonte në lidhje me dijeninë që ai kishte për ekzekutimin me eksploziv të ‘Sanços’ në Tiranë.

Kjo duket se i ka frikësuar keqasi ata që deri dje ishin bashkëpunëtorët e tij, për të menduar deri edhe rrëmbimin e tij.

Ndërkohë që duket se rrëmbimi i Fatmir Sulovarit, të ketë qenë jashtë planifikimit.

Në lidhje me ekzekutimin e Aleksandër Sadikaj, ai thuhet se tri ditë para se të eleminohej qëndroi në hotelin në pronësi të Edmond Papës, në Sarandë.

Të dy këta personazhe të lidhur me trafikun e drogës që kryhej në Greqi.

Sipas informacioneve që nëna e Sadikaj dha për grupin hetues, djali i saj nuk kishte qenë i vetëm në këtë hotel. Ai ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, që i identifikoi si Ledjani dhe Xhino.

Ledjani i cili e këshilloi Sadikajn që makinën e tij tip Golf të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës, me qëllimin, sipas nënës së tij, për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.

Kjo ishte edhe arsyeja përse ditën e ekzekutimit nëpërmjet shpërthimit të telekomanduar, Aleksandër Sadikaj, nuk lëvizte me makinën e tij, por me një automjet tip ‘Mercedes Benz’.

Aty ku sipas ekspertëve, në serbatorin e makinës, ishte vendosur një sasi prej 500 gramë tritol. Disa muaj pas atentatit, nëna e Sadikaj, pas hetimeve private që familja kreu, kërkoi të takojë personalisht Ledjanin.

“Pas vrasjes së djalit tim Aleksandrit, kam kërkuar që të takohem me Ledjanin, të cilit i ka çuar fjalë nëpërmjet Xhinos. Ky i fundit më ka thënë që Ledjani kishte fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dëshironte të më takonte”, ka deklaruar nëna e Aleksandër Sadikaj.

Ledjani nuk i doli në takim nënës së Sadikaj, as kur kjo e fundit shkoi ta takojë personalisht në hotelin ‘Blu Sky’ në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës, që tashmë edhe ky ishte ekzekutuar.

“Pasi pashë që Ledjani nuk donte të më dilte në takim, ndodhur në këto kushte kam shkuar vetë tek hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë. Por edhe këtë herë ai nuk më ka dalë në takim. Për arsye të cilat nuk mi bëri të njohura”, shprehet ajo.

Por ndërsa grupi hetues i ngriti të gjitha dyshimet mbi një konflikt të mundshëm për drogën midis ‘Sanços’ dhe Papës, dëshmia e fundit e dhënë nga nëna e Aleksandër Sadikaj, solli për grupin hetues në vëmendje edhe një tjetër pistë.

Atë të një toke që djali i saj kishte blerë pranë TEG-ut në Tiranë, por që e pretendonte edhe Ledjani.

Bisedë që Xhino, sipas nënës së Sadikaj, e kishte bërë me djalin e saj, pak minuta para se të vritej, ku i biri i kishte treguar në telefon një tokë që familja e tij kishte në pronësi pranë qendrës së njohur tregtare në Tiranë.

Në dosje thuhet se kjo mund të ketë lënë të pakënaqur, Ledjanin dhe njerëzit e tij përreth, në këtë rast edhe Edmond Papën.

Një version i mundshëm ky, pa lënë mënjanë edhe konfliktet e tjera që palët mund të kenë pasur në afera të ndryshme.

Ndërkohë që siç del nga dëshmia e nënës, Xhino i ka pohuar se Edmond Papa dhe njerëzit që i rrinë afër janë të rrezikshëm, pasi ndër të tjera, mbajnë edhe lëndë shpërthyese.

Kjo rriti edhe më shumë dyshimet te nëna e Aleksandër Sadikaj, se vrasësi i të birit ishte Edmond Papa dhe njerëzit pranë tij.

Një histori gati e ngjashme kjo me atë të rrëmbimit të Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovari, ku ashtu si në rastin e Sadikaj, sërish në skenë del një tokë, që Thodhori kishte shitur në Sarandë.

Por që në këmbim nuk kishte marrë paratë, për të cilën edhe në këtë rast pretendime del të ketë pasur edhe personi me emrin Ledjani, që dyshohet të jetë rrëmbyesi i tij dhe i Fatmir Sulovarit.

Shkak dyshohet të jetë bërë toka që Leonard Thodhori kishte në Sarandë, që ua kishte shitur këtyre personave.

