Rajon
Edward Joseph analizon atë që po ndodh në Serbi
Gjatë ditës së djeshme, pakënaqësia qytetare me regjimin e Vuçiçit dhe me zgjedhjet në Beograd shpërtheu keq. Dhjetëra të lënduar, dhe paralajmërime se do të ketë edhe më shumë protesta gjatë ditëve në vijim. Këtë situatë e ka komentuar në mënyrë kritike edhe profesori amerikan Edward Joseph.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, menjëherë e cilësoi si të porositur protestën që rrodhi spontanisht. Ndërkohë, për çdo kritikë është edhe reagimi brutal i Policisë së Serbisë ndaj qytetarëve të pakënaqur” – ka shkruar Joseph, i cili e vlerëson një fakt të tillë si “stres që po rritet ndaj Serbisë… dhe ndaj ShBA-ve.”
Ai i ka përmendur edhe disa prej lëvizjeve të Vuçiçit, siç ishte edhe takimi me ambasadorin rus në Beograd një ditë pas agresionit ushtarak në Banjskë. Njësoj pritet të bëjë sërish sot, nesër e në vazhdim, ditë pas protestave të dhunshme.
“A është ky refleks i liderit serb i cili do që vendi i tij të “anëtarësohet në familjen perëndimore të kombeve?” – pyeti Joseph.
Por, profesori amerikan përmend edhe një tjetër karakteristikë interesante të asaj që po na e zbulojnë zhvillimet e fundit.
“Kërcënimi standard i Vuçiçit ndaj diplomatëve perëndimorë është “mos më bëni presion tepër shumë, ose do të përballeni me tipat pro-rusë që janë përnjëmend të çmendur.” Në këto zgjedhje, Vuçiçi dhe SNS-ja “mbi-arritën” – dhe Vuçiçi mbi-dominoi – që nënkupton se Vuçiçi ka përgjegjësinë i vetëm.”
Profesor Joseph vlerëson se për aq kohë sa protestat do të vazhdojnë, do të rritet stresi edhe ndaj zyrtarëve të ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian.