Shkrime
A do na kërkojë Greqia edhe “Bashkësinë e Komunave ‘greke’
Nga Ben Andoni
Ka qenë radha e deputetit grek Syrigos, që de jure, t’i tregojë problemet Shqipërisë dhe sërish të na kujtojë udhën e vështirë të integrimit evropian. E shpeshtë kjo, por akoma më e lodhshme sesi një problem i brendshëm shqiptar, shkakton kaq turbulli. Ndërkohë, që politikanët e dy vendeve tona shpesh na kanë kujtuar “marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona”. Sesi mund të jenë të shkëlqyera me kaq shumë pretendime nga pala greke, këtë vetëm politikanët shqiptarë mund t’i kuptojnë, që në vite i kanë harruar fare precedentët mes vendeve tona. Greqia shpesh na ka përballur me një politikë shumë të ashpër. Në një rast të tillë, një deklaratë e Ministrisë së Jashtme greke, na kthjelloi se: Greqia ka më shumë për të thënë në arenën ndërkombëtare se sa Shqipëria!!!
Le të vimë në kohët tona: Më 22 Dhjetor 2022, kryeministri i Shqipërisë Rama, i dha vendit një lajm “të madh” se në Derviçan do të ngrinte një bust të ish-kryeministrit grek Konstandin Micotaqis. Paradoksi ishte se figura e madhe që nuk ka bust në vendin e tij do të nderohej pikërisht në Shqipëri, brenda ‘hapësirës’ së “Vorio Epirit”, ku Elefteros Venizellos, ungji i tij, urdhëroi masakrimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve në Jug më 1914 dhe njeriu që krijoi konceptin e “Autonomisë së Vorio Epirit”. Pak ditë më parë kësaj date, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, botohej mesazhi i urimit të ish-Ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, përcjellë diplomatëve shqiptarë, ku mes të tjerash cilësohej tekstualisht se “Skënderbeu është hero kombëtar i dy vendeve tona”. Për fatin e keq, ne që entuziazmohemi edhe me lajmin më të paprovuar se jemi më të vjetrit (?!), me gjuhën po me të vjetër (?!) na kaloi gati i paprekur një lajm i tillë. Kuptohet se barra e një përgjigje i binte Akademisë së Shkencave, paçka se në këtë rast duhej që edhe instanca më të ulëta dhe studiues t’i përqaseshin si duhet problemit. Kuptohet heshtje. Vargu i ndodhive dhe precedentëve në vite është i madh, por asaj i mungon gjithnjë pariteti nga pala shqiptare dhe një ndjesi e vazhdueshme inferioriteti.
E fundit ishte ajo që lidhet me deputetin grek Syrigos dhe paralajmërimet që po i bën Shqipërisë e gjithë politika greke. Në fakt, një faj i nisur nga personazhet e politikës që e vendosën në këtë pozicion Belerin, pavarësisht faktit se Himara ka shumë e shumë personazhe më të spikatura dhe me më shumë integritet.
Dhe, se ku arrin paradoksi e kupton nga kuraja e këtij personazhi, që duhet të përballet me gjyqësorin shqiptar. Beleri i kërkon nga burgu kryeministrit grek Micotaqis të ndërhyjë që ai të betohet si kryebashkiak i Himarës ‘për të ndaluar grabitjen e pronës greke’. Në një shënim në Facebook bëhet me dije se ia ka përcjellë këtë kërkesë kreut të qeverisë greke përmes deputetit Angelos Syrigos, i cili e takoi në burg pak ditë më parë: “I kërkova Angelos Syrigos që t’i përcjellë kryeministrit grek vendimin tim, i cili është gjithashtu një kërkesë e të gjithë banorëve të Himarës, për të marrë detyrën e kryetarit të bashkisë sa më shpejt të jetë e mundur për të ndaluar grabitjen e pronave greke”, shkruhet nga Beleri në statusin e tij.
Po pse të gjitha në kohën e Micotaqit Junior? Ka realisht një intensifikim të një qëndrimi shumë më të vendosur të Greqisë në kërkesat e saj. Pak muaj më parë, në ditët e festës tonë kombëtare, madje një përvjetori të nderuar si 110 vjetori i Pavarësisë, kryeministri grek shpalli se do të zhvillonte një vizitë në tre komuna “greke”! Paradoksi është se ky turne që do të zhvillohej në tre komunat “greke” bëhej pa bërë më parë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në fakt, e lidhte një fill gati i padukshëm: Vizita shkonte si kohë pas vizitës së fundit zyrtare të kryeministrit Karemanlis më 2009, asokohe kohë që lidhej me Marrëveshjen e Detit, që do të krijonte aq shqetësime vendit dhe politikës në përbaltjet patetike. Kuptohet se qeveria shqiptare ia dha lejen dhe ia lehtësoi gjithçka në këtë vizitë, paçka se kryeministri shqiptar nuk e shoqëroi kolegun e tij. Nuk do të jetë e largët dita kur autoritetet greke të kërkojnë realisht “Bashkësinë e komunave greke”, shkroi ato ditë një nga analistët tanë më të njohur të Ballkanit, Shaban Murati.
