Connect with us

Politike

SPAK mbyll hetimet për Olsin/ Rama: Im vëlla u përdor si “mish për top”

Kryeministri Edi Rama reagon për herë të parë pas përfundimit të hetimeve të SPAK për dosjen “Xibraka”.

Rama deklaroi se SPAK nxori përfundimin se Olsi Rama nuk është përfshirë në laboratorin e Xibrakës, por sipas kreut të qeverisë, vëllai i tij është përdor si “mish për top” nga kundërshtarët e tij politikë.

“Ky mesazh, është në radhë të parë një detyrim, ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur tërë këto vite, duke më dhënë votën tyre, qoftë edhe njëherë qëkur jam në arenë, e mbi të gjitha ndaj familjes sime – atyre që kam pranë dhe atyre që s’janë më me ne, pa të cilët as do isha ky që jam, as do isha këtu ku jam.

Vitin e shkuar, deputeti Gazmend Bardhi, jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama. E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh.

Në atë dosje u flitkërkesh edhe për një person të paidentifikuar, i cili nuk është gjetur nga prokuroria. Sipas këtij zotërisë, që vetëm zotëri nuk është, ky personi qenkërkesh im vëlla. Madje, gjithnjë sipas tij, dy prokurorët e dosjes e paskeshin fshehur identitetin e tim vëllai, në këmbim të favoreve të marra prej meje, që i paskesha promovuar në karrierë që të dy, për këtë favor kriminal.

Nuk jam shpjeguar deri më sot. Ndërkohë që ky palo djalë bashkë me tutorin e tij, nuk kanë lënë rast pa e rihedhur në publik këtë jashtënxjerrje të shpifur, kam bërë durim, shumë durim. S’kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë drejtësia me provat e veta.

Më në fund, pasi ka pyetur këdo ka parë të arsyeshme dhe ka hetuar gjithçka ka konsideruar të nevojshme, SPAK-u deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paindentifikuar të dosjes në fjalë dhe nuk ka asnjë provë apo fakt që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal.

Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik. Tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua – s’ka se si të jetë as e fundit – nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe”, tha Rama.

Advertisement