Connect with us

Kosova

‘The Washington Post’ ngre alarmin për shitjen e avionëve të sofistikuar francezë, Serbisë

Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, njoftoi të martën presidenti serb, në atë që do të shënonte një ndryshim nga furnizuesi i saj tradicional ushtarak Rusia, shkruan The Washington Post.

Vuçiç tha se ai pati një bisedë shumë të mirë me Macron të hënën mbrëma, e cila zgjati më shumë se tre orë dhe se ata “arritën marrëveshje konkrete në lidhje me blerjen e avionëve luftarakë Rafale”.

Ai tha se kontratat do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm në prani të Macron, duke shtuar se blerja e avionëve të sofistikuar do të zgjerojë në mënyrë drastike bashkëpunimin ushtarak midis dy shteteve.

Detajet financiare të marrëveshjes së mundshme nuk janë bërë të ditura, por media pro-qeveritare serbe e vlerësoi atë në rreth 3 miliardë euro.

Serbia ka konsideruar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet, pasi rivali fqinj ballkanik Kroacia bleu 12 avionë luftarakë të përdorur, të të njëjtit lloj për rreth 1 miliard euro.

Blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore, e cila përbëhet kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë jugosllavë të vjetër.

Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë për Serbinë, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.

Armatosja e shpejtë nga ushtria serbe ka shqetësuar disa nga fqinjët e saj pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia, një kandidate e Bashkimit Evropian, është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s.

Kritikët e armatosjes perëndimore të Serbisë thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin që ndoshta të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovën fqinje.

Advertisement