Kronike
Vrau me sende të forta çiftin e të moshuarve në Dropull, del FOTOJA e autorit
Policia e Gjirokastrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë në Dropull, ku u vranë çifti i të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia, dhe ka vënë në pranga autorin.
Autor i krimit është Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në këtë fshat.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa në një konferencë për mediat teksa sqaroi të gjithë dinamikën e krimit të rëndë tha se autori ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje, po ashtu ka qenë në hetim për disa vepra penale.
Policia sqaron se në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë shtetasi Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë dhe në brendësi të banesës është gjetur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë.
Çipa deklaroi se autori i ka vrarë me sende të forta dhe me mjete prerëse, ndërsa për shkakun e vrasjes u shpreh se “ngjarja ka ndodhur për motive banale, konflikte të çastit dhe të vazhdueshme”.
“Ata ishin goditur me sende të forta. Nga kontrolli në banesë u arrit që të gjendeshin dhe një vlerë prej 5 milionë lekësh të reja.
35 persona u shoqëruan, u kryen vlerësime dhe eksperimente hetimore. U arrit të sqarohej dokumentimi i kësaj ngjarje dhe të identifikohej autori. Autori i këtij krimi dyshohet Thoma Mastora, 65 vjeç, banues në këtë fshat, i dënuar më parë”, deklaroi Çipa.
Autori i krimit makabër ditën e ngjarjes ka shkuar në banesën e çiftit të të moshuarve, aty ku dyshohet se edhe ka pirë kafe me këto të fundit dhe më pas i vrarë me sende të forta.
“Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit””- njofton policia.
Kujtojmë se çifti Ilia nuk kishin fëmijë biologjikë, por kishin një vajzë të birësuar të cilën nuk e kishin takuar prej 10 vitesh, e cila jetonte në Greqi.