Kosova
Populizmi qorr dhe gremina/ Analisti Agon Maliqi godet Albin Kurtin
Analisti Agon Maliqi, ka reaguar pas takimit të djeshëm mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vucic, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Ai u shpreh se Kosova te Bashkim Evropian, ka hasur gjithmonë një raport asimetrik për shkak të vendeve mosnjohëse, asimetri e cila është thelluar edhe më shumë me largimin e Britanisë së Madhe nga Unioni.
Por sipas Maliqit, kjo asimetri është thyer përmes koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se ky parim u thye edhe dje pasi Qeveria vendosi të konfrontohet dhe t’i mbajë ligjerata SHBA’së.
Analisti nga Kosova është shprehur gjithashtu se për të fituar pikë me metoda populiste dhe për të ushqyer dalldinë nacionaliste, me aventurat e njëpasnjëshme në veri, hap pas hapi Qeveria e Albin Kurtit ka gërryer dhe ka shkatërruar besimin dhe kredibilitetin te të gjithë aleatët e tjerë, përfshi edhe Gjermaninë.
Maliqi tha se Albin Kurti ka mbetur në një rrugë qorre e cila është përfundimi logjik i populizmit qorr.
“I mbetur i vetmuar dhe pa mbështetje, tani Kurti po ankohet me mirëkuptimin perëndimor për Vuçiçin; izolimin ndërkombëtar dhe sovranitetin prej letre në veri që po shkon drejt protektoratit ndërkombëtar” – ka deklaruar Agon Maliqi