Lifestyle
Puberteti te vajzat, ç’duhet të dinë nënat
Puberteti, ose siç njihet ndryshe mosha e pjekurisë seksuale, shoqërohet më ndryshime të shumta fizike dhe psikologjike tek njeriu. Nëse në të kaluarën puberteti dhe adoleshenca koincidonin me njëra-tjetrën, sot nuk është më kështu. Studime të shumta kanë treguar se mosha e fëmijërisë sa vjen dhe shkurtohet, ndërsa puberteti nis gjithnjë e më herët duke shkaktuar një disbalancë mes zhvillimit fizik dhe atij mendor.
Elida Gjata, mjeke gjinekologe, flet për arsyet e një fenomeni të tillë, ku liston krah faktorit gjenetik, një sërë faktorësh të tjerë. Ajo gjithashtu flet edhe për komunikimin nënë-bijë gjatë kësaj faze, duke e cilësuar si një nga elementët më të rëndësishëm, ku nuk kursen dhe këshillat.
Kur nis periudha e pubertetit tek një femër, dhe si ka ndryshuar kjo ndër vite?
Puberteti tek femrat, i nënkuptuar si shfaqja e menstruacioneve të para, ndodh me shpesh rreth moshës 12-13 vjeç. Teoria e ndikimit të faktorëve raciale dhe klimaterike sot e ka humbur një pjesë të vlerës së saj. Më tepër i mëshohet faktorëve gjenetikë, statusi i shëndetit, lloji i ushqyerjes dhe kushteve social-ekonomike të ambientit. Në fakt, në familjet e mëdha dhe me probleme sociale, puberteti manifestohet më vonë. E kundërta ka ndodhur në vendet me përmirësim të vazhdueshëm të kushteve të jetesës së popullsisë, ku në më pak se 100 vite vihet re një ulje e ndjeshme e moshës së shfaqjes së pubertetit prej 3-4 vitesh.
Cilët janë faktorët që e kanë sjellë këtë ndryshim?
I përmenda dhe pak më lartë, por ndoshta është me interes për lexuesin të kuptojë diçka më tepër. Përveç faktorit gjenetik që trashëgohet në mënyrë rastësore, është shumë e rëndësishme të kuptohet që kushtet në të cilat rriten vajzat e vogla luajnë një rol të konsiderueshëm në shëndetin e tyre. Vlen të përmendet ushqyerja jo e shëndetshme e mbështetur në kulturën globale të fast-food-it, duke përjashtuar krejt ose disi perimet, frutat e zarzavatet, përdorimi i ushqimeve të pakontrolluara, të stimuluara me hormone, jeta sedentare pa sport e lëvizje, obeziteti gjithnjë e në rritje, stresi në adoleshencë dhe ngacmimet në shkolla, familje me vështirësi ekonomike, prindër jo të pranishëm dhe mbështetës etj.
Cilët janë ndryshimet kryesore që pëson trupi i femrës në këtë periudhë?
Menstruacionet e para paraprihen nga shfaqja dhe modifikimi i shenjave seksuale sekondare. Shenja e parë është ngritja e aereolës së gjirit, zakonisht rreth moshës 10 vjeç. Kjo tregon për fillimin e prodhimit të estradiolit (hormoni kryesor femëror) nga ovari (vezorja). Më pas zhvillohen gjinjtë, të cilët kanë formë e vëllim të ndryshëm, sipas racës, familjes, karakteristikave trupore, tipit të ushqimit, aktivitetit sportiv. Qimëzimi pubik shfaqet zakonisht disa muaj pas fillimit te zhvillimit të gjinjëve, qimëzimi aksilar ndodh më vonë (1-2 vjet me vonë) dhe arrin stadin adult për 2-3 vjet. Ndryshime ndodhin edhe në gjenitalet e jashtme, në lidhje me modifikimin e formës, ngjyrës dhe konsistencës së tyre. Karakteristike në këtë periudhë janë dhe disa sekrecione të pakta, të bardha, që janë shenjë e aktivitetit hormonal, pra krejt normale.
Ardhja e menstruacioneve të para është momenti më domethënës për arritjen e pjekurisë femërore, zakonisht 2 vjet nga fillimi i zhvillimit të gjinjve. Vlen të përmendet se ciklet e para të menstruacioneve mund të jenë të parregullta, qoftë në intervalin mes tyre, qoftë në kohëzgjatje, apo në sasinë e gjakut të humbur. E gjitha kjo është krejt fiziologjike. Po kështu, në periudhën pubertale vihet re një rritje e dukshme strukturale, e cila ndërpritet pas rreth 4 vjetësh nga menarka.
Kur duhet të shkojë një vajzë tek gjinekologu?
