Kosova
Tragjedia e zgjedhjeve/ Aman më bëj presidente, aman më lër kryetar dhe më merr në qeveri
Ndërkohë Kosova priste një alternativë që nuk erdhi dhe askush nuk hyri në zgjedhje për ta mundur Albin Kurtin
“Pas çdo zgjedhjeje ekziston një moment i shkurtër heshtjeje kur politika detyrohet të shohë veten në pasqyrë. Është ai çast kur propaganda pushon, duartrokitjet e militantëve zbehen dhe numrat mbeten të vetmit dëshmitarë të së vërtetës. Në Kosovë, ky moment po shmanget me një energji të pazakontë. Në vend të reflektimit po dëgjojmë arsyetime. Në vend të analizës po dëgjojmë vetëngushëllim. Dhe në vend të pyetjes se pse opozita nuk fitoi, po dëgjojmë shpjegime se pse Albin Kurti paska humbur disa mijëra vota. Ky është paradoksi më i madh i këtyre zgjedhjeve” – Keshtu shprehet ne nje editorial analisti Baton Haxhiu
Sipas tij, Vetëvendosje humbi vota. Pas gjashtë vitesh pushtet, pas krizave të njëpasnjëshme institucionale, pas zgjedhjeve të përsëritura, pas përplasjeve me aleatët perëndimorë dhe pas një qeverisjeje që në shumë fusha nuk prodhoi rezultatet e premtuara, rënia e saj ishte e pritshme.
“Dhe pikërisht këtu fillon problemi i madh politik i Kosovës. Sepse kur partia në pushtet bie dhe opozita nuk ngrihet, atëherë nuk kemi vetëm konsumim të qeverisë. Kemi krizë të alternativës. Vjosa Osmani doli me bindjen se rezultati i saj është argument i mjaftueshëm për një mandat të ri presidencial. Lumir Abdixhiku doli me bindjen se katër humbje zgjedhore mund të shndërrohen në sukses nëse mes tyre ekziston një rritje statistikore. Ndërsa PDK po përpiqet të paraqesë stabilitetin e saj si fitore, edhe pse nuk arriti të bëhet alternativa që qytetarët prisnin. Nëse i lexon me kujdes deklaratat, krijohet përshtypja se secili flet për problemin e vet personal dhe jo për problemin politik të Kosovës” – ka theksuar Haxhiu duke potencuar: Kjo ndoshta edhe tragjedia e zgjedhjeve, sepse një qeveri e konsumuar mund të humbasë vota, por ajo nuk largohet kurrë nga pushteti derisa përballë saj të dalë dikush që kërkon fitoren më shumë sesa shpëtimin e vet.