Po Shqipëria? A ka ardhur koha të kemi disa paritete reale? Po Çështja Çame, një plagë aq e madhe mes dy vendeve tona? Nëse strukturat evropiane nuk do të reagonin ndonjëherë, atëherë do dukej e tepërt. Në fakt, ishte Komisioni Evropian, i cili pranoi më 29 Shtator 2016, nëpërmjet qëndrimit të shprehur më emër të Komisionit në Parlamentin Evropian nga atëherë ish-komisioneri i lartë i BE-së për Zgjerimin Johannes Hahn, se çështja çame ekzistonte dhe se ajo përbënte një të tillë, që kërkonte zgjidhje mes dy vendeve tona. Një nga qëndrimet më të jashtëzakonshme të këtij institucioni, e cila nuk mori jetë nga apatia e diplomacisë dhe qeverisë shqiptare për ta adresuar si duhet.
A janë premisa të mira, tashmë në këto kushte? Ekziston një Traktat Miqësie dhe i Sigurisë së vitit 1996, që skadonte në fund të vitit të 2022 pas shtyrjes më 2017 dhe, që tashmë kërkohet për një shtyrje të re deri në vitin 2028. Kjo është një kërkesë që Shqipëria duhet ta përcjellë, ashtu si është edhe diskutimi i autoriteteve të dy vendeve tona për Marrëveshjen e premtuar Greqisë për ia lënë sëbashku zgjidhjen e çështjes së Detit autoritetit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe, ndodhitë pas rastit “Beleri”, po na tregojnë se Shqipëria duhet të mendojë mirë se ka ardhur koha që Çështja Çame duhet përballur me të gjithë forcën e saj. Dhe, mbi të gjitha, duhet sqaruar institucionalisht mes vendeve tona çështja e minoritetit grek, me të cilën Greqia na bën presion vazhdimisht. Rasti “Beleri” po na ritregon sensibilitetin e tepruar të Greqisë madje edhe duke ndërhyrë hapur në çështjet tona të brendshme.
Në momente të caktuara, Kryeministri Edi Rama i ka testuar këto marrëdhënie me pohime të guximshme, si ajo kur u shpreh se: Athina i detyrohet shumë popullatës shqipfolëse apo kur theksoi shpëtimin e Akropolit nga ndërhyrja e Arqipeshkvit Gjergj Dushmani.
Edhe njëherë rasti “Beleri” na ka treguar se asimetria jonë në marrëdhënie është e madhe, megjithë lëshimet tona sistematike. Kujtojmë ngritjen e varrezave greke në vend dhe disa raste kur Shqipëria është tërhequr, kur ndërkohë në Greqi mbetet ende në fuqi Ligji i Luftës së vitit 1940, një Ligj, që sjell ende shumë pasoja, paçka se diplomacia mundohet ta minimizojë përmes ekzistencës së Traktatit të Paqes. Është pikërisht ky ligj dhe pasojat e tij, që ka shkaktuar shumë herë jo thjesht konflikte diplomatike ndërmjet dy vendeve, por gati edhe kulmime të rrezikshme si ato pas Luftës së Dytë dhe ato në vitin 1968, kohë kur gjendja ndërmjet dy vendeve shkoi në përshkallëzim të frikshëm.
Megjithatë, ky insistim dhe fryrja e vazhdueshme e gjërave të bën të kuptosh se aspirata e “Komunave greke” në Shqipëri nuk është e largët dita kur do të ngrihet me forcë dhe me insistim. Deri më atëherë, Shqipëria ka përballë sfida aspak të vogla, ku politika duhet të bashkohet. Edhe ky rast, në dukje i vogël, po nxjerr shqetësimin për “pronat greke”, paradhoma e njëlloj Bashkësie të “Komunave Greke” (!) . Beleri ka ‘meritën’ se na paralajmëroi, qoftë edhe aty në burg, ku mbahet me një akuzë të rëndë. (Homo Albanicus)