Connect with us

Aktualitet

Më pak vdekje nga tumoret, por janë shkaku i tretë i fataliteteve në Shqipëri

Sëmundet tumoriale mbajnë vendin e tretë në Shqipëri si shkaktar të humbjeve të jetës.

Por gjatë vitit të fundit janë ulur me 5.7% vdekjet si pasojë e tumoreve. Faktor ndikues për këtë ulje është edhe ndërgjegjësimi për kontrrollet tek mjeku.

“Edhe me statistikat e prodhuara sot nga INSTAT mund të konfirmojë që të paktën për kancerat ka një stabilizim të prirjeve për vdekshmërinë e tyre dhe nëse do ta shihnim si propocion ka një rënie”, tha Alban Ylli.

Gjatë 2022-shit nga thuajse 24 mijë vdekje, 3.233 prej tyre u shkaktuan nga tumoret, ose thënë ndryshe 13.5% e totalit të vdekjeve. Kanceri i mushkërive është ai më i përhapuri që po merr edhe më shumë jetë.

“Kanceri i mushkërive mbetet kanceri kryesor ashtu si në shumicën e vendeve të botës. Për fat të mirë edhe për atë shohim disa shenja jo vetëm stabilizimi por edhe të uljes së vdekshmërisë, sidomos të asaj të standartizuar sipas moshës. Kanceri i dytë i rëndësishëm mbetet kanceri i gjirit. Kanceri i zorrës së trashë duket se po bëhet kanceri i tretë i rëndësishëm në Shqipëri nga pikëpamja e rasteve të reja”, shtoi më tej ai.

Pirja e duhanit sipas ekspertëve është një nga faktorët kryesore që çon në shfaqen e tumoreve. Por jo vetëm, shoqëruar edhe me abuzimin me alkoolin, kequshqyerjen dhe mungesën e aktiviteteve fizike, bëhen ndikues të përkeqësimit të shëndetit.

“Për kancerin e mushkërive por edhe për shumicën e kancerave të tjerë nëpërmjet kontrollit të duhanpirjes, ne mund të bëjmë më shumë seç do të mund të bënte një armatë me mjek të specializuar dhe me ilaçe apo me teknologji. Për kancerin e mushkërive ai është shkaktari kryesor. Mund të parandalojmë rreth 70% të kancerave të mushkërisë në Shqipëri nëse askush nuk do të pinte duhan. Por ai mbetet shkak ose faktor risku më saktë për shumicën dërrmuese të kacerave të tjerë”, deklaroi Alban Ylli.

Gjysma e humbjeve të jetës të shkaktuar nga tumoret i përkasin moshës 65-79 vjeç ndërsa përqindja më e lartë e vdekjeve është tek burrat.

Vdekjet në Shqipëri gjatë 2022-shit: 23.998 vdekje në total.

Vdekje të shkaktuara nga grup-sëmundja “Tumoret”: 3.233 vdekje ose 13,5%.

Vdekjet nga tumoret sipas gjinisë: burrat-15.7% dhe gratë -10,8%./tch

Advertisement