Politike
Audio-përgjimi që “fundosi” Salianjin, çfarë është dosja ‘Babale’? (SHPJEGIMI)
Gjykata e Apelit la në fuqi sot vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burg për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Deputeti u shpall fajtor për “kallëzim të rremë” për dosjen “Babale”. Por çfarë është kjo dosje dhe si u përfshi deputeti demokrat?
Dosja ‘Babale’
Në 14 maj të vitit 2018, Partia Demokratike botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafaj, Agroni (gjithashtu i njohur edhe me emrin Geron) ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Në konferencën për mediat, denoncimi u bë nga Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi. Përgjimet me stilolaps pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë. Përmes këtyre videove, PD kërkonte largimin e Xhafajt nga posti, duke e cilësuar këtë të fundit si mbrojtës të aferave kriminale të të vëllait, për të cilin shtonin se lëvizte lirshëm në Shqipëri, edhe pse kishte edhe 4 vite burg për të kryer në Itali.
E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari “X” i Partisë Demokratike, pra Albert Veliu i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në përgjime me pseudonimin “Babale”. Bashkë më të, në çështje u përfshi edhe kunati i tij, Fredi Alizoti. Audiopërgjimi, pasi u mor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u dërgua tek ekspertët anglezë, të cilët dolën në përfundimin se përgjimi nuk ishte autentik. Vendimit të ekspertizës iu shtua edhe dëshmia e Alizotit, i cili pranoi se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.
Urdhër-arresti për Fredi Alizotin u ekzekutua menjëherë, ndërsa Albert Veliu u arratis fillimisht drejt Kosovës, për të shkuar më pas në Hungari, ku edhe aplikoi për statusin e azilantit, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Por, pas një viti larg Shqipërisë, Albert Veliu, u vendos të ekstradohej nga Belgjika.
Ndërkohë që gjyqi vazhdonte në Shqipëri, duke përfshirë emra të tjerë. Një ndër to ishte edhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. I thirrur për të dëshmuar në gjyq, Breçani tregoi se ku e kishte takuar për herë të parë Fredi Alizotin dhe se përse i kishte dhënë para.
“Fredi Alizotin e Albert Veliun i takova rastësisht në oborrin e PD. Alizoti u prezantua si kunati i Alber Veliut. Më tha se kishte besim tek unë dhe do më tregonte diçka. I dhashë 40 mijë lekë të vjetra Alizotit se ishte pa ngrënë. Edhe Albert Veliut i kam dhënë 10 mijë lekë të vjetra. Gjatë bisedës me Alizotin ai më tregoi se e gjitha bëhej për azil,”-tha Breçani.
Ish-drejtori i Policisë së Fierit, Albert Nushi gjithashtu tregoi sesi ishte takuar me Alizotin.
“Isha duke shkuar në Tiranë, u ktheva të takoj Fred Alizotit. Jam kthyer nga rruga dhe jam takuar me të. Alizoti telefonoi sallën operative të bënte kallëzim. Kam komunikuar me drejtorin e përgjithshëm pasi Alizoti më tha ‘Unë jam ai që interpretova Argon apo Geron Xhafën’. Doja ta çoja tek Prokuroria e Fierit por aty na njoftuan se për Alizotin kishte një çështje të hapur tek Krimet e Rënda,”-tha ai para togave të zeza.
Por ndryshe nga të tjerët që u morën sërish në pyetje, Gjykata vendosi që të mos e thërriste për dëshmi Agron Xhafën, por të lexonte deklarimet e tij që janë dhënë në Prokurori. Në dëshmi, Agron Xhafaj ka deklaruar se i kishte njohje personale me Albert Veliun dhe se i kishte dhënë para borxh Albert Veliut i cili sipas tij luante bixhoz, lekë që nuk i janë kthyer. Por ka mohuar se ka folur për trafik me të.
“Sulmet e deputetëve të PD janë për të dëmtuar imazhin e vëllait tim si ministër i Brendshëm. Nga përmbajtja e bisedës audio mendoj se është Robert Veliu. Ai vinte rregullisht dhe pinte kafe te lokali im. I kam dhënë lekë borxh se luante bixhoz. S’ka qenë korrekt në kthimin e borxheve. Mund të kem folur me të, por jo për gjërat që ai pretendon,”- deklaron Agron Xhafaj.
I përfshiri tjetër në dosje, Alizoti tregoi se plani për audiopërgjimin ka qenë “thurur” që në shtator të vitit 2017, por nuk është realizuar pasi Veliu kishte gjetur njerëz të tjerë në Vlorë. Disa kohë më pas, Alizoti ishte kontaktuar sërish nga Albert Veliu dhe i ishin premtuar 200 mijë euro që sipas tij do i merrte nga ish-deputeti i PD, Ervin Salianji. Sipas Alizotit, është Salianji që gjithashtu i ka siguruar stiliolapsat për përgjim, por plani nuk kishte shkuar deri në fund. Ai shtoi se nuk kishte marrë lekët e premtuara dhe prandaj po tregonte të vërtetën pasi ndjehej i sigurtë.
“100 mijë euro më janë premtuar mua dhe 100 mijë euro i janë premtuar Albert Veliut. Lekët do të mi jepte Ervin Salianji. Nëse do të merrja paratë nuk do të bëja kallëzim. Regjistrimin e dërguam tek zyrat e PD te Ervin Salianji, do e përdorte për qëllime politike për të goditur Xhafajn.”
Më tej, në rrëfimin e tij, ai përfshiu edhe emrin e ish-truprojës së Sali Berishës, Sali Lushajn, duke treguar se kunati ka ndenjur tek shtëpia e tij, pasi i kishin premtuar që do merrnin lekët.
“E kanë veshur me mjekër e paruke Albert Veliun. Për ta dërguar në Kosovë, më ka thënë kamarieri të PD-ja. Unë do merrja 100 mjë euro. Se paratë do ndaheshin. Mu dukën shumë dhe thashë hajde se po e bëj,”- tha ai.
Asokohe pati edhe një reagim nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por edhe nga kryeministri Edi Rama.
Vendimi i Gjykatës në 2019
Pas vendimit të Krimeve të Rënda, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal pasi mori një kallëzim nga Agron Xhafaj, i cili u vetëdorëzua tek autoritetet italiane për të vuajtur dënimin që i kishte mbetur. Më 18 dhjetor të 2019-ës, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dha vendimin për dosjen “Babale”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Gjithashtu u dënua me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliu, ndërsa gazetari që publikoi lajmin, Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë pune në komunitet. Edhe për të tre të tjerët, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.