Mesa duket ata pasi i kanë blerë tokën me letra, nuk i kanë dhënë në këmbim paratë, ç’ka mendohet se ‘Koçolja’ t’i ketë kërcënuar ata që do të ishin pengmarrësit e tij, se nëse nuk u paguanin lekët e tokës, do të fliste kundër tyre dhe do të rrëfente për krimet e kryera prej tyre, që me gjasë janë disa të tilla.

Por Ledjan Alushaj, nuk mendohet të jetë i vetëm që rrëmbeu ‘Koçolen’ dhe mikun e tij, pasi policia mendon se pjesë e grupit kriminal është edhe një shtetas nga veriu i vendit.

Në këtë ngjarje hetimet flasin për një të dënuar me burgim të përjetshëm që ka drejtuar nga qelia operacionin për rrëmbimin e dy personave në Sarandë.

Policia beson që Thodhori edhe Sulovari janë marrë fillimisht me mirëbesim në makinë, pasi Sulovari që ndodhet në vendin e parë, duket i qetë në pamjet filmike që ata kanë siguruar nga kamerat e sigurisë, në itinerarin që makina e rrëmbyesve ka ndjekur në qytetin e Sarandës.

Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, janë marrë në pyetje miq të biznesmenit të vrarë Edmond Papa të cilët më herët janë marrë në pyetje edhe për ekzekutimin e Aleksandër Sadikaj.

Çfarë thuhet në dosjen hetimore:

Personat e shoqëruar shumica janë me precedentë të theksuar kriminalë për ‘prodhim dhe shitje narkotikësh’, ‘kultivim bimësh narkotikësh’, ‘trafik mjetesh motorike” etj.

Në lidhje me kërkimet për gjetjen e trupave në zonën e Vrinës dhe të Konispolit në Sarandë, policia thotë se u drejtua në këto zona, pas dëshmisë së një personi. Ky i fundit nuk pranoi të japë me shumë detaje se ku ishte kryer groposja e dy personave të rrëmbyer.

Çfarë thuhet në dosjen hetimore:

Policia u orientua në drejtim të këtij fshati pas dëshmisë së një personi, që ka dhënë detaje në lidhje zhdukjen e dy personave, por ai ka refuzuar të tregojë vendin ku ata janë groposur.

Mbi bazën e dëshmive, policia ka mundur të sekuestrojë në një magazinë në fshatin Nivicë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, me të cilin dyshohet se janë rrëmbyer Thodhori dhe Sulovari. Për të fshehur krimin, autorët e kishin lyer automjetin me ngjyrë tjetër.

Për familjarët tashmë nuk ka asgjë më shumë rëndësi se sa gjetja e trupave, dhe pasja e mundësisë për t’u bërë nderimet e fundit. Atë që kërkuan edhe në takimin me drejtuesin e lartë të policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Aktualitet

Nuk fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë, ndahet nga jeta bashkëshortja e mjekut Tritan Kalo

Mjeku Tritan Kalo ka ndarë një ngjarje mjaft të trishtë për të dhe familjen e tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë pas sëmundjes së rëndë.
“31.05.2024…..Ora 14:15 dhoma 517 North, në Patient Center Care of Royal Jubilee Hospital, Victoria, BC, Canada, pushoj së rrahuri zëmra e ROZETA KALOS….

E mira, e urta, zemërbardha, e qeshura e shumëjetëdashura Rozeta Kalo, nuk do të mundet më fizikisht të jetë pjesë e të përditshmes në Familjen Kalo Jr, POR përjetësisht do të jetë e pranishme në mëndjet dhe në zemrat tona…..

Të tre yjet tona Besjana, Enkelejda dhe Genta Juna Kalo, patën mirësinë të rriteshin e edukoheshin nga një Nënë mjaft e dedikuar për familjen dhe për ecurinë mbrothësuese të saj….

Unë, Dr. Tritan Kalo, pata fatin të lidh jetën me një zemërbardhë, punëtore, familjedashëse, dijekërkuese dhe shpresësjedhëse si Rozeta Kalo (Qirjako)…..

Midis dy fotove të para shtrihet një hark kohor prej rreth 39 vitesh (18.07.1985 dhe 31.05.2024), nga koha e njohjes dhe e fejesës sonë deri në largimin për në Amëshim, të gjysmës sime më të mirë Rozeta Kalo….

VITE JETE të mbushura plot gëzime, përpjekje dhe dëshira shpresësjedhëse për Familjen Kalo Jr…..

NË Elbasan ditën e dasmës dhëndri i këndon nuses: E para moj është nëna, e dyta moj më je ti, të dyja të mira jeni, gjithë bota ju kanë zili, shkruan Kalo në Facebook.

Ndërkohë që ka shtuar se bashkëshortja e tij ka humbur jetën në të njëjtën ditë dhe orë ashtu si nëna e tij.

 Mama e ka trajtuar Rozin si vajzën e vet, ndaj edhe Perëndija të dyjave u përzgjodhi të njëjtën ditë amëshimi më 31 Maj, dhe të njëjtën orë 14:15 në 13 vite distancë nga njëra tjetra më 2011 dhe më 2024”, thekson ai.

Continue Reading

Aktualitet

Qershori nis me vapë/ MeteoAlb: Temperaturat mund të kapin vlera të pa imagjinueshme

Vapa do të nis me qershorin.  Termometri sipas meteorologëve parashikohet të shënojë vlera të ngjashme me muajin  korrik dhe gusht.   Kjo për shkak të masave ajrore me origjinë nga Arika  që do të përfshijnë  të gjithë Ballkanin.

” Nesër që futemi zyrtarisht në qershor  presim temperatura 32 – 33 gradë celcius,  e diela, e hëna 34 gradë,  më pas dhe java tjetër le të themi do të sjellë temperatura shumë të larta, të  paktën deri në datën 15.  Starton sikur të jenë  temperatura korriku apo gushti  ku përgjatë kësaj vale mund të shënojmë dhe vlera  37 gradë në zona të izoluara. Është një masë ajrore nga Afrika e cila po fuqizohet, në fakt do të jetë në  Europën Juglindore duke përfshirë dhe Ballkanin.”

Të pakta  pritet  te jenë ditët me temperatura normale për muajin.  Pavarësisht se qielli nuk do të jetë përherë i kthjellët   meteorologët nuk parashikojnë  reshje  intensive.

“Vranësirat do të jenë prezente,  në zonat lindore parashikohet të ketë grumbulim të vranësirave  duke gjeneruar reshje të pakta dhe aspak problematike.  Është parashikuar që qershori të jetë mjaft i nxehtë,  edhe pse mund të kemi një normalizim të temperaturave pas valës,  do kemi sërish valë të të nxehtit përgjatë gjithë qershorit.”

Pas mbylljes  së një muaji relativisht të freskët si maji menjëherë sipas meteorologëve nis një  muaj i nxehtë  si qershori.

Continue Reading

Aktualitet

1 qershori, ditë pa makina në kryeqytet, ja aktivitetet që do të organizohen për fëmijët

Data 1 qershor është konceptuar si “Ditë pa makina” në kryeqytet. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh që do të nisin në orën 10:00 e paradites.

Gjatë kësaj ore, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të kthehet në një ambient plot me kënde për argëtim dhe aktivitete të ndryshme për fëmijët.

Në këtë zonë të kryeqytetit do të jenë të hapura 14 stenda të ndryshme që do të mundësojnë për fëmijët disa praktika të ndryshme që nga kulinaria, mbjellja e luleve apo edhe art përmes pikturës ku të vegjlit do të kenë mundësi të shpalosin talentet e tyre.

Një pjesë e bulevardit do të përshtatet si një hapësirë për të shijuar patinazhin, ndërkohë që prezentë do të jenë edhe një grup animatorësh që do i japin më shumë atmosferë kësaj dite.

Axhenda e plotë e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës

10:00 – Workshope (Seanca Edukimi dhe Sensibilizimi për Ushqimin)

Workshop-e dedikuar edukimit dhe ndërgjegjësimit rrethqëndrueshmërisë ushqimore dhe objektivave të zhvillimit tëqëndrueshëm, duke promovuar praktika të shëndetshme dhe tëpërgjegjshme.

10:00 – Brown Zone

Workshop mbi drithrat dhe edukimin mbi bukën dhe konsumimin e saj. Fëmijët do të kenë mundësinë të marrinpjesë në procesin e përgatitjes së brumit.

10:00 –  White Zone

Workshop mbi akulloren dhe bulmetin duke theksuar rëndësinë dhe vlerat ushqyese që mbartin.

10:00 –  Green Zone

Panel Testi i Vajit të Ullirit: Specialistët do të prezantojnëdhe diskutojnë cilësitë e ullirit, si dhe përdorimet në gatim, duke ofruar një përvojë edukative dhe të këndshme.

