Kosova
Nga Madridi në Kosovë/ Ja si po menaxhohet akti terrorist në prag krize dhe zgjedhjesh
Në vitin 2004, një seri shpërthimesh të fuqishme në trenat e Madridit tronditën Spanjën, duke shkaktuar 193 viktima dhe mbi 2 mijë të plagosur.Sulmi ndodhi më 11 mars, vetëm tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme. Qeveria e atëhershme, e drejtuar nga kryeministri José María Aznar, e drejtoi menjëherë gishtin e akuzës ndaj separatistëve baskë të ETA-s, duke e bërë këtë pjesë të fushatës së tij politike. Por më pas doli se përgjegjës për aktin ishte një grup islamik i lidhur me Al Kaedën, që e kishte kryer sulmin në shenjë hakmarrjeje ndaj pjesëmarrjes së Spanjës në luftën e Irakut. Ky zbulim tronditi opinionin publik, duke e përceptuar qeverinë si manipuluese dhe të papërgjegjshme.Pasojat ishin të rënda: Aznar humbi zgjedhjet vetëm katër ditë më vonë, pavarësisht se ishte në avantazh të dukshëm para sulmeve.
Kete ngjarje ka sjelle ne kujtese analisti Baton Haxhiu duke shkruar se historia sjell një leksion të rëndësishëm mbi rolin e kujdesit dhe transparencës në menaxhimin e akteve terroriste, sidomos kur ato ndodhin në kontekste të ndjeshme politike dhe sociale.
“Në një paralelizëm dramatik, shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Kosovë ka vënë në qendër të vëmendjes qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, I cili u takua me përfaqësuesit e QUINT-it për ti informuar mbi provat që, sipas tij, lidhnin grupet serbe me sulmin, përfshirë eksplozivët dhe uniformat e dyshuara.Qëndrimi i tij ishte i prerë dhe i sigurt: “Terroristët do të përballen me drejtësinë”. Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, theksuan rëndësinë e hetimeve të kujdesshme dhe mungesën e përfundimeve të parakohshme” – ka theksuar Haxhiu duke potencuar se” –
‘Rasti i Spanjës na mëson se deklaratat e ngutshme, pa prova të mjaftueshme, mund të dëmtojnë kredibilitetin e një qeverie dhe të hapin dyshime për manipulim politik”
“Qeveria e Albin Kurtit duhet të sigurohet që faktet të jenë të pakundërshtueshme përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Në të kundërt, çdo dyshim për ekzagjerim apo manipulim mund të përdoret nga Serbia dhe faktorët ndërkombëtarë për të minuar përpjekjet e Kosovës për sovranitet dhe drejtësi.
Siç tregoi rasti në Spanje, linja mes një fitoreje politike dhe një dështimi të madh është tepër e hollë dhe kërkon një qasje të kujdesshme e të përgjegjshme” – ka deklaruar analisti I njohur teksa dhe ka shtuar pyetjen nese Albin Kurti e ka humbur besueshmerine e nderkombetareve. Ai kujton se vetëm një vit më herët më 24 shtator 2023, per sulmin e armatosur në Banjske, QUINT-i dhe ndërkombëtarët dolën me një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: sulmi ishte një akt i pastër terrorist, i drejtuar nga grupe të lidhura me Serbinë. Ndryshe nga Banjska, shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit ka sjellë një tjetër lloj reagimi. Në vend të deklaratave të unifikuara dhe përkrahjes së menjëhershme për akuzat e qeverisë së Kosovës, ndërkombëtarët kanë zgjedhur një qasje më të kujdesshme, duke kërkuar hetime të plota dhe duke shmangur përfundimet e parakohshme.Ky kujdes mund të interpretohet si një reflektim i perceptimit të rritur për papërgjegjshmërinë e deklaratave të qeverisë së Albin Kurtit qe mund te kene per qellim perfitimet politike.
“Nëse Kurti vazhdon të përdorë ngjarjet në Veri si një vegël politike për zgjedhje, pa ofruar zgjidhje reale, ai rrezikon të izolohet më tej nga partnerët që dikur e mbështetën fuqishëm” – ka potencuar Baton Haxhiu