Connect with us

Rajon

Berlini godet ashpër Vuçiçin për zgjedhjet, përmendet kërcënimi dhe blerja e votës

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka reaguar për zgjedhjet në Serbi, që u mbajtën 17 dhjetor, të cilat i ka fituar partia e presidentit serb, Aleksandër Vuçië, teksa OSBE/ ODIHR ka evidentuar një mori shkeljesh, te cilat përfshijnë keqpërdorime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votës.

Për Gjermaninë një gjë e tillë është e papranueshme, e sidomos kur Serbia është shtet kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka votuar, por OSBE-ODHIR raporton keqpërdorime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votës. Kjo është e papranueshme për një vend me status kandidat në BE” –  thuhet në njoftim.

Ndërsa Koalicioni opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës” ka denoncuar votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të vendit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e lokale .

“Duke pasur parasysh se më shumë se 40 mijë persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në Beogradi dhe përsëritje të votimit”, ka thënë Mirosllav Aleksiç, njëri nga liderët opozitarë.

 

 

Advertisement