Connect with us

Aktualitet

SPECIALE l Rama, drejt përzgjedhjes për Asociacionin

Disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian, që thonë se kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”. Prandaj, sipas burimeve, “testi po analizohet me kujdes”. Por, në pyetjet se a do të merret parasysh ky draft, për të avancuar në dialog, këto burime kanë thënë se “ky tekst shihet si një kontribut në këtë drejtim, sikurse edhe drafte tjera që janë punuar deri me tash nga organizatat e ndryshme joqeveritare“. “Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”. Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me draftin e propozuar nga Shqipëria. Në BE thonë se, përveç drafteve të ndryshme, që janë paraqitur nga organizata të ndryshme, janë paraqitur edhe shumë “shembuj evropianë“, që mund të shërbejnë si model për të siguruar një model të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë.

Advertisement