Connect with us

Lifestyle

Shije nga amvisat…Byrek i zbuluar me kunguj të njomë

Byreku i zbuluar sipas traditës shkodrane, i njohur në disa zona edhe me emrin Lakuriq është një ndër shijet më të veçanta të kuzhinës tradicionale shqiptare tipike e zonave veriore, e konkretisht Shkodrës.

Amvisat shkodrane e gatuajnë në disa mënyra këtë recetë fantastike duke përdorur mbushje e shije të ndryshme, të ëmbla apo të kripura.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë dy receta fantastike të përgatitjes së byrekut të zbuluar me kunguj të njomë, një të ëmbël dhe një të kripur, që të dyja të shijshme në mënyra të ndryshme por që do t’ju tërheqin patjetër me shijen e tyre të veçantë.

Dy Receta – Një e Kripur, Një e Ëmbël  

Receta e Kripur

Përbërësit

  • 3-4 petë byreku të hapura vet ose të gatshme
  • 3-4 kunguj të njomë
  • 100 gr djathë të bardhë ose kaçkavall
  • 2-3 lugë miell gruri
  • 5-6 lugë qumësht
  • Vaj ulliri
  • 3-4 kokrra vezë
  • Kripë
  • Piper
  • 1-2 qepë të njoma

Përgatitja

Si fillim pastroni kungujt e njomë, dhe pritini në kubikë të vegjël ose feta shumë të holla. Grijini qepët shumë hollë.

Në vijim, AgroWeb.org ju këshillon të përgatisni mbushjen me kunguj të njomë.

Vendosini kungujt e njomë në një tenxhere në zjarr, kaurdisini për pak me vaj ulliri e më pas shtoni qepët e njoma. Kaurdisini së bashku dhe hidhuni një filxhan kafeje me ujë dhe lëreni derisa uji të avullojë.

Më pas, rrihni vezët në një tas, shtoni qumështin dhe miellin dhe përziejini të gjitha bashkë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme. Shtoni kripën dhe piperin gjithashtu.

Masën e vezëve me qumësht shtojeni tek tenxherja me kungujt e njomë dhe lëreni për 1 minutë në zjarr derisa masa të mpikset dhe në këtë mënyrë mbushja është gati.

Ndërkohë përgatisni petët e byrekut ose mund të përdorni edhe petë të gatshme.

Shtrojini në një tepsi të spërkatur me pak vaj dhe vendosini një mbi një duke u kujdesur që një pjesë të të tyre ta lini anash tepsisë për ta palosur në fund të mbushjes.

Secilën prej petave spërkateni me disa pika vaj ulliri kur ta shtroni.

Pasi keni shtruar petat, hidhni mbushjen dhe shtrojeni në të gjithë sipërfaqen e tepsisë, më pas palosni petët e mbetura anash tepsisë mbi mbushjen duke u kujdesur që në mes byreku të mbetet i zbuluar.

Futeni të piqet në furrën e parangrohur në 180 gradë derisa sipërfaqja e byrekut të marrë ngjyrën e kuqërremtë.

Receta e Ëmbël

Përbërësit

  • 3-4 petë byreku të hapura vet ose të gatshme
  • 3-4 kunguj të njomë
  • 2-3 lugë miell gruri
  • 5-6 lugë qumësht
  • Vaj ulliri
  • Gjalpë i freskët
  • 3-4 kokrra vezë
  • 1-2 lugë gjelle sheqer (sasia sipas preferencës)

Përgatitja

Procesi i përgatitjes së byrekut me kunguj të njomë në versionin e ëmbël është si më sipër vetëm ndryshon mënyra e përgatitjes së mbushjes.

Në këtë rast, kungujt e njomë pasi i keni prerë në kubikë apo feta vendosini të ziejnë për pak minuta në një tenxhere me ujë të valuar derisa të zbuten.

Më pas në tas rrihni vezët, shtoni shtoni sheqerin, pak gjalpë të freskët të shkrirë, qumështin dhe miellin dhe përziejini të gjitha bashkë.

Kungujt e zbutur kullojini nga uji, dhe shtojini tek masa e vezëve me qumësht dhe më pas vijoni përgatitjen e byrekut si në rastin e byrekut të kripur. Në fund spërkateni me pak gjalpë të freskët dhe futnei të piqet.

Advertisement