Politike
Iu ndërpre fjalimi/ PD: Berishës i shkëputën qëllimisht internetin
Partia Demokratike pretendon se në banesën e kryedemokratit Sali Berisha është ndërprerë qëllimisht lidhja e internetit. Sot, numri një i PD-së ishte duke zhvilluar një lidhje live me gazetarët nga banesa e tij, pasi Prokuroria e Posaçme e ka vendosur në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Por teksa ishte duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha u “zhduk” nga ekrani. PD, pretendon se kjo ka qenë një lëvizje e qëllimshme për të ndaluar fjalën e kryedemokratit.
NJOFTIM PËR SHTYP
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha njoftoi sot një konferencë me gazetarët për të komentuar protestën kombëtare të mosbindjes civile. Ndërsa ka lexuar deklaratën e tij dhe po bashkëbisedonte me gazetarët, duke iu përgjigjur interesit të medias në lidhje me qëndrimet e tij për protestën dhe se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët e ardhshme, një defekt i qëllimshëm teknik e ndërpreu në mënyrë të papritur konferencën. Linja e internetit u shkëput në mënyrë të qëllimshme nga kompania që ofron këtë shërbim në shtëpinë e kryetarit të Partisë Demokratike, duket me porosi nga larg që të ndërpritet konferenca me gazetarët e kreut të PD-së, Sali Berisha.