Aktualitet
“Të betuar për ta vrarë” – Grupi i Niklës po vetë-shkatërrohet!
Për të kuptuar se sa seriozisht e ka krimi, mjafton të numërosh atentatet e dështuara.
Ndodh të dështojnë një herë, dy, madje edhe për herë të tretë, por prapë nuk dorëzohen, duken të betuar për ta realizuar me doemos atë vrasje.
Kjo i ndodhi pasditen e 15 marsit Gentian Bejtjas. Pas dy atentateve ku kishte mbetur i plagosur, një të treti ku iu plagosën dy djemtë e mitur dhe iu vra kunati, në organizimin e fundit për ta eliminuar, atentatorët ia arritën qëllimit.
Ata kishin marrë të gjitha masat që të mos dështonin më. Madje rrezikuan duke realizuar atentatin pa u errësuar. Iu afruan shtëpisë së Bejtjas dhe zbrazën 3 karikatorë kallashnikovi në drejtim të tij. Më pas siç ndodh gjithmonë, dogjën makinën dhe u zhdukën.
E shkuar që e lidh me mikun e tij të zhdukur Enver Stafuka. Punë që ata kanë bërë bashkë deri më 9 shkurt të vitit 2015, kur Stafuka u rrëmbye. Por edhe aktiviteti i tij pas zhdukjes së Stafukës. Një e shkuar pak më e afërt që e ka lidhur, të paktën si person që mund të ketë dijeni për disa krime të rënda të ndodhura së fundmi.
Madje këtu, tek kjo ngjarje e më pas edhe te zhdukja e Ervis Martinajt, duket se janë përqendruar më shumë hetimet për atentatin e fundit.
Deri në fund të vitit 2014, grupet e Fushë-Krujës, që Policia i konsideronte si një bandë kompakte në atë kohë, nuk kishin problematika mes njëri-tjetrit. Bëhej fjalë për grupime personash mjaft problematikë, që vepronin në fshatrat Nikël e Larushkë, që gjenden në dy krahët e rrugës nacionale që lidh Tiranën me Fushë-Krujën, Laçin e Lezhën.
Fshatra që janë vetëm 3.8 kilometër e përshkohen në makinë për 10 minuta. Ata bashkëvepronin edhe me grupe të tjera nga Tirana, Durrësi, Laçi, Lezha, madje edhe më tej, kryesisht për sigurimin e mjeteve për kryerjen e krimeve të rënda. Madje në disa raste policia i kishte pasur të dyshuar edhe si pjesëmarrës e autorë në disa ngjarje të rënda.
Megjithatë asnjëherë nuk kishte pasur prova të mjaftueshme për t’i lënë pas hekurave. Ekspozimi i tyre më i madh ishte në vitin 2013, atëherë kur u arrestuan Enver Stafuka dhe Gentian Bejtja, në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë kryekomisari Dritan Lamaj.
Bejtja qëndroi pak në qeli dhe u hetua në gjendje të lirë e pas një kohë pak më të gjatë në burg, u lirua edhe Stafuka.
Por pas këtij momenti gjërat nisën të ndryshojnë. Ndërsa shkëputja përfundimtare ndodhi pas një atentati që ndodhi më 5 janar të vitit 2015, kur u qëllua ndaj Emiljano Shullzit e Gilmando Danit.
Një muaj më vonë u rrëmbye dhe rezulton i zhdukur sot e kësaj ditë, miku i Bejtjas, Enver Stafuka. Pas kësaj ngjarje grupet e Fushë-Krujës u përçanë përfundimisht e atentatet në dy krahët e rrugës nacionale, mes Niklës e Larushkës nuk do të mungonin.
26 Shkurt 2013- Arrestohen Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka
Mbrëmjen e 24 shkurtit të vitit 2013, ekzekutohet në Tiranë, kryekomisari Dritan Lamaj. Në afërsi të fshatit Domje, prapa fabrikës së pijeve freskuese, Policia gjetiu të braktisur makinën e dyshuar që ishte përdorur në krim.
Makinës i ishte vënë flaka gjysmë ore pasi u transmetua lajmi për arrestimin e dy të dyshuarve në Greqi. Sedilja e shoferit ishte lyer me benzinë duke u tentuar të digjej makina. Një zjarrfikëse ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arritur të shuajë flakët.
