Pinknews
Në gjyq për fshehje të ardhurash? Xhensila Myrtezaj thyen heshtjen: Dinjitetin tim do ta mbroj…
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar publikisht për herë të parë pasi Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj saj dhe dërgoi dosjen për gjykim, nën akuzën e fshehjes së të ardhurave. Ajo mohon çdo shkelje dhe deklaron se të gjitha të ardhurat e saj vijnë nga aktiviteti artistik dhe janë të deklaruara pranë autoriteteve tatimore.
Përmes dy postimeve në rrjetet sociale, Myrtezaj paralajmëroi se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj personave që, sipas saj, shpikin ose përhapin informacione të pavërteta për të. Këngëtarja theksoi se ka zgjedhur të heshtë deri tani, por nuk do të lejojë që emri i saj të përdoret për përfitime apo klikime.
Ajo pretendon se nuk ka fshehur asnjë të ardhur dhe se paratë e siguruara nga koncertet dhe veprimtaria artistike janë faturuar përmes subjektit të saj tatimor. Sipas Myrtezajt, këto të ardhura janë të gjurmueshme edhe në sistemin bankar, ndërsa bashkë me studion ligjore që e përfaqëson do të paraqesë dokumentacionin për të kundërshtuar akuzat.
Këngëtarja kujtoi gjithashtu parimin e prezumimit të pafajësisë, duke nënvizuar se akuzat e ngritura ndaj saj nuk përbëjnë një vendim gjykate. Ajo kundërshtoi edhe publikimet për fshehje pasurie apo blerje pronash me burime të pajustifikuara, duke i cilësuar të pasakta.
Myrtezaj deklaroi se ka bashkëpunuar me organet tatimore dhe të drejtësisë dhe se do të vijojë të vërë në dispozicion çdo dokument të kërkuar. Ajo bëri të ditur se nuk do të ketë më komente publike për çështjen dhe se mbrojtjen e saj do ta paraqesë përpara gjykatës.
Reagimi i plotë i Xhensila Myrtezajt:
“Ditët e fundit, në rrjetet sociale dhe në media janë përhapur lajme për disa akuza të ngritura ndaj meje. Akuzat lidhen me mungesën dhe pasaktësitë në dokumentacionin për të ardhurat e mia, të cilat janë verifikuar nga organet tatimore për periudhën 2023–2024. Nuk mund të pranoj dhe nuk mund të toleroj që mbi emrin tim të ndërtohen tituj dhe shkrime për klikime. Me publikun kam ndërtuar një marrëdhënie që e çmoj shumë prej vitesh. Për këtë arsye, kësaj situate do t’i përgjigjem me qetësi dhe vendosmëri. Dinjitetin tim do ta mbroj me të njëjtën vendosmëri me të cilën do të mbroj qëndrimin tim. Deri më sot kam zgjedhur të hesht. Mjaft me përdorimin e emrit tim për klikime dhe përfitime. Ndaj kujtdo që shpik ose përhap të pavërteta për mua, do të veproj në rrugë ligjore. Do ta bëj këtë me qetësi dhe vendosmëri, në mbrojtje të emrit dhe të dinjitetit tim. E drejta për mbrojtjen e dinjitetit, të emrit dhe të imazhit tim garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga ligji. Askush nuk ka të drejtë t’i cenojë ato me tituj të pavërtetë. Unë nuk kam fshehur asnjë të ardhur. Të ardhurat e mia janë të ligjshme dhe vijnë nga veprimtaria artistike që ushtroj prej shumë vitesh. Ato janë faturuar përmes subjektit tim tatimor dhe janë lehtësisht të gjurmueshme në sistemin bankar. Me aktet dhe provat zyrtare që disponojmë, së bashku me studion ligjore që më përfaqëson, do të provojmë vërtetësinë e të ardhurave të mia dhe do të kundërshtojmë çdo akuzë dhe pretendim të ngritur ndaj meje. Figurën time publike e kam ndërtuar për më shumë se një dekadë me punë, sakrifica dhe korrektesë ndaj publikut, shtetit dhe ligjit. Karrierën time e kam ndërtuar me punën artistike dhe me respekt për publikun. Nuk do të lejoj kurrë që figura ime të njolloset nga tituj mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë. Akuzat që ngrihen nuk janë vendime gjykate. Kërkesa e Prokurorisë për deklarime të pasakta përmban pretendimin e njërës palë. Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Titujt që e paraqesin evazionin si fakt të provuar e shkelin këtë parim. Të ardhurat e mia janë faturuar në sistemin e shtetit shqiptar. Nuk ka mosdeklarim të të ardhurave. Nuk mund të fshihet ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore. Akuzat që ngrihen nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej meje. Shkrimet për “fshehje pasurie” apo për “blerje pronash me burime të pajustifikuara” janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Kam bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe me organet e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë, duke u vënë në dispozicion çdo dokument që kërkojnë për zbardhjen e së vërtetës. Çdo titull i pavërtetë dhe çdo foto e imja e përdorur për të ilustruar një akuzë të paprovuar më shkakton dëm moral, profesional dhe familjar. Emri im nuk është material për klikime. Jeta ime, puna ime dhe familja ime preken drejtpërdrejt nga këto publikime të pasakta. U kërkoj mediave dhe portaleve të mos përdorin emrin dhe figurën time në tituj që nuk pasqyrojnë të vërtetën. Nuk do të bëj më komente publike. Përgjigjen time do t’ua jap organeve të drejtësisë, ku do të paraqes provat se çdo e ardhur e imja është e ligjshme dhe e deklaruar sipas ligjit.”