Politike
Berisha gjen një tjetër shkak për humbjen në 14 maj
Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë gjatë ditës së sotme duke pretenduar se për rezultatin e humbjes së thellë të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ shkak është bërë manipulimi i zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Sipas Berishës, janë përdorur për të votuar persona të cilët rezultonin se nuk kishin asnjë adresë dhe se votonin në më shumë se një qendër votimi. Ai i quajti këta persona ‘zgjedhës shëtitës’ të cilët PS i ka përdorur disa herë për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.
Ajo që dëshmon në përdorimin e fortë të këtij kontingjenti votues shëtitës ishte 6 marsi i vitit 2022. Me 6 mars në bashkinë e Durrësit votuan 67 mijë, pra numri i votuesve u përgjysmua. Por ajo që ndodhi në Durrës është se numri i votuesve të paidentifikuar u dyfishua, nga 5 mijë shkoi në 9600. Po në këtë qytet 3900 emigrantë që rezultonin se kishin votuar, asnjë prej tyre nuk kishte ardhur në Shqipëri, por ishin përdorur kartat e tyre të identitetit”- u shpreh Berisha.
Berisha shkoi më tej me shifrat duke thënë se numri i zgjedhësve siç i quajti ai ‘potencialisht shëtitës’ pra të paidentifikuar në të gjithë vendin ishte në shifrën e 547 mijë votuesve.
Ish kryeministri shtoi se të gjitha pretendimet janë dorëzuar në prokurori dhe se ndërkohë po vijon puna voluminoze për identifikimin e të gjithë atyre që sipas tij janë persona pa adresë të cilët kanë votuar në më shumë se një qendër votimi.