10:00 – Flower Workshop

Fëmijët do të marrin pjesë në një ëorkshop për mbjelljen e luleve, ku do të mësojnë dhe të marrin pjesë aktivisht në procesin e mbjelljes. Çdo fëmijë do të ketë mundësinë të mbjellë lulen e vet dhe ta marrë atë në fund të aktivitetit.

10:00 – Demonstrime Gatimi dhe Kulinarie

Shefat e kuzhinës do të demonstrojnë teknika të ndryshmegatimi dhe receta të veçanta, duke ndarë sekretet e tyre me publikun.

10:00 – Degustimet e Ushqimeve Lokale

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë ushqimetradicionale shqiptare, duke përjetuar shijet autentike tëkuzhinës sonë.

10:00 – Galeria 01 – Panairi i Produkteve të Artizanatit

Ekspozitë me produkte artizanale ku mund të blihen produkte të ndryshme. Fëmijët dhe jo vetëm do të kenë mundësinë të krijojnë pocari dhe të pikturojnë mbi to.

10:00 – Street Art/Painting

Në bulevard do të vendosen rreth 30 kavaleta ku fëmijët mund të pikturojnë dhe të shprehin fantazinë e tyre, duke krijuar vepra të bukura arti.

10:00 – Patina

Hapësirë e dedikuar për të rinjtë dhe fëmijët që të shijojnë patinazhin, si dhe ëorkshop-e për ata që duan të mësojnë më shumë mbi këtë sport.

10:00 – Balona

Një zonë e veçantë që do ti ofrojë fëmijëve dhe prindërve mundësinë për të krijuar dhe ngjyrosur balonat që më pas do të ngrihen në qiell, duke sjellë gëzim dhe argëtim për të gjithë.

10:00 – Animatore Social

Një grup animatorësh social do të jetë prezent për t’i dhënë kësaj dite një atmosferë edhe më të gëzuar dhe të hareshme për fëmijët. Ata do të sjellin argëtim dhe energji pozitive, duke krijuar momente të paharrueshme për të vegjlit.

10:00 – Qendra Steam

Qendra Steam do të ofrojë një kënd të veçantë pikture që do të sjellë ngjyra dhe imagjinatë, duke e bërë ditën e tyre edhe më të veçantë dhe argëtuese.

10:00 – Tullumbace

Një nga gjërat që fëmijët duan më shumë janë tullumbacet. Do të kemi një stendë të veçantë ku fëmijët do të kenë mundësinë të luajnë dhe të kënaqen me tullumbacet, duke sjellë buzëqeshje dhe gëzim të pamasë.

Ja si ndryshon qarkullimi i automjeteve

Për qytetarët e Tiranës e shtuna e 1 qershorit do jetë “Ditë pa makina”, ku qarkullimi i automjeteve do të kufizohet gjatë një orari të caktuar.
Qarkullimi i automjeteve do të kufizohet nga ora 06: 00 deri në orën 17:00 në disa nga segmentet kryesore në kryeqytet, ndërsa është hartuar një plan i lëvizjes për mjetet e emergjencës dhe atyre të Policisë së Shtetit.
1.Kufizimin e qarkullimit të automjeteve, në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve për 1 Qeshorin 2024, nga ora 06:00 deri në orën 17:00, në segmentet e mëposhtme:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish- Hotel Dajti.
– Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ura e “Ish Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
Ndalohet parkimi i automjeteve në vendet e parkimit në perimetrin në afërsi të “Shkollës së Biçikletave”, në rrugën “Ahmet Pazari”, në rrugën “Dervish Hima” dhe në rrugën në krahun lindor të stadiumit “Air Albania”, në datën 1 qershor 2024, nga ora 06:00 deri në orën 17:00, me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit.
2.Qarkullimi i automjeteve të vazhdojë në rrugën “Ibrahim Rugova”, Bulevardin “Zhan Dark”, bulevardin Bajram Curri” dhe në rrugën ‘George.W.Bush”.
3.Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.
4.Linja Nr. 13 “Tirana e Re” dhe Linja Nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni Trenit” të devijojnë në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Continue Reading

Aktualitet

“Shqipëria si Italia në vitet ’70!” Politologu dënon sulmin ndaj avokatit

Politologu Alban Daci ishte këtë të premte i ftuar në një lidhje direkte për Euronews Albania ku dënoi sulmin e bërë ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Duke e krahasuar se sa të mbrojtur janë avokatët në vendin ku ai jeton, Daci tha se Shqipëria është si në vitet 70 në Itali.

