Aktualitet
Vdekja e katër rusëve në Golem, pezullohen hetimet
Pezullohen hetimet për vdekjen e 4 turistëve rusë në Golem. Gazetarja Klodiana Lala raporton se Prokuroria e Durrësit ka pezulluar hetimet për shkak se Rusia nuk i ka kthyer përgjigje letërporosive
nga autoritet shqiptare përmes të cilës është kërkuar informacion për autopsinë e 4 viktimave. Po ashtu, drejtësia shqiptare kishte kërkuar informacion për të kaluarën e 4 rusëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 tetor 2021 në pishinën e mbyllur të një hoteli në Qerret, Kavajë, ku u gjetën të vdekur Sergei Burenkov, 60 vjeç, gruaja e tij Nataliia Burenkova, 58 vjeçe, vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe dhëndri Nikita Belousov, 37 vjeç.
Fillimisht u dyshua se 4 rusët humbën jetën nga helmimi prej klorit në pishinë, por kjo pistë u rrëzua më vonë. Sipas aktekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore të administruar nga Prokuroria rezulton se “në trupat e viktimave, u konstatua prania e monoksidit të karbonit në masën mbi 75 përqind”.
Bazuar në dëshmitë e punonjësve të hotelit, mësohet se katër turistët nuk kanë kërkuar të konsumojnë as pije dhe as ushqime nga hoteli. Reçepsionistja tregon se i ka pyetur nëse dy çiftet dëshironin të konsumonin pije, por ata kanë refuzuar. E njëjta punonjëse tregon se gjysmë ore më vonë ka shkuar sërish në katin e nëndheshëm dhe ka pyetur për të njëjtën gjë, por turistët i kanë kërkuar që t’i linin në privatësi.