Politike
“U tërhoqa se nuk doja luftë”, Basha shpreh besimin se…
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Lezhë, ku është shprehur se tërheqja e tij nga politika, u bë përkohësisht vetëm për të shpëtuar PD-në nga një luftë e brendshme.
Basha deklaron se Partia Demokratike është e vetmja forcë që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Natyrisht siç ka ndodhur edhe më parë, me mbështetjen e SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE-së.
Postimi i Bashës
Kënaqësi të zhvilloja sot një bashkëbisedim të hapur, pa asnjë kufizim dhe duke trajtuar çdo çështje me demokratë, qendrestarë e kontributorë në vite të Partisë Demokratike në Lezhë.
Lufta që nisi brenda familjes sonë për interesa personale të një personi dëmtoi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve. Unë e bëra përpjekjen time, duke bërë një hap pas për ta ndaluar këtë luftë, por asgjë nuk ndryshoi. Lufta vazhdoi, akuzat, mashtrimet ndaj meje dhe kujdo që nuk ishte dakord që ne të sakrifikonim marrëdhëniet me SHBA dhe Britaninë e Madhe për interesat e një personi, u shpall armik, i shitur, i blerë, peng e gjithëfarë lloj sulmesh.
Unë nuk i jam kthyer me të njejtën gjuhë, jo se s’kam çfarë të them, por sepse e dija se një luftë e tillë do të shkatërronte Partinë Demokratike.
Ajo që shpresova me tërheqjen dhe me heshtjen time nuk ndodhi! Gjërat u përkeqësuan edhe më tej. 14 maji e faktoi këtë!
Por sot është e qartë se çfarë i duhet Partisë Demokratike, se çfarë presin shqiptarët prej saj. Nuk ka asnjë dyshim që Partia Demokratike është e vetmja forcë që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Natyrisht siç ka ndodhur edhe më parë, me mbështetjen e SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE-së.