Nuk ka një moment ideal për vizitën e parë tek gjinekologu. Nëse menstruacionet pak a shumë paraprihen nga ndryshimet seksuale sekondare normale dhe me karakteristikat e përshkruara me sipër, nuk ka asgjë të domosdoshme për të shkuar te mjeku. Përkundrazi, mosardhja e menstruacioneve është shkak shqetësimi dhe kërkon këshillim mjekësor. Nëse shenjat seksuale sekondare janë të pranishme, mund të presim deri në moshën 18 vjeç. Nëse ato mungojnë, patjetër duhet shkuar te mjeku që në moshën 16 vjeç. Po kështu, në raste të rralla, menset e para mund të shoqërohen me hemorragji abondante dhe që mund të çojnë në anemizim të adoleshentes. Edhe në këtë rast patjetër duhet shkuar te mjeku për të korrigjuar problemin. Fillimi i marrëdhënieve seksuale tek vajzat duhet të pasohet me një vizitë tek gjinekologu patjetër, për një kontroll dhe për të përcaktuar metodën kontraceptive.
Sa i rëndësishëm është komunikimi nënë-bijë para dhe gjatë kësaj faze?
Puberteti tek vajzat është një moment shumë i rëndësishëm për jetën e tyre, ku ndryshimet hormonale shoqërohen me modifikime në trupin e tyre dhe reflektohen edhe në ekuilibrin psikik. Brenda 3-4 vitesh, ato transformohen nga fëmijë në gra. Ky rrugëtim nuk është i lehtë. Dhe komunikimi me nënën, apo me familjen në përgjithësi, është tepër i rëndësishëm, ndonëse, me thënë të vërtetën bëhet shumë i vështirë. Adoleshenca karakterizohet nga vështirësi në mendimin racional, shpërthime vend e pa vend, pasiguri të lidhura me transformimin e trupit dhe pranimin e këtyre ndryshimeve, etj. Raporti me familjen bëhet konfliktual, kulmon rebelizmi dhe kërkesa për pavarësi. Familja ka detyrë delikate ta bashkëshoqërojë adolenshenten në këtë fazë aspak të lehtë, të mundohet të jetë suportive, por dhe e kujdesshme ndaj shenjave që mund të jenë pararendëse të depresionit, anoreksisë etj. Dhe kjo nuk fillon ditën e menstruacioneve të para, por që në vegjëli.
Çfarë duhet të dinë vajzat për ardhjen e ciklit dhe si duhet të përkujdesen ato?
Sot informacioni është shumë kollaj i mundshëm, por është shumë e rëndësishme që ato ta marrin nga burimet e duhura. Familja dhe shkolla janë dy vendet kryesore të marrjes së këtij informacioni. Duhet t’i jepet rëndësi mbajtjes pastër të trupit, ndërrimit të shpeshtë të pecetave higjienike, këshillave për qetësimin natyral të dhimbjeve shoqëruese të barkut, si duhet të ushqehen gjatë ditëve të ciklit, sasia e lëngjeve që duhen konsumuar etj.
Përdorimi i pecetave ditore, si mund t’i përzgjedhim ato të duhurat?
Pecetat higjienike duhet të jenë mundësisht të pambukta ashtu si dhe të brendshmet. Duhen shmangur sa më shumë ato me përmbajtje sintetike. Ky mund të jetë një moment i rëndësishëm i komunikimit nënë –bijë për cilësinë, shpërndarjen e tyre sipas fluksit menstrual, etj.
A këshillohet përdorimi i qetësuesve menstrualë?
Pothuajse gjysma e vajzave kanë dhimbje të lehta barku ose mesatare para ose gjatë menstruacioneve. Vetëm një përqindje e vogël e tyre mund të kenë dhimbje të padurueshme, të shoqëruara edhe me shenja të tjera, si dhimbje koke, gjendje të fikëti apo të vjella. Në raste të tilla, është e këshillueshme të përdoren qetësues, gjithmonë me këshillën e mjekut.
Këshilla! Këshillat e mia shkojnë më tepër për nënat e adoleshentëve. Gëzohuni për rritjen e vajzës tuaj, mundohuni të jeni të pranishme, butësisht e me maturi. Mos i mbytni me dashurinë dhe kujdesin e tepërt, por jeni gjithmonë të vëmendshme për të kuptuar më shumë. Gjeni një film a një libër për të diskutuar, e aty mund të jetë zanafilla e një bisede të gjatë edhe për gjërat që ju shqetësojnë. Pranojeni adoleshencën e bijës tuaj dhe mbështeteni në rrugëtimin e saj. Këshillohuni me mjekun dhe psikologun për çdo paqartësi a pasiguri në lidhje me shqetësimet tuaja.