Connect with us

Kosova

E ardhmja mister e Albin Kurtit, si kundërshtar i Washingtonit

Në një vendim të (pa)pritur dhe me pasoja të thella, Bashkimi Evropian ka vendosur të liberalizojë vizat për serbët e Kosovës, duke filluar njëanshëm zbatimin e planit franko-gjerman të nënshkruar në Ohër.

Në një shkrim autorial, gazetari dhe analisti Baton Haxhiu shkruan se “Kjo po bëhet pa miratimin zyrtar të qeverisë së Kosovës, duke anashkaluar negocimin e sekuencimit që të dy palët po negociojnë me Brukselin” dhe se “Ky hap nënvizon një moment kritik për Kosovën, që kërkon një analizë të kujdesshme dhe një qëndrim të qartë ndaj raporteve me SHBA-të”

“Para Kurtit si kryeministër, Kosova shihej si një pjesë e perandorisë amerikane. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, Kosova nuk ka shumë opsione; realisht, e ka vetëm një: të riparojë urgjentisht raportin me SHBA-të dhe qe duhet trajtuar me nuanca të kujdesshme, jo me frymë dhe pasion ideologjik, që Kurti e tregon ndaj Qeverisë Amerikane në emër të ideologjisë së majtë, duke anashkaluar interesat e shtetit të Kosovës” – shkruan Haxhiu duke shtruar pyetjen se pse Albin Kurti nuk ka as shije perceptimi dhe as dëshirën më të vogël për të dalë nga lideri ideologjik kundër SHBA-ve.

“Heshtja e ndërkombëtarëve ndaj dy akteve terroriste në veri duhet të jetë një alarm për Kurtin. Askush nuk tha asnjë fjali. Prandaj, kur s’ke shqisën politike nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë; ndonjëherë e drejta nuk mjafton. Duhet të dish si të lakohesh, që të mos thyhesh. Kurtin e kanë thyer dhe poshtëruar përfundimisht.

Në Washington ekziston mendimi se evropianët e kanë tepruar me masat si dënim ndaj Kosovës, por ata e kanë gati të pamundur të veprojnë për të ndihmuar Kosovën, për shkak të qasjes që Kurti ka ndaj tyre.

Ai në disa raste ka marrë guximin t’u tregojë zyrtarëve amerikanë si duhet t’i shohin gjërat, si duhet të mendojnë dhe çfarë duhet të thonë. Ai nuk bën as edhe përpjekjen më të vogël për të gjetur një pikë të mesme takimi mes dy pikëpamjeve. Dhe ky është nje problem i madh.

Kurti është duke u mbështetur në të djeshmen, refuzon të tashmen, duke përmendur një të ardhme që nuk ekziston. Ai duhet ta dijë qe e djeshmja është histori, kurse e ardhmja është mister. Vetëm e tashmja është ajo që dihet, dhe mbi te tashmen duhet të dish edhe të veprosh” – ka theksuar Baton Haxhiu.

Sipas tij, “Kurti shpeshherë është bërë peng i dizajnit të tij politik, injoron garancitë e Komunitetit Perëndimor dhe krijon pengesa të panevojshme. Ai gjithashtu akuzon bashkësinë ndërkombëtare për mungesë drejtësie ndaj Serbisë, duke shmangur përgjegjësitë e veta. Ky qëndrim acaron marrëdhëniet dhe i shton tensionet me partnerët strategjikë”

Advertisement