Kronike
Vrau 14-vjeçarin me thikë pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, arrestohet autori i mitur
Një ditë pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, policia njofton se është arrestuar autori i ngjarjes.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.
Vrasja e 14 vjeçarit në Tiranë/ Armand Duka: Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij
Pas kësaj ngjarje që i tronditi të gjithë të shumta kanë qenë reagimet nga personazhe të njohur. Ditën e sotme me anë të një postimi në Facebook, Armand Duka, presidenti i federatës shqiptare të futbollit ka shprehur ngushëllime për familjen e 14 vjeçarit.
Postimi i plotë
Miqtë e mi!
Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!
Aq më teper sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtesisht në mes.
Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!
Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona!
Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!
Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!
Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.
Pusho i qetë Martin!
Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!