Connect with us

Kronike

Vrasja e Lames dhe Saliut/ Julian Meçe: Lenti u indinjua, kemi qenë në Dubai…

Julian Meçe ka dëshmuar këtë të hënë për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, e ndodhur në vitin 2005. Për këtë vrasje janë marrë të pandehur shtetasit Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishaj, Lulzim Berisha, Endrit Rusi dhe Endrit Taullai. Meçe u pyet nga prokurorët nëse e njihte, Reçin, gjë të cilën e mohoi. Sipas Meçes, në kohën kur përmendet nga i penduari i drejtësisë, vetë ai ka qenë në burg. Meçe pranoi njohjen me Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishajt, ndërsa për këtë të fundit tha se ishte shprehur i habitur kur kishte mësuar për akuzën në vrasjen e dyfishtë.

“Luftar Reçin as nuk e njoh dhe as nuk kam patur lidhje deri kur nisi ky proces. Nga viti 2004-2011 unë kam qenë duke vuajtur një dënim për trafikim narkotikësh në Itali. Lul Berishën e njoh, kemi pasur miqësi.

Edhe me Lentin (Plarent Dervishaj), njihem, kam miqësi, kemi qenë komshinj në Durrës. Kur ne kemi qenë në Dubai bashkë me Lentin, dhe u lëshuan masat e sigurimit, Plarenti shprehu habi dhe u indinjua duke thënë se nuk kishte lidhje.

Ai me tha se asgjë nuk e ka lidhur me Viktor Imerin e Emiljano Shullazin. Lenti shprehu indinjatë që Prokuroria nuk mori parasysh edhe prova të tjera që e shfajësojnë atë në lidhje me vrasjet”.

Dëshmia e Julian Meçës është kërkuar nga disa prej avokatëve në proces. Luftar Reçi ka pretenduar se në 2004 në një drekë të shtruar pasi Lulzim Berisha i shpëtoi një atentati është ulur në një tavolinë me Julian Meçen ku ndodheshin edhe rreth 20 persona të tjerë, por i pandehuri për atentatin ndaj Arjan Ndojës e Pëllumb Muharremit, sot i thirrur si dëshmitarë në gjyqin e bandës së Shullazit, e mohoi një fakt të tillë.

Advertisement