Connect with us

Shkrime

Parashqevia dhe filmi “Nxirr qenin të bëjë shurrën”

Nga Armir Shkurti

“Nxirr qenin të bëjë shurrën”. Kështu përkthehet më bukur ky film.

Është historia e tentativës për të mbyllur një skandal seksual të presidentit të SHBA. Njëri nga stafi (interpretuar nga De Niro) sajon fabulën e një lufte të paqenë të SHBA me Shqipërinë.

Në studiot e Amerikës xhirohen skenat e një vajze që ikën me flakës. Fillon debati artistik se ç’lloj maceje do t’i vendosin në dorë.

Pastaj sajohet meseleja e një ushtari të mbijetuar. Bëhen këngë, lajme, montazhe pafund, vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik.

Këto ditët prarashqeviane më kanë ngjarë si dy pika uji me skenarin e atij filmi. Natyrisht, një krijim shqiptar është shumëfish më halldup e komik në mënyrën se si organizohet e si shitet.

Gjërat bëhen trashë, pa koherencë, pa art e pa folur për klasin! Ama parimi është i njejtë.

Përjetova mbrëmë një lloj klaustrofobie teksa shihja një copëz fare të vockël të një gjëje që i kanë vënë emrin “emision”, në një vend që dikur ishte tempull i medias dhe quhej “Top Channel”.

Pata një shtysë të mbinatyrshme që të fluturoja ashtu me pizhama jashtë shtëpisë time, të pushtuar në çdo kanal banal nga një tjerrje leshi e pakuptimtë.

E (b)analizuan Parashqevinë artistikisht duke e ngritur gjer tek ikona e duke e pështyrë deri tek e pavlerë, vegël e regjimit.

Nga ëndrra hollivudiane tek shqyerja e shalëve në zyrat e Sigurimit.

Nga simbol i bukurisë dhe feminilitetit në vakt të vet tek një e çmendur që fle rrugëve mbi kartonë.

I mësuam der dhe sa qime ka në pubis, lere pastaj djali, burri, vëllai, nipi e soj e sorrollop….

Ore përse?

Bukë dhe cirk!

Mos ma harroni këtë doktrinë romake të pushtetit! Ky është cirku.

Parashqevia ishte arusha këtë radhë. Të tjerët? Prestigjatorë, xhonglerë, iluzionistë, akrobatë e natyrisht, plot klounë!

Dje mora vesh se është vënë në lëvizje qeveria!

Bukë dhe cirk o popull, bukë dhe cirk! Po pse, ia dhjefsha racën, në 23.00, në shtëpinë time?

Pse të vjell edhe atë çik bukë që mezi po e nxjer?

Advertisement