Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kambanat që bien për Vuçiç/ “Pika e kthesës” në politikën e SHBA

Prej kohësh, sidomos pas tensioneve në veri të Kosovës, kudo u krijua ideja se Perëndimi ishte rreshtuar krahas Serbisë. Madje, presidenti serb u konsiderua si “i përkëdheluri i Amerikës”, pasi deri në një farë pike, Vuçiç dukej “imun” nga çdo kritikë apo goditje nga SHBA. Mirëpo, hezitimi për ta goditur Serbinë duket se fshihte nga pas një sërë arsyesh. Disa ekspertë mendonin se vjen për shkak të tentativës që atë ta shkëpusin përfundimisht nga ndikimi rus e kinez. Ndërsa disa të tjerë, se Perëndimi po e toleronte Vuçiç, pasi e shikon si të vetmen mundësi për të zgjidhur çështjen e Kosovës, pa mundur të gjejnë një figurë të përshtatshme nga opozita e vendit. Megjithatë, duket se gjithçka ka ndryshuar nga sanksionimi i Aleksandër Vulin, drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), nga Departamenti amerikan i Thesarit. Sipas Edëard P. Joseph, një ekspert i politikës së jashtme amerikane dhe pedagog në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, vendimi i administratës së Biden për të sanksionuar Vulin mund të jetë një “pikë kthese” dhe se më në fund qëndrimi amerikan ka ndryshuar. Presidenti serb u duk se “mori kusuret” e Vulin, kur tha se sanksionet ishin “përgjegjësi e tij”. Ai tha se arsyet e sanksioneve “nuk janë krimi, por marrëdhënia e Vulin me Federatën Ruse”. Megjithatë, sërish është treguar “kokëfortë”, dhe kurrsesi nuk ka pranuar ta shkarkojë Vulinin. Nuk dihet nëse qëndrimi i tij do të ndryshojë, me ndryshimin e qëndrimit të SHBA. Ndonëse DASH ka theksuar se këto sanksione janë ndaj individit, jo Serbisë, ka shumë deklarata dhe indikacione, që tregojnë se diçka fshihet përtej asaj që zgjedh Amerika të tregojë. Së fundmi, Senatori amerikan Chris Murphy tha se sanksionimi i Vulin është paralajmërim për Serbinë, që me sjelljet e saj po rrezikon integrimin europian. Ai tha se nëse Serbia dëshiron vërtet një të ardhme evropiane, nuk mund të ketë një shef të inteligjencës që komunikon hapur me Rusinë. “Unë do të doja që Vuçiç të shihte se sa i rrezikshëm është Vulin”, tha Murphy në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Advertisement