Kosova
Melenchon që u mbështet nga Kurti, është kundër pavarësisë së Kosovës
Jean-Luc Melenchon, lideri i lëvizjes ekstreme “Franca e Panënshtruar” që bën pjesë në aleancën majtiste Fronti i Ri Kombëtar (NFP), fitues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare franceze, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shprehu përkrahje javën e kaluar, del të jetë një figurë thellësisht kontraverse.
Në një artikull të botuar në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai etiketoi hapin unilateral të shpalljes së pavarësisë së Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke e denoncuar edhe NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ndërhyrjen humanitare, në vitin 1999.
“Natyrisht, sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar. Pas 19-vjetësh, trupat e NATO-s janë ende masivisht të pranishme në Kosovë, eksistenca e së cilës varet nga prania ushtarake. Kosova nuk ekziston. Kjo enklavë është e paqeverisshme dhe e paqëndrueshme” – Ka shkruar ai në shkurt të vitit 2018.
Melenchon është një nacionalist, pavarësisht kredos internacionaliste. Ai s’e mbuloi asnjëherë simpatinë për autokratë të zgjedhur si Vladimir Putin apo Hugo Chavez. Megjithatë, ajo që e bën liderin e ekstremit të majtë një figurë kontraverse është se ai është përmbajtur nga ngarkimi i përgjegjësisë ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë.
LVV-ja, partia që udhëheq pushtetin ekzekutiv në Kosovë, para zgjedhjeve franceze të së dielës, bëri thirrje që diaspora kosovare të votojë kundër të djathtës ekstreme, duke shprehur drojën për pasojat që mund të vijnë nga një fitore potenciale e forcave populiste, nacionaliste e euroskeptike.
“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës” – konsideroi ky subjekt politik.