Connect with us

Kosova

Dialogu në ngërç, Kurti e Vuçiç presin ndryshimet eventuale gjeopolitike

Pas rreth 7 orë takime bilaterale e trelaterale, bisedimet në nivel kryenegociatorësh, të martën, përfunduan pa ndonjë rezultat konkret. Kosova dhe Serbia nuk arritën t’i përafrojnë qëndrimet e tyre, palët i kanë betonizuar pozicionet për një kohë të gjatë.

Arsyeja pse procesi i dialogut në Bruksel është në ngërç, në vlerësimin e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, mund të ndërlidhen me “kalkulimet politike” të Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Duke potencuar faktin se si Kosova ashtu edhe Serbia janë pajtuar me Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e zbatimit të saj, Kasolli, theksoi se liderët e të dyja vendeve ndoshta po presin “ndryshimet eventuale gjeopolitike” të cilat mund të jenë më të favorshme për ta.

“Zgjedhjet në Amerikë, zgjedhja e strukturave të reja të Bashkimit Evropian, apo pretendimet e Qeverisë së Kosovës, se njëri nga parakushtet e ‘pathëna’ për zbatim të plotë të marrëveshjeve, duhet të paraprihet nga çlirimi i serbëve të Kosovës, sidomos atyre në Veri nga Beogradi, e deri tek arsyet e brendshme elektorale”- deklaroi Kasolli

Për diplomatin kosovar, Avni Arifi, takimi Bislimi – Petkoviç ishte një ndër takimet më të kota në procesin e dialogut, që “nuk i duhej askujt”.

Nga ana tjetër për diplomatin kosovar, Blerim Canaj, ngërçi në dialog në njërën anë dhe veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës pa koordinim me aleatët në anën tjetër, i konvenojnë vetëm partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

Një situatë e tillë jo-stabile në dialog, për diplomatin Blerim Canaj, në këtë fazë i konvenon vetëm Serbisë dhe Rusisë, meqë në vlerësimin e tij, Kosova nga një faktor stabiliteti dhe paqeje është shndërruar në një çështje e sigurisë.

Advertisement