Sport
Sylvinho merr sinjalet e duhura, sulmi gati para Europianit!
Sylvinho mori sinjale pozitive në dy ndeshjet miqësore që Shqipëria luajti para nisjes së kampionatit europian.
Kuqezinjtë fituan si përballë Litenshtejnit 3-0 ashtu dhe përballë Azerbajxhanit në shifrat 3-1. Pavarësisht se përballë ishin kundërshtarë në letër më inferior ekipi i bëri detyrat siç duhej.
Golat e shënuar në këto dy ndeshje mbanin autorësinë e gjshtë futbollistëve të ndryshëm. Broja, Asani dhe Muçi shënuan përballë Lihtenshtejnit, ndërsa Bajrami, Manaj dhe Laçi ishin autorët e golave ndaj Azerbajxhanit. Në aspektin psikologjik, të gjithë u çliruan dhe dhanë sinjale se janë të gatshëm që të godasin dhe përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.
Pavarësisht se Broja dhe Asani nuk kanë marrë shumë minuta në klubet e tyre, Sylvinho u dha mundësinë të dyve që të rrisin formën e tyre në dy miqësoret, si një tregues se dhe në Euro do të besojë tek ata. Bajrami nën fanellën kuqezi ka treguar se tjetërsohet, ndërkohë që Manaj rigjeti golin pas një mungese të konsiderueshme si pjesë e Shqipërisë.
Muçi dhe Laçi, ndonëse të aktivizuar nga stoli, sërish lanë gjurmë, duke qenë në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, një tjetër tregues se dhe ata që janë në pankinë kanë po aq cilësi sa titullarët dhe i japin besim trajnerit e stafit të tij.
Europiani do të jetë pa dyshim një tjetër muzikë, ku bëhet fjalë për rivalë shumë më të fortë se ato që ishin përballë në fillimin e këtij muaji, por e rëndësishëm është që sulmi është gati dhe në formë!/SuperSport