Connect with us

Aktualitet

‘Shuhet’ familja/ Vitin e shkuar lidhën kurorë 6 mijë çifte dhe u divorcuan mbi 5 mijë

Pak po martohen e shumë prej të martuarve po ndahen. Premtimi “në të mirë e në të keq, deri se vdekja të na ndajë”, përherë dhe më shumë po humb domethënien. Thuajse për çdo çift që lidhi kurorë vitin e shkuar pati një divorc.

Nga më pak se 6 mijë e 700 kërkesa për martesa nga njëra anë, nga tjetra më shumë se 5 mijë e 600 çifte përfunduan dyerve të gjykatave për t’u ndarë gjatë 2023-shit.

“Unë do nisja me shkakun kryesor, dhuna me bazë gjinore. Ka arsye të tjera që lidhet me abuzimet me alkoolin apo drogat. Gjithashtu varësia nga lojërat e fatit është një tjetër shkak”, tha drejtuesja e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Ines Leskaj.

Të dhënat nga Ministria e Drejtësisë tregojnë se në tre vitet e fundit janë ndarë mbi 19 mijë çifte, pas padive për zgjidhje të martesës. Pjesa më e madhe e çifteve të ndara vitin e shkuar rezulton të kenë qenë nga Tirana, Durrësi dhe Fieri.

“Numri i divorceve është rritur shumë vitet e fundit, flas edhe për qytetet e vogla, jo vetëm për Durrësin dhe Tiranën”, tha avokatja Rezarta Agolli.

Ndarjet kanë shumë efekte negative. Ndër to është edhe nevoja për të mbështetur në disa forma gratë apo nënat e divorcuara.

“Në radhë të parë kanë nevojë ekstreme ato vajza dhe gra të cilat kanë kërkuar divorcin për shkak të dhunës në familje dhe gjendet në kushte të papërballimit të jetesës së përditshme”, sqaron drejtuesja e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Ines Leskaj.

Të dhënat nga Ministria e Drejtësisë tregojnë ndërkohë nga viti në vit po bie numri i martesave. Nga mbi 7 mijë e 300 kërkesa për të lidhur kurorë në vitin 2021, numri i kërkesave për martesë u tkurr në më pak se 6 mijë e 700 vitin e shkuar./ A2 CNN

Advertisement