Përdorimi i kësaj makine të vjedhur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, u zbulua 24 orë pas ngjarjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonën ku u vra kryekomisari dhe marrjes së të dhënave nga dëshmitarët, u zbuluan targat e makinës. Bëhej fjalë për mjetin me targa DR 1944 F, i cili ishte vjedhur në Durrës tri ditë para vrasjes së Lamajt në Tiranë.
Makina ishte marrë në rrugën “Aleksandër Goga”, në një moment kur pronari i saj e kishte lënë të hapur dhe kishte hyrë për pak minuta në një dyqan aty pranë.
Dyshohet se pas vjedhjes së makinës, mjeti është sjellë në Tiranë për t’iu vënë në dispozicion vrasësve të Dritan Lamajt. Në lidhje me vjedhjen e makinës, më 26 shkurt, dy ditë pas vrasjes, Policia arrestoi Gentian Bejtjan, i cili u akuzua si shoqërues i autorit të vjedhjes së makinës.
Mjeti në fjalë ishte parë nga banorët e zonës teksa lëvizte tek vendi i ngjarjes një ditë para atentatit ndaj Lamajt. Ndërsa para tij, ishte arrestuar edhe Enver Stafuka, me profesion shofer mallrash, që ishte ndaluar edhe në shkurt të vitit 2009, pasi policia i bllokoi një armë zjarri pistoletë. Bejtja dhe Stafuka u mbajtën në burg për vjedhje për disa muaj.
Në një vendim të datës 13 nëntor 2013, Gjykata e Durrësit i shpalli ata të pafajshëm. Që në nisje të vendimit të gjykatës, pranohej se automjeti tip “BMW” ka shërbyer në vrasjen e komisarit Lamaj. Prokuroria kishte përshkruar me detaje momentin e vjedhjes dhe skemën e përdorur nga autorët, por për gjykatën nuk kishte asnjë provë që të ngarkonte të pandehurit me përgjegjësi penale.
Mes tyre, Gentjan Bejtjas dhe Enver Stafukës ka pasur edhe komunikime telefonike, të cilat për gjykatën nuk ishin provë për t’i dënuar, pasi prokuroria nuk mundi të sillte asnjë provë tjetër që identifikonte të dyshuarit si autorë të vjedhjes.
Vendimi përshkruante të gjitha provat e depozituara nga prokuroria, të cilat sipas gjykatës nuk provonin se të pandehurit ishin autorë të vjedhjes.
Gjatë fazës së hetimeve, gjykata caktoi detyrim paraqitje për Gentjan Bejtjan dhe në përfundim, ai mori pafajësi nga Gjykata e Lartë, me argumentin se prokuroria nuk siguroi prova të mjaftueshme për ta fajësuar atë.
5 Janar 2015- Plagosen në atentat Emiljano Shullazi e Gilmando Dani
Rreth orës 20:22, të datës 5 janar 2015, në sallën operative të Policisë së Tiranës ka telefonuar një qytetar, i cili deklaronte se tek mbikalimi i Rinasit, sa kalon lokalin e Hasan Hakës, ka të shtëna me automatik.
Policia dërgoi në vendngjarje specialistin e zonës dhe nga verifikimi, rezultoi të ishte qëlluar në drejtim të mjetit tip ‘Golf’, me targa AA 629 HR, por polici nuk kishte konstatuar persona të dëmtuar.
Më pas, në një komunikim të dytë, u njoftua se drejt Spitalin Ushtarak, po transportoheshin të plagosur me armë zjarri, shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, që ndodheshin në makinën që kishte dalë jashtë rruge.
“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Dani, 36 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes, u formua grupi hetimor të cilët kryen veprimet e para, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje dhe sekuestruar disa gëzhoja”, thuhej zyrtarisht nga Policia e kryeqytetit.
Grupi hetimor nisi procedim penal për zbardhjen e ngjarjes e kapjen e autorëve. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Bërxullë, në rrugën “Nënë Tereza”, në afërsi të mbikalimit të Rinasit dhe u klasifikua si tentativë vrasje.
Ishte qëlluar me armë ndaj Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, kur ata po ktheheshin nga Fushë – Kruja, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës me automjetin e tyre tip “Golf 4”, ngjyrë gri.
Pak metra para se të mbërrinin tek Qafa e Kasharit, një makinë tjetër u kishte zënë pritë. Nga kjo makinë është qëlluar me breshëri dhe të dy miqtë, Shullazi e Dani, mbetën të plagosur.
Për pasojë, automjeti ku ndodhej Shullazi, ka humbur drejtimin, duke përfunduar jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë në një arë në anë të saj, nga krahu i fshatit Domje. Duke përfituar nga ky moment, autorët kanë arritur të largohen me shpejtësi dhe ende nuk u arrit të identifikoheshin.
Dy të plagosurit u pyetën në Spitalin Ushtarak, por thanë se nuk kishin parë asgjë dhe nuk kishin njohur askënd.
Megjithatë Policia pati disa të dyshuar e të shoqëruar, ndonëse ngjarja nuk u arrit të dokumentohej asnjëherë. Pati dyshime se në drejtim të makinës ishte Gentian Bejtja. Por asgjë nuk u provua dhe dosja mbeti pa autor.
9 Shkurt 2015- Enver Stafuka rrëmbehet në Fushë-Krujë e zhduket
Në orën 19:46 të mbrëmjes së datës 9 shkurt 2015, persona të veshur si policë e të maskuar, rrëmbyen në qendër të Fushë-Krujës, Enver Stafukën. Ai kishte qenë i hetuar si personi që vodhi makinën ‘BMË’ nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj.
Teksa po pinte një kafe në lokalin që ndodhet pranë shtëpisë së vëllait të tij, Stafuka doli për të hipur në makinë, dhe në këtë moment, ai u mor forcërisht.
Dëshmitarët kanë treguar se Enver Stafuka ka qenë në kafe dhe aty kanë shkuar edhe Durim Bami, Gentjan Bejtja e Ramazan Rraja. Ata kanë qëndruar aty për afro 20-30 minuta dhe janë larguar pak para se të rrëmbehej Stafuka.
Ai ka dalë pasi dikush e ka marrë në telefon. Sipas dëshmitarëve ky person i ka kërkuar që ta takojë dhe ndodhej në Kameras të Krujës.
Policia e Durrësit, u kujdes që kërkimet dhe hetimet të mbaheshin në sekret të plotë. Ndërsa as sot pas 8 vitesh nga zhdukja e tij, askush nuk di të thotë se kush e mori dhe cili ishte fati i Enver Stafukës.
Babai i 4 fëmijëve u arrestua mbrëmjen e 27 majit të vitit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMË, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit të atij viti, kryekomisari Dritan Lamaj.
Por Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi si të pafajshëm më 13 nëntor të vitit 2013. Për vrasjen e Lamajt, u arrestua në Selanik biznesmeni, Arben Frroku, i cili i është arratisur tashmë drejtësisë shqiptare.
Prokuroria provoi se Frroku njihej me Stafukën dhe ditën ku u vra Dritan Lamaj të dy kishin komunikuar me njëri-tjetrin.
Familja e Enver Stafukës vazhdimisht e ka drejtuar gishtin nga Durim Bami, por asgjë nuk është provuar.
19 Shtator 2016- Gentian Bejtja plagoset në një atentat me tritol në makinë
Në orën 9 e 30 të mëngjesit, të datës 19 shtator 2016, Gentian Bejtja, që në atë kohë njihej edhe me emrin Edmond sapo kishte hipur në makinën e tij “Touareg”, me targë AA 020 BH dhe ndodhej jo shumë larg shtëpisë së tij në Larushkë.
Në momentin që ka ndezur makinën dhe ka nisur të lëvizë, një sasi eksplozivi që ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit, pranë derës së shoferit, ka shpërthyer. Si pasojë e shpërthimit Bejtja ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë dhe është dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Pas tre muajsh hetime, Policia e Krujës organizoi operacionin e koduar “Shenjestra” dhe arrestoi 9 persona e një tjetër e shpalli në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
Më 20 dhjetor të vitit 2019, Prokuroria njoftonte se ishin arrestuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë: Edison Pula, Edison Bami, Arjan Ademi, Fadjol Anamali, Muharrem Sheta, Ilir Caca, Marklen Haka, Klaudio Ismailaja dhe Astrit Rryçi.
Ndërsa ishte shpallur në kërkim Oltjon Caca. Numri i telefonit që aktivizoi minën e vendosur në automjet Gentian Bejtjas, rezultoi të ishte i Edison Pulës.
Për atentatin që synoi eliminimin e Bejtjas, Prokuroria mori nën hetim jo vetëm Edison Pulen por edhe Oltion Cacën, që të dy nën akuzë për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe shpërthim me eksploziv.
Ndërsa 8 personat e tjerë u dyshuan si bashkëpunëtorë. Ky hetim, së bashku me vendimet e fajësisë u dërguan vonë në Gjykatën e Lartë, së bashku me episode të tjera për të cilat Pula akuzohej në Shqipëri, si vjedhje dhe drogë.
Në Krujë, dy ditë pasi u arrestua, dhjetorin e vitit 2016, Edison Pula u shpëtoi nga duart dy policëve, Denis Çela dhe Naim Stafuka duke u arratisur. Policët u arrestuan për shpërdorim detyre pasi sapo e zbritën nga makina për ta futur në Komisariat, i dyshuari përfitoi nga dera e hapur dhe u largua.
Ndërsa më 10 qershor të vitit 2022, emri i Edison Pulës del serish në skenë, pasi arratiset nga burgu i Trevizos në Itali, bashkë me dy shqiptarë të tjerë, të cilët pas pak orësh u ndaluan sërish, ndërsa Pula vijon të jetë në arrati.
Pula është dënuar me vendim të formës së prerë, në mungesë nga Gjykata e Apelit Tiranë, më 22 tetor të vitit 2018, për 3 vepra penale. Gjykata e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e shkatërrimit të pronës, mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve, si dhe vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.
21 Shtator 2019- Atentat ndaj 28-vjeçarit në Nikël, vritet halla e tij
Më 21 shtator të vitit 2021, Marklen Haka, një i ri me shumë precedentë penalë, mbeti i plagosur në një atentat në derën e shtëpisë së tij në Nikël të Krujës. Por në këtë ngjarje mbeti e vrarë halla e tij, Shpresa Basha, 50 vjeçe.
Pak momente para se në drejtim të tij të qëllohej më shumë se 100 herë, kushëriri e kishte lajmëruar për disa persona të dyshimtë që ndodheshin rrotull shtëpisë ku ai ndodhej.
Policia ka marrë në pyetje të afërmin e 28-vjeçarit Marklen Haka, si një ndër dëshmitarët kryesorë të ngjarjes.
Ai ka deklaruar se ka qenë duke u kthyer në shtëpi dhe kur është afruar tek banesa ka parë disa persona që bënin lëvizje të dyshimta. Këtë informacion ai ia ka përcjellë Marklen Hakës sapo është futur në shtëpi.
E megjithëse i ruhej një atentati të mundshëm, Haka ka nxituar të dalë jashtë për të parë se kush ishin këta person. Pas tij ka dalë edhe halla, 50-vjeçarja Shpresa Basha, e cila ka dashur të mbronte djalin e vëllait, pasi ishte në dijeni të problemeve që ai kishte.
Ky ka qenë edhe momenti fatal, pasi të dy janë përballur me sulmin me armë zjarri, duke mbetur të plagosur. Haka arriti të shpëtojë me disa plagë të lehta, ndërsa halla e tij ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Kushëriri i Marklen Hakës ka deklaruar në Polici se nuk ka arritur t’i shohë fytyrat e personave të dyshuar, pasi në atë moment ka qenë errësirë.
Marklen Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu. Grupi hetimor pati dyshime se ngjarja kishte ndodhur për motive hakmarrjeje.
Kur u pyet në ambientet e spitalit ai nuk dha ndonjë dëshmi të vlefshme për grupin hetimor. Duke qenë para kësaj situate, hetuesit u përqendruan tek precedentët e mëparshëm të tij, ngjarjet për të cilat ai ka qenë i dyshuar, që në fakt nuk i janë faktuar asnjëherë.
Marklen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes. Ndërsa më vonë është ndaluar si i dyshuar për një atentat me eksploziv. Herën e fundit që ai provoi qelinë, u akuzua për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 1 vit heqje lire.
9 Janar 2022- Bejtja plagoset në atentat pranë një karburanti
Mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2022, Gentjan Bejtja, mbeti i plagosur me armë në afërsi të një karburanti në Larushkë të Fushë-Krujës.
Bejtja ka qenë duke udhëtuar me makinë, ku pasagjer ishte Klodjan Stafuka, në momentin që iu zu pritë. Drejt tyre u qëllua me kallashnikov nga një makinë në lëvizje. Plumbi kapi vetëm Bejtjen në njërin krah.
Ndërsa Stafuka mori dëmtime në kokë e u plagos, pasi Gentjan Bejtja humbi kontrollit e mjetit në momentin që u godit dhe doli nga rruga.
Të dy u dërguan në Spitalin e Traumës ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore. I pari që la spitalin ishte Stafuka.
Përpara grupit hetimor ai u shpreh se nuk kishte konflikte me askënd, por që atentatorët i kishin zënë në befasi. Ndërsa Bejtja, tha se nuk ka arritur që t’i njihte atentatorët.
Kamerat e karburantit ku ndodhi ngjarja u sekuestruan por nuk arritën të shërbejnë për identifikimin e autorëve që sot e kësaj ditë nuk dihet se kush janë.
3 Prill 2022- Ekzekutohet në autostradë biznesmeni i kromit
Iljaz Çalit, i njohur si biznesmen kromi në Bulqizë, u ekzekutua nga persona ende të paidentifikuar mbrëmjen e 3 prillit të vitit 2022. Ngjarja ndodhi në autostradën Tirane- Durrës, kur atentatorët iu afruan mjetit të tij “Land Rover” më një makinë tjetër që lëvizi për disa metra paralel me të e më pas hapi zjarr.
Çali mbeti i vdekur në vend dhe makina e tij doli nga rruga duke përfunduar në anë të saj. Fillimisht dëshmitarët lajmëruan Policinë për një aksident, por në vendngjarje u saktësua se bëhej fjalë për vrasje.
Një nga kontaktet e fundit në telefonin e Iljaz Çalit rezultoi të ishte Gentian Bejtja. Ai u mor në pyetje si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen duke treguar se e kishte vizituar Çalin 4 ditë para vrasjes.
Ai kishte qenë në shtëpinë e tij bashkë me gruan dhe fëmijët. Bejtja ka dëshmuar se kishte kontakte të vazhdueshme me biznesmenin dhe flisnin herë pas here e shkëmbenin mesazhe. Madje edhe një orë para se të vritej kishin shkëmbyer disa mesazhe.
Megjithëse fliste për një miqësi me të, ajo që u bëri përshtypje hetuesve ishte fakti se Bejtja nuk kishte marrë pjesë në varrimin e Çalit. Këtë e kishte justifikuar me pretendimin se aty do të merrnin pjesë edhe disa njerëz nga Nikla, me të cilët ai kishte probleme kohët e fundit. Për të shmangur këta persona, ai ka pretenduar se ka zgjedhur të mos merrte pjesë në varrim.
8 Qershor 2022- Atentat në Fushë-Krujë, plagoset Marklen Haka
Marklen Haka, i cili i shpëtoi atentatit të ndodhur shtatorin e vitit 2019, ngjarje në të cilën u vra halla, ka mbetur i plagosur me armë zjarri më 8 qershor të vitit 2022. Ngjarja ndodhi në mesditë në Fushë-Krujë.
Ai u qëllua me një plumb në nofull dhe u transportua menjëherë në spital. Policia shoqëroi më shumë se 20 persona për atentatin ndaj 29-vjeçarit Haka, mes tyre edhe Gentian Bejtja, por as sot nuk ka ndonjë të arrestuar, qoftë për këtë ngjarje, apo edhe atentatin e mëparshëm ku u vra halla e tij.
Personat e përfshirë në atentat dyshohet se kanë pasur informatorin e tyre në fshatin Zezë, ku ndodhen edhe anëtarët e fisit Haka.
Marklen Haka është dënuar në muajin prill të vitit 2019 me 1 vit e 6 muaj burg. Më 13 qershor të vitit 2011, ai është shoqëruar si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, në zonën e ish-Bllokut.
Shkaku për atentatin dyshohej të ishte hakmarrja, pasi ai dyshonte se Zeneli i kishte vrarë të vëllain, Roland Haka, në vitin 2004. Megjithatë Marklen Haka u lirua muaj më vonë.
4 Korrik 2023- Vritet kunati i Gentian Bejtjas dhe plagosen 2 djemtë e tij
Këto breshëri plumbash, u shkrepën nga 3 kallashnikovë, në fshatin Larushkë të Krujës.
Vetëm 15 minuta pasi kishte kaluar mesnata e kishte hyrë data 4 korrik 2023, një makinë nga ku zbritën 3 persona u sharrua nga të paktën 30 plumba. Plumba që nuk kursyen as dy fëmijë të mitur, 13 e 10 vjeç. Ndërsa daja i tyre mbeti i vrarë.
