Kosova
Konflikti do nisë nga Kosova/ Alarmi i kuq i Kuçit
Sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, Serbia është e gatshme çdo herë që të hidhet në aksion ndaj Kosovës dhe se ajo ka pritur vetëm momentet e përshtatshme rajonale dhe globale.
“Synimi i Rusisë është rikthimi i perandorisë sovjetike dhe ky synim njihet nga viti 2004 dhe në këto plane hynë edhe Serbia. Kjo e fundit me ndihmën e Rusisë do provojë çdo lloj mundësie që të ndezë luftë në Ballkan pasi në momentin e një përplasje të tillë ballafaqimi global bëhet edhe më serioz dhe kompromisi e influenca Ruse më e madhe. Pra, në momentin që fillon një luftë në Ballkan, bazuar në forcën e zgjidhjes së luftës, Rusia nëpërmjet Serbisë do shtrijë influencën e saj në Ballkan dhe do të prekë bazën gjeopolitike të Rimlandit perëndimor” – deklaroi Gurakuç Kuçi, sipas të cilit,
“E gjithë kjo mund të fillojë nga Kosova, për të kaluar në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni por kjo nuk do lë pa prekur edhe tjera shtete të cilat kanë interesa në formë të ndërlidhur tek shteti fqinjë, si p.sh. Bullgaria në Maqedoni, Greqia në Shqipëri, e kështu më radhë”
Më tej Kuçi, ashtu siç paralajmëroi edhe kryeministri Kurti, tha se nëse nuk merren tani masa ndaj Serbisë, atëherë do të ketë edhe më tej shtrirje të ndikimit rus në Ballkan.
“Nëse “politika e paqëtimit” e perëndimit vazhdon të dominojë në Ballkan, atëherë e ardhmja do jetë me shtrirje më të madhe të Rusisë në Ballkan dhe Ballkani vërtet do jetë kaosi i radhës pas Lindjes së Mesme. Synimi është që perëndimi të angazhohet në sa më shumë beteja që të dobësohet vazhdimisht. Perëndimi duhet që brenda një periudhe fare të shkurtër të anëtarësojë Kosovën në NATO dhe të hapë edhe një bazë ushtarake në veri të vendit” – deklaron Kuçi, duke shtuar se “kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet nga politikanët në Kosovë e as nga kryeministri për të përhapur panik në masë dhe të krijojnë rrethana politike elektorale të dëmshme për demokracinë”.