Politike
Basha: Nëse Berisha do të ndiqte këshillën time kur u shpall “non-grata”…
I ftuar në “Top Story” me Grida Dumën në Top Channel, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se nëse Sali Berisha do të kishte ndjekur këshillën e tij kur u shpall “non-grata” nga SHBA-të, PD do të ishte tashmë shumë pranë pushtetit.
Më tej Basha tha se në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Berisha u ndihmua nga Rama për të korrur një fitore të përkohshme në Shkodër.
“Edhe sot e kësaj dite e përsëris, ndjej keqardhje të thjeshtë sepse nuk jam nga ata që harron historinë. Po të kishte ndjekur këshillën time, sot PD do ishte shumë më mirë, në mos në pushtet, shumë afër pushtetit.
Faza e dytë, është procesi zgjedhor i 6 marsit, siç e dimë fare mirë me ndihmë të nëndheshme të Edi Ramës arriti që në Shkodër të korrte një fitore jetëshkurtër. Dorëheqja ime erdhi me idenë që të kishte një tërheqje. Gjërat shkuan shumë më keq, një grup i mbetur në PD u përpoq të gjente rrugën më të shkurtër duke iu nënshtruar Berishës për ta çuar partinë atje”- u shpreh Basha.