Connect with us

Bota

Profil/ Kush është Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm gjerman! Vizioni europian dhe qëndrimi ndaj SHBA

A do të quhet ndonjëherë Friedrich Merz si “gjiganti i zi”, ashtu si paraardhësi i tij, Helmut Kohl? Lartësia e tij e lejon—ai është pothuajse dy metra i gjatë, ashtu si kancelari i madh i ribashkimit gjerman. Por Kohl e fitoi atë epitet në “orën e madhe” të Gjermanisë, siç do të thoshte Stefan Zëeig—në momentin historik të rënies së Murit të Berlinit, kur me mjeshtëri taktike dhe vullnet të hekurt shtyu përpara idenë e një Gjermanie të bashkuar.

Edhe Merz përballet me sfida historike. Lufta në Ukrainë ka tronditur Evropën, ndërsa Perëndimi po përballet me pasojat e një Trump-i gjithnjë e më agresiv. Kandidati konservator për kancelar ka deklaruar se synon të riparojë marrëdhëniet e ftohura me Francën dhe Poloninë dhe t’i japë fund lëkundjeve të Berlinit në Bruksel—një politikë që gjatë qeverisjes së Scholz u kthye në “pozicionin gjerman”, të karakterizuar nga një mungesë vendimmarrjeje.

Në fushatën e tij, Merz ka përmendur shpesh “modelin Meloni” për politikën e emigracionit. Ai ka qenë për vite me radhë një europianist i bindur dhe mbështetës i fortë i Ukrainës. Nëse Gjermania rikthehet të udhëhiqet nga një figurë e tillë, mund të jetë një zhvillim pozitiv. “Prioriteti im absolut do të jetