Shkrime
Demokracia jonë i ngjan një shakaje të madhe
Shakaja – Nga Ben Andoni
Demokracia jonë i ngjan një shakaje të madhe, ku po ‘qeshim’ me ato që shikojmë e dëgjojmë, paçka se zakonisht po na qeshin. Cilët? Më së shumti: Ata, të zgjedhurit tanë. Zgjedhjet, elementi kryesor i demokracisë, po ashtu, janë një përqeshje e madhe. Në fare pak raste pas zgjedhjeve në Shqipëri, palët e kanë respektuar njëra-tjetrën. Ndarja e palëve prej zgjedhjeve është aq e madhe, sa duket sikur jemi ende në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore. Aq të përfolura janë zgjedhjet tona, saqë rezultati parashihet mirë qysh para se të votohet. E jo më kot: shikoni se cilët janë në masën më të madhe në parlament, nga të dy krahët! Këqyrni sa qesharake është kur besojmë se kemi fuqinë për të zgjedhur përfaqësues e duhur në sallën e parlamentit! Ai është e do mbetet në dorë të kryetarëve të dy partive kryesore, që në fakt pas vitit 2008 e kanë kthyer shtetin në një zgjedhje të vetëm dy njerëzve, kryetarëve të PS dhe PD-së, që pas zgjedhjes shndërrohen në kryeministrat tanë. Për të qeshur është se Berisha i vitit 2008, kujtoi se me pushtetin që iu dhá nga marrëveshja me Ramën, do të drejtonte pafund. Pa ditur, se njeriu i tandemit politik, do ia bënte jetën aq të vështirë dhe do drejtonte ai pafund. Ose si e tha dikur Rama publikisht: Do të iki, por vetëm kur ta mendoj Ai. Po, a është kjo vallë demokracia, që kërkonim dhe meritonim në dekadën e tretë të shekullit XXI? Demokracia e sotme përbën thjesht e vetëm një homonim të demokracisë së vërtetë, pasi demokracia sot në realitet nuk përbën më ‘sundimin nga populli’. Ndërsa njerëzit kënaqen dhe shullëhen me lajme boshe dhe me reality show, po mbetemi shpesh të habitur përballë një bote, që funksionon jashtë nesh, ndërsa përballë kemi politikanë, që bëhen gjithnjë e më të pasur dhe të fuqishëm, ku edhe Pushteti i Drejtësisë duhet të matet mirë, ndaj tyre, ndërsa ne vazhdojmë e sorollatemi në tema, që janë larg interesit të thjeshtë publik. Me pak fjalë: S’ka ndjesi më të madhe humori, sesa kur besojmë se ne, publiku, kemi kontroll. Kontrolli ynë i vetëm është ushqimi, që na serviret prej çmendurisë së këtij realiteti, mbushur me veprimet e dhunshme ngado dhe me ekspansionin e kronikës së zezë, njoftimet e të cilës për korrupsionin e vrasje, kanë krijuar një xhungël nga ku zor se mund të dalësh. Filmi “Joker” i shkon më së shumti këtij realiteti që po ndodh tek ne, ose që mund të ndodhë në të vërtetë, ndërsa secili nga ne, ngadalë si në sekuencat e tij, po rrëshqet nga realiteti në çmenduri. Kurrë nuk ka dëgjuar njeri kaq fyerje, nëpërkëmbje, vrasje ose denigrime sa në këtë lloj demokracie, të paktën tek jona. Mbase, për ngushëllim kemi tashmë ngado Evropën Lindore dhe atë që po ndodh në Serbi, Hungari apo edhe në Poloni, në ditët e fundit.
…
Legjislativi aktual nuk ka fuqi ta përcjelli edhe ta kontrollojë, sipas detyrës Ekzekutivin e sotëm “Rama-3”, që tashmë mbahet mend vetëm nga mënyra sesi futen mjetet e tollovisë piroteknike në sallën e parlamentit dhe sesi zihen deputetët e opozitës me njerëzit e Gardës. Duket si absurde, që ne kemi fuqinë për të zgjedhur një përfaqësues. Po vallë këta na përfaqësojnë?! Ndaj, në melankoninë e përgjithshme për të zgjedhurit tanë, që të trembin me sintaksën e tyre politike dhe mbi të gjitha moralin legjislativ, ne bëhemi bashkë në sensin që Kundera e shkroi me kujdes te “Shakaja:” “Asgjë nuk i bashkon njerëzit më shpejt sesa melankolia e përbashkët”. Kjo ka mbetur e përbashkët në këtë realitet të pashbëshëm.
Për pak parantezë: “Shakaja”, romani i njohur i Kunderës , i botuar për herë të parë në vitin 1967 në çekisht, mund të botohej me vështirësi sot, sipas kritikës. Aman, sot është një gjë normale, pasi krijimi i tij përshtatet fare normal me paradokset tona. Romani përshkruan fabulën e një studenti të universitetit të Pragës, Ludvikun, jeta e të cilit shkon për dreq, nga një shaka e vetme dhe e pahijshme, kur po tallej me politikën e një mikeje, e cila e injoron.
