Shkrime
Ju duhet një prift, jo një federatë
Nga Skënder Minxhozi
Mesa duket opozita e sotme ka vendosur të merret me gjithçka, përveçse me krizën e vërtetë që ka brenda vetes. Shpikin e sajojnë gjithfarë debatesh e propozimesh sterile, fajësojnë njëri-tjetrin më shumë se qeverinë dhe mbi të gjitha, merren nga mëngjesi në darkë me fatin personal të Sali Berishës dhe familjarëve të tij. Opozita e sotme është një grusht burrash që s’i ndjek më askush nëpër sheshe, por ama kanë pas vetes plot gazetarë e kameramanë që duan të mbushin ekranet dhe mediat me lojën hipokrite të të djathtës shqiptare drejt një horizonti që askush se di çfarë forme ka. Kjo anije pa vela dhe busull shkon tashmë nga ta çojë era.
Një propozim i fundit që nuk del nga standarti i mësipërm, është ai i krijimit të një federate opozitare. Një kopje e klonuar e trenit të dikurshëm elektoral që formonte Berisha, kur kishte vulën dhe stemën e shtetit (dhe të partisë) në xhep. Kryetarë partish të vogla, edhe ata të lodhur e konsumuar po aq sa Basha e Berisha, po bëjnë thirrje në shkretëtirë që të lihen mënjanë diferencat mes PD-ve të ndryshme e të krijohet një front që do të bashkojë numrat dhe forcat përballë sulltanit të kuq Edi Rama.
Krerët e vegjël bëjnë sikur nuk e shohin që mes tyre, më saktë në mes të partisë më të madhe opozitare, është ulur këmbëkryq Amerika. E kjo është një rrethanë e palëvizshme, afatgjatë dhe me pasoja të thella në shtëpinë politike të PD, siç e tregoi 8 janari dhe gjithë çfarë erdhi më pas. Përjashtimi kategorik i Sali Berishës, që Uashingtoni i ka imponuar PD së sotme, është një tërmet që ka prodhuar lëkundje të forta për të gjithë panelin opozitar. Godina e opozitës së dikurshme, ku të gjithë vinin e mblidheshin rrotull “klloçkës” PD, ka qenë vërtetë një formulë fitimtare përballë një PS-je më të madhe në numër votash se partia e Berishës. Por ai eksperiment elektoral dikur i suksesshëm sot është thjesht i pareplikueshëm.
Bashkë me Berishën e Bashën, sot janë të konsumuar edhe një gjysëm dyzine kryetarësh të partive më të vogla, ku rregullat e trukuara të lojës dhe mungesa e vëmendjes publike, kanë bërë që ata t’i trajtojnë siglat e tyre modeste si bahçe personale. Edhe këta personazhe që vijnë nga fillimet e tranzicionit në dekadën e fundit të shekullit të shkuar, janë tashmë në fund të rrugës së tyre. Do të kishte gjithë kuptimin e botës një tërheqje dinjitoze e të gjithë atyre shefave opozitarë që pas 30 vjet qëndrimi në politikë dhe pas 10 viteve të kaluara nga një humbje në tjetrën, të hapnin krahun.
Federata e opozitës është një propozim i vjetër në një kontekst të ri. Hyrja në lojë e amerikanëve dhe SPAK, si “krahu ushtarak” i tyre, ka nxjerrë në plan të parë rinovimin imediat të skenës politike. Truke të tilla si kjo federatë që s’ka asnjë shans të marrë jetë, janë thjesht përpëlitje jashtë kohe dhe hapësire. Me të tillë mendësi dhe kokë të kthyer pas, ju duhet një prift a hoxhë që t’ju ndriçojë mendjen, më shumë sesa një federatë.