Kosova
KOSOVA DIREKT NE NATO/ Dëshira e Haradinaj, premton për fushatë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka thënë se anëtarësimi direkt në NATO do sjellë “kthesën e madhe” për Kosovën. Për të realizuar këtë plan, ai ka kërkuar besimin e qytetarëve në procesin e ardhshëm zgjedhor që do të mbahet në fillim të vitit tjetër.
“Anëtarësimi direkt në NATO, jo vetëm si aspiratë, por edhe si proces përmes planit aksional, do të sjellë kthesën e madhe – jo vetëm në siguri, por edhe në ekonomi dhe në çdo sferë tjetër të jetës. Ju sigurojmë se do ta bëjmë realitet. Nuk është veç fjalë. Çdo herë kemi dëshmuar se mund ta bëjmë!”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës.
Haradinaj e ka përmendur shpesh anëtarësimin e përshpejtuar në NATO. Megjithatë, përkundër se ekziston një procedurë që mundëson anëtarësimin e përshpejtuar të shteteve, në rastin e Kosovës nuk është kaq e thjeshtë: Kosova nuk është as anëtare e Partneritetit për Paqe për shkak se katër nga 31 shtete anëtare nuk e njohin si shtet.
Ndryshe, partitë politike ende nuk e kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare që janë caktuar për 9 shkurt 2025. Por, shumë prej liderëve kosovarë kanë nisur të mobilizohen në kuadër të rutinës përgatitore për betejën zgjedhore.