Objektivi ishte dikush tjetër. Quhej Gentian Bejtja dhe ishte 42 vjeç. Ai dikur ishte polic, ndërsa prej vitesh zgjodhi të kalojë në krahun tjetër.
Pas dy atentateve të mëparshme, ku ishte plagosur, në atentatin e 4 korrikut ishin djemtë e tij të mitur që paguan për të. Ata u plagosën. Madje djali 13 vjeç, për orë të tëra luftoi me vdekjen në sallën e operacionit të Spitalit të Traumës.
Një operacioni iu nënshtrua të nesërmen edhe djali 10-vjeçar. Ndërsa kunati i tij, Ramazan Sino, 29 vjeç, mbeti i vdekur në vend.
Ai ishte bërë baba pak muaj më parë dhe prej disa vitesh ishte i punësuar si shofer në Prokurorinë e Apelit në Tiranë. Sipas Policisë Sino u gjend rastësisht mes breshërisë së plumbave, njësoj si dy nipat e tij të mitur.
Gentian Bejtja kishte 10 ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Udhëtonte e qëndronte shpesh jashtë vendit, kryesisht në Suedi e Norvegji, ku kishte kërkuar edhe azil, bashkë me gruan e 4 fëmijët, por i ishte refuzuar. Informacioni për kthimin e tij ishte përcjellë me shpejtësi tek kundërshtarët.
Ata u vunë në lëvizje për ta eliminuar. Por informatori rezultoi të ishte i pasaktë natën e ngjarjes. Ai i sinjalizoi se makinën e drejtonte Bejtja. E në fakt në timon ishte vëllai i gruas së tij, i cili mbeti i vrarë.
Në atentatin e 4 korrikut 2023 dyshohet se ka kanë marrë pjesë tre presona. Pas një sinjalizimi të gabuar se Gentian Betja po kthehej me makinë në shtëpi, ata kanë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre, deri në momentin që kanë mbërritur pranë banesës.
Sapo kanë zbritur nga mjeti brenda oborrit, ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar mbi 30 gëzhoja kallashnikovi.
Pas krimit autorët janë larguar nga vendngjarja duke i vënë flakën makinës, bashkë me tre kallashnikovët brenda, në fshatin Tapizë, rreth 6.4 kilometër larg vendit të ngjarjes, distancë që përshkohet për më pak se 10 minuta me makinë.
Si gjithmonë, në atentate të tilla, makina rezultoi e vjedhur. Zyrtarisht policia tha se ka shoqëruar 3 persona për t’i marrë në pyetje, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni.
U shoqëruan dy vëllezërit, Durim dhe Valter Bamin, si dhe Marklen Haka, emra që në fakt janë të parët që Policia liston për t’i pyetur sa herë që ka ngjarje në, kryesisht në hapësirën mes fshatin Nikël e Larushkë. Megjithatë, siç ka ndodhur edhe më parë, disa orë pas shoqërimit ata u lanë të lirë.
Por 24 orë në vonë, Policia arrestoi Valter Bamin. Pas aktit të ekspertimit kimik për faktorë plotësues, rezultoi se 38-vjeçari kishte qëlluar me armë zjarri.
Në dorën e majtë të tij, ekspertiza konstatoi gjurmë baruti, çka fakton se ka kryer qitje me armë zjarri. Disa orë pas urdhrit të lëshua nga Prokuroria e Tiranës më 6 korrik, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, të Niklës, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranë Valter Bami.
Por heqja e lirisë së Valter Bamit zgjati vetëm disa muaj. Në janar të vitit 2024 ai u la i lirë, pasi Gjykata e Tiranës ndryshoi masën e sigurisë, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
15 Mars 2024- Ekzekutohet në oborrin e shtëpisë, Gentian Bejtja
Atentati që dështoi mesnatën e 4 korrikut të vitit 2023, paçka se humbi jetën një i pafajshëm, u realizua në orën 16 e 20 minuta të 15 marsit 2024.
Duket se të njëjtën autorë provuan sërish dhe kësaj here ekzekutuan 43-vjeçarin Gentian Bejtja. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimorë, në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë 4 persona.
Ata janë afruar me automjetin “Land Rover”, më të cilin kanë udhëtuar nga Fushë – Kruja, në drejtim të fshatin Larushkë.
