Kosova
NATO: Situata e sigurisë në Kosovë është ende e paqëndrueshme
NATO ka njoftuar sot se situata e sigurisë në Kosovë është ende e paqëndrueshme dhe se anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO apo në programin e Partneritetit për Paqe kërkon konsensusin e të gjithë anëtarëve, në të cilin nuk ka pasur progres për Prishtinën.
NATO theksoi se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe kontribuon për një mjedis të sigurt dhe stabil dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Tensionet dhe paqëndrueshmëria ekzistojnë aktualisht, veçanërisht në veri të Kosovës, gjë që kërkon shtimin e trupave të KFOR-it nga maji 2023. Ne inkurajojmë institucionet në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me ndërmjetësimin e BE-së, në mënyrë që të ndihmohet në konsolidimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, njoftoi aleanca.
Aleanca rikujtoi se NATO ka një politikë “të dyerve të hapura”, por anëtarësimi kërkon pëlqimin e 32 vendeve anëtare dhe nuk ka pasur progres në këtë drejtim kur bëhet fjala për Kosovën.