“Unë mendoj se sot kemi një betejë mes dy kategorive. Betejë mes personave që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe atyre që duan ta devijojnë e ta anashkalojnë shtetin e të drejtës. Ndaj mendoj se situata në Shqipëri sot është e ngjashme për fat të keq me vitet ’70 në Itali, por shpresoj të mos jenë pasojat që ata patën”,-tha Alban Daci.

Ai shtoi se do të donte se fenomene të tilla kriminale të luftoheshin jo vetëm nga politika e nga ligjet, por edhe nga shoqëria shqiptare.

Continue Reading

Aktualitet

Akuzohet për pastrim parash, Apeli heq sekuestron e vendosur ndaj pasurive të biznesmenit Ago Gjolaj

Gjykata e Apelit ka vendosur që ti heqë sekuestron pasurive të biznesmenit Ago Gjolaj. Biznesmenit më 18 prill i sekuestruan një shoqëri tregtare, prona dhe llogaritë bankare si dhe 97 automjete. Gjolaj është nën hetim për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas Prokurorisë së Shkodrës, biznesmeni Ago Gjolaj ka dyshime se merret me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë si dhe është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, sipas Prokurorisë, Ago Gjolaj së bashku me dy vëllezërit e tij janë hetuar disa herë nga autoritet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme, si kontrabandë, tregtim mallrash kontrabandë, etj

Në pak javë hetime, ku u përfshinë edhe anëtarë të tjerë të familjes Gjolaj, Prokuroria e Shkodrës ngriti dyshime se biznesmeni dhe të afërmit e tij nuk justifikonin pasurinë e krijuar me burime të ligjshme. Nën këto dyshime dhe pas një analize të detajuar financiare, Prokuroria mori lejen e gjykatës për sekuestrimin e aseteve të tyre.

Nën sekuestro u vendos kompania “B.M” shpk, një objekt biznesi me sipërfaqe 2592 m2, 97 automjete të shoqërisë, si edhe shuma e parave në llogaritë e Sonjela Gjolaj bashkëshortja e biznesmenit, Ago Imer Gjolaj dhe subjektit tregtar. Por, tashmë ky vendim i Gjykatës së Shkodrës është rrëzuar nga Gjyaka e Apelit të Përgjithshëm.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Apelit:

Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2017, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga shqyrtimi i materialit kallëzues referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se në bazë të informacioneve dhe dokumentacionit te administruar, bazuar nëligjin nr. 108, datë 31.07.2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, rezulon se shtetasi A. Gj dyshohet se merret me kontrabandimin dhe tregëtimin e mallrave kontrabandë, si dhe është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Pare të Juridiksionit të Përgjithshem Shkodër, ka regjistruar procedimin pasuror të vitit 2024, në bazë të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.

Në këtë kuadër,Prokuroriaiështë drejtuar Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me kërkesën me objekt:Vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë si më poshtë vijon:

– Shoqerine tregtare “…” Shpk me Nipt: …..

– 97 automjete në pronësi të shoqërisë “….”

– Gjendjen aktuale në të gjitha llogaritë bankare (llogari rrjedhëse/depozita) të të gjitha bankave te nivelit të dytë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë në emër të A. Gj, S. Gj, si dhe “…” Shpk me Nipt: ……

– Caktimin e administratorit nga lista e ekspertëve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin datë 16.04.2024, ka vendosur:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

-Shoqerine tregtare “…” Shpk me Nipt: …..

– 97 automjete në pronësi të shoqërisë “…”

– Gjendjen aktuale në të gjitha llogaritë bankare (llogari rrjedhëse/depozita) të të gjitha bankave te nivelit të dytë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë në emër të A. Gj, S.Gj si dhe “….” sh.p.k me Nipt: ……

3. Për administrimin e këtyre pasurive ngarkohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

4. Dy kopje të këtij vendimi t’i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila të marra masa për ekzekutimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërënga kërkuesi me iniciale A. Gj, i cili kërkoi:

-Shfuqizimin e vendimit 16.04.2024 të Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Në përfundim të gjykimit, më datë 30.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:

-Ndryshimin e vendimit datë 16.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër si vijon:

-Rrëzimin e kërkesës, për vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë sipas kërkesës datë 09.05.2024.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Continue Reading
Advertisement

TRENDING