Ai që drejtonte makinën, ka ndaluar pranë rrugës kryesore, ndërsa tre të tjerët, të veshur me të zeza e të maskuar, janë afruar në këmbë drejt shtëpisë së Bejtjas, që ndodhej vetëm pak metra larg.
Duket se ata kanë pasur informacion të saktë për mometin kur duhej të afroheshin, duke qenë në atë koha ka qenë e hapur porta dhe janë futur brenda në oborr ku ndodhej Gentian Bejtja.
Në të kundërt nuk do arrinin të depërtonin, pasi shtëpia është e rrethuar nga mure afro 2 metër të lartë.
Autorët sapo kanë parë objektivin e tyre kanë qëlluar të tre me breshëri, me të paktën 50 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas kanë vrapuar të shkonin tek makina që i priste në rrugën kryesore dhe janë nisur në drejtim të Fushë-Krujës.
Ata kanë marrë drejtimin për nga fshati Hasan, në afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës, vetëm disa kilometra larg vendit të ngjarjes ku edhe kanë djegur makinën bashkë me armët e krimit, shkruan abc.
Nga aty mund të jenë larguar me makinë tjetër, që po ashtu ka bashkëpunuar për ngjarjen.
Vitet e fundit fshatrat e Krujës, kryesisht ato që janë më afër Tiranës, kanë qenë objekt operacionesh të Forcave Speciale. Shpesh herë fshatrat Nikël e Larushkë janë konsideruar si vatra te nxehta kriminaliteti.
Për ngjarje që ndodhin aty por edhe për ngjarje, provat e të cilave fshihen po aty. Duket se herë pas here rrugët e krimeve të rënda që ndodhin në çdo skaj të Shqipërisë kryqëzohen atje.
Atje digjen makina e armë të përdorura në vrasje. E herë pas here atje rekrutohen të rinj nga grupe kriminale, për të realizuar vjedhje, për të gjetur armë e madje edhe për të vrarë. Ndodh që shumë ngjarje atje mbeten pa autor.
Të paktën pa autor të provuar, pasi në fakt janë të njëjtët eksponentë, emrat e të cilëve dalin në skenë pas çdo ngjarjeje kriminale.
Shoqërohen e lirohen për mungesë provash. Por banorët e këtyre zonave zgjedhin t’i zgjidhin vetë hallet e tyre. Ndër vite ata kanë preferuar vetëgjyqësinë. Policia i viziton shpesh, por po aq shpesh kthehet mbrapsht ashtu siç ka shkuar. Madje në ndonjë raste, dronët që Polica ka ngritur për monitorim janë rrëzuar e kanë rënë nëpër ara.
Banorët e Niklës e Larushkës janë stërvitur ndër vite që problemet t’i zgjidhin pa shtet, por mes njëri-tjetrit. Dhe rezultatet flasin vetë. Atentate që herë dështojnë e që herë pas here vrasin të pafajshëm.
Ashtu siç u vra gabimisht halla e Marklen Hakës në Nikël, edhe më 4 korrik 2023 u vra gabimisht kunati i Gentjan Bejtjas, në Larushkë e u plagosën djemtë e tij të mitur 13 e 10 vjeç.
E me gjithë këto ngjarje, të mbyllura herë me plagosje e herë me vrasje të pafajshmish, duket se as planet e masave dhe aksionet e Policisë për të çarmatosur krimin, nuk po mjaftojnë.
Kur krimi betohet për të kryer një vrasje, duket se kalon edhe barrierat e vendosura nga Policia. Madje, në rastin e vrasjeve të tilla, të paralajmëruara disa herë, vendosmëria e krimit del mbi vendosmërinë e Policisë për ta luftuar.
Por pas vrasjes së Gentian Bejtjas, gjithkush ka të drejtë të dyshojë e të ketë pikëpyetjet e veta për sigurinë. Kjo ngjarje nuk ishte surprizë për Policinë.
Madje pikërisht në atë vend, pa u bërë një vit, kishin mbledhur një pirg me gëzhoja armësh, që i morën jetën një të pafajshmi, madje nuk kursyen as fëmijët.
Dhe kur nuk parandalohet dot një krim që është paralajmëruar disa herë, çfarë mund të ndodhë me ngjarjet që e gjejnë Policinë të papërgatitur?
Emisioni “Gjërat Tona”