Rajon
New York Times për Veriun/ Aleati i Putinit kundër Kurtit
Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën këtë javë në veri të Kosovës, kur një pjesë e popullsisë serbe u përlesh me forcat paqeruajtëse të NATO-s, gjë që shkaktoi frikën e një përshkallëzimi më të madh të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, shkruan gazeta amerikane “New York Times”, e cila pas lidhjeve të presidentit serb Aleksandar Vuçic me grupin kriminal të Veljko Belivukut, tani po merret me ngjarjet në Kosovë.
Siç konstaton artikulli, Amerika dënoi në mënyrë të papritur sjelljen e Prishtinës zyrtare dhe bëri thirrje për de-përshkallëzim të menjëhershëm te situates. Ndërkohë, dy palët në konflikt e shfrytëzuan momentin kur vëmendja e aleatëve më të mëdhenj të Kosovës – SHBA-së dhe BE-së – është përqendruar në luftën në Ukrainë, për të krijuar kaos të ri, teksa dhe Serbia merr mbështetjen e Rusisë zyrtare. Dhuna erdhi pasi Qeveria e Kosovës dërgoi forca sigurie të armatosura rëndë për të marrë kontrollin e këshillit komunal të qytetit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i quajti përplasjet “të papranueshme” dhe tha se 700 trupa rezervë janë dislokuar në Kosovë për të ndihmuar misionin paqeruajtës atje, i cili përfshin edhe 3,800 trupa para konfliktit në Zveçan. Në përgjigje të dhunës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në një deklaratë të lëshuar nga kabineti i tij se ai e kishte vendosur ushtrinë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.