Connect with us

Rajon

Vuçiç: Asnjë revolucion s’do të ndodhë në Serbi, protestuesit do të arrestohen

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për shtyp pas protestës masive të opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” të dielën në kryeqytetin serb, kërkoi nga qytetarët serbë të mos shqetësohen, sepse, sipas tij, asnjë revolucion nuk është duke ndodhur në Serbi, dhe ka paralajmëruar arrestimin e disa prej protestuesve.

Një protestë e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” është duke u zhvilluar për momentin para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb, derisa qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve, raportojnë mediat serbe.

“Mos u shqetësoni, sepse nuk ka revolucion, asgjë nuk do të ndodhë. Në këtë moment, bashkë me ata që tentojnë të hyjnë në Asamblenë e Beogradit, janë gjithsej rreth 1195 persona, njëkohësisht dua t’ju ​​them se disa kanë treguar fytyrën, kanë treguar se dhuna është e vetmja mënyrë për të luftuar kundër kundërshtarëve politikë”, pretendoi presidenti serb.

“Ne e kemi paralajmëruar edhe faktorin e huaj, shumë prej tyre janë treguar naivë, nuk kanë dashur as të dëgjojnë e as të shohin se çfarë po përgatitet. Ne nuk do t’i lejojmë ata të shkatërrojnë shtetin. Serbia është mjaft e fortë, institucionet mund të mbrojnë Serbinë dhe Beogradin. Banditët do të dalin para drejtësisë”, shtoi ndër të tjera Vuçiç.

Policia, sipas raportimit të mediave në terren, hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, megjithatë Asambleja e Beogradit mbetet e bllokuar nga protestuesit, kërkesa e të cilëve është anulimi i zgjedhjeve dhe shpallja e një cikli të ri zgjedhor për shkak të parregullsive të raportuara gjatë procesit të votimit, veçanërisht në kryeqytetin serb. Besimi i qytetarëve serbë ndaj listës së partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, vetëm ka konfirmuar se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal.

Advertisement