E tillë është shoqëria jonë sot, mbushur me paradokse dhe kinse shaka të hidhura, që na përplasen para syve, për çdo ditë të mundshme.
Ne mbetemi të fundit në zhvillime, por qeveria jonë na i paraqet si suksese dhe e përcjell vëmendjen publike te fuqia e inovacionit dhe tek IA-ja. Ne na vjedhin të dhënat sistematikisht, por ne sërish jemi ‘krenarë’ për zhvillimet tona dhe ‘risitë’ që do vinë nga inovacionet!! Kur i dëgjon të gjitha dhe i bashkon, kupton ose më saktë pyet veten se: cili është modeli ynë ekonomik? Shqipëria gjatë tre mandateve të qeverive Rama është zhvilluar dhe kjo nuk mund të mohohet, por jo në atë formë sesa të tregonte stabilitet dhe të kishte të përfshira interesat e shtresave të ndryshme të popullsisë. Industria e Ndërtimit, që e kemi para syve me kullat dhe ndërtimet e shumëllojshme, si edhe investimet në infrastrukturë, po shërbejnë më shumë për të pasurit, që po të gërmosh pak lidhet, si me njerëzit e kampit socialist por edhe atë demokrat, veçuar tashmë dukshëm prej masës. Ata kanë pasuri të patundshme, kurse impakti për fashën e mesme dhe të ulët të shoqërisë shqiptare është fare i ulët. Mungesa e shpresës dhe sidomos mënyra e përballjes me demokracinë e sotme, që po prodhon kaq shumë pabarazi, i ka bërë të kuptojnë shumë njerëz se: asgjë nuk ndryshon. Ose më saktë, pabarazia është pushtet. Rasti i PS-së me Ramën dhe i PD-së me Berishën dhe më pak Bashën, jo vetëm nuk të jep mundësi zgjidhje, por të shqetëson për sensin e reflektimit. Më shumë akoma, statistikat që vinë nga bjerrja demografike dhe mungesa e fuqisë punëtore po kthehet në një problem të vazhdueshëm të ekonomisë: Për të katërtin vit radhazi, sipërmarrësit e shfaqin si një nga problemet kryesore jo vetëm mungesën e fuqisë punëtore, por dhe ndikimin që emigracioni po jep në konsum. Por, qeveria socialistë, ashtu si ajo demokrate, para saj, e konsideron një proces normal emigracionin, edhe pse institucionet ndërkombëtare vazhdojnë të alarmojnë. “Shqipëria ka shkallën më të lartë të migracionit, në krahasim me popullsinë e saj, në Evropën Qendrore dhe Lindore”, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (Monitor, 2024). “Për më tepër sot, po largohet kryesisht popullsia e re mashkullore dhe e arsimuar në moshë pune, duke zvogëluar forcën e punës në dispozicion në vend”, shprehet znj. Ekaterina Solovova e BERZH. Dhe, sinteza: Shqipëria renditet në vendet e fundit, referuar të ardhurave për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtarë (kjo e llogaritur sipas standardit të fuqisë blerëse), kurse Kosova është edhe më poshtë në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë (Monitor, 2023).
Po, a shihen këto dhe a mendohet realisht brenda mbledhjeve lëbyrëse dhe planeve ‘të shumta’ të zhvillimit, që mëtohen se afrohen nga maxhoranca e sotme? Punësimi i sotëm, megjithëse tashmë ka më shumë hapësira, mbetet ende tek turizmi, por me pagesa të ulëta dhe pasiguritë jo të pakta që sjell infrastruktura turistike. Kostoja e lirë, që lidhej pak vite më parë me fuqinë tonë punëtore dhe që ishte një favor, tashmë po përballet nga ikja e punonjësve dhe të gjithë sektorët e raportojnë këtë mungesë me shqetësim, por pa tentuar që ato vetë të krijojnë një klimë të mirë. Ata, vetë, mbeten pjesë e kësaj shakaje. Dhe, në këtë shaka, që na ofron përsëritja ‘e sukseseve’, të vjen ndërmend, ajo që thoshte dikur në një intervistë për autorin, profesori i ekonomisë Omer Stringa se: Shqipëria ka një lloj modeli ekonomik të mospasjes model ekonomik. Harresa mbulon gabimet. Si për ironi po përdorim sërish një shprehje nga “Shakaja”: “Askush nuk do të korrigjojë gabimet që janë bërë, por të gjitha gabimet do të harrohen”. Sepse askush nuk reflekton për gabimet tek ne dhe ky është paradoksi.
Demokracia, megjithë mëtimet e politikanëve tanë, nuk u krijua për t’i dhënë pushtet një njeriu. As nuk filloi e vazhdoi ta përjashtonte publikun nga përgjegjësitë. Ne, vërtetë, zgjedhim me besimin, se do të na përfaqësonin bashkë me nevojat tona, duke u munduar të mbanim një optimizëm. Aman, paradoksi doli i hidhur sepse e shpjegon sërish shumë mirë Kundera te libri i tij “Shakaja”: “Optimizmi është opiumi i njerëzve”. (Homo Albanicus)