Kosova
Vrasja e policit në veri, Milan Radoiçiç dyshohet të jetë plagosur dhe po trajtohet në Serbi! Në xhipin e tij u gjetën edhe targa false të KFOR-it
Krimineli serb, Milan Radojiçiç, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, dyshohet të jetë plagosur.
Ndërkohë Ministri Sveçla i ka kërkuar Serbisë që t’i dorëzojë Kosovës 6 persona që sulmuan Policinë e Kosovës, të cilët po mjekohen në Novi Pazar.
Policia e Kosovës, në aksionin e saj antiterrorist në Banjskë, sekuestroi një automjet të tipit xhip mercedes, e që i njëjti mbante logo false të KFOR-it.
Sipas gjetjeve të policisë, xhipi i takon kriminelit serb, Milan Radojiçiç, nënkryetarit të Listës serbe, subjektit politik më të madh të serbëve në Kosovë, informon klankosova.
Nga ana tjetër sipas medias kosovare në xhipin e Radojiçiçit u gjetën edhe targa false të automjeteve të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Ende asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht, por ajo çfarë dihet është se dokumente të tij u gjetën në makinat e sekuestruara nga Policia e Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të hetimeve të deritashme disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, organizata këto që Kosova i ka shpallur si terroriste më herët gjatë këtij viti.