Politike
Gjekmarkaj kundër Argitës: S’mund të jetë në krye të PD, nuk është monarki personale
Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj tha në emisionin Now në Euronews Albania se është kundër vendosjes së vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha në krye të PD.
Sipas tij, partia nuk është monarki që mund të trashëgohet brenda familjes dhe vendosja e Argita Malltezit në krye të PD nuk do mirëpritej nga shqiptarët.
“Zonjën Malltezi e kam takuar 2-3 herë më është dukur person inteligjent por nuk mendoj se etikisht ajo duhet të jetë në krye të PD. Nuk është trashëgimi, në intervista më është dukur korrekte, por partitë në demokraci nuk mund ta shndërrosh në monarki familjare apo personale. Nuk do mirëpritej nga shqiptarët. Është në të drejtën e saj të mbrojë babanë e saj, por nuk e shoh si një zgjidhje për PD se gjithmonë do shihej si pilotim nga Berisha”, tha ai.