Aktualitet
Kaos para Parlamentit, Policia shpërndan protestuesit – Fotogaleri
Situata para Kuvendit të Shqipërisë është përshkallëzuar mëngjesin e sotëm, teksa protesta e 54-të radhazi e qytetarëve është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Që në orët e para të ditës, Policia e Shtetit kishte rritur masat e sigurisë pranë godinës së Kuvendit, duke zgjeruar perimetrin e kontrollit dhe duke vendosur gardhe metalike në disa prej hyrjeve kryesore që çojnë drejt Parlamentit. Forca të shumta policore u pozicionuan në zonë, ndërsa lëvizja e qytetarëve u kufizua në disa segmente pranë Kuvendit. Vendosja e barrierave shkaktoi reagime nga protestuesit, të cilët kundërshtuan masat e marra nga Policia dhe kërkuan akses më të lirë në zonën ku po zhvillohej tubimi. Gjatë momenteve të tensionuara, disa qytetarë tentuan të kalonin përtej gardhit metalik të vendosur nga forcat e rendit. Pas përpjekjeve të protestuesve për të çarë kordonin e sigurisë dhe për t’iu afruar hyrjes së Parlamentit, policia ndërhyri për të ruajtur perimetrin e vendosur. Sipas raportimeve nga vendngjarja, ndaj turmës u përdor ujë me presion dhe me solucion (me gjasë me piper) për shpërndarjen e protestuesve. Pas ndërhyrjes së Policisë, disa protestues reaguan duke hedhur vezë në drejtim të efektivëve të forcave të rendit. Në zonë pati momente të tjera tensioni, ndërsa qytetarët vijuan të kundërshtonin masat e sigurisë dhe përpiqeshin të afroheshin pranë hyrjeve të Kuvendit. Më herët gjatë mëngjesit, një pjesë e protestuesve kishte arritur të largonte disa segmente të gardhit metalik, por Policia rivendosi menjëherë një tjetër kordon sigurie rreth godinës së Parlamentit. Protesta e sotme përkon me zhvillimin e seancës së fundit plenare të Kuvendit. Organizatorët kanë deklaruar se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzojnë mazhorancën se nuk përfaqëson interesat e qytetarëve. Me pankarta dhe slogane kundër Qeverisë, protestuesit kanë përsëritur thirrjet “Nuk na përfaqësoni”, duke paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim. Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri pranë Kuvendit, ndërsa situata mbetet nën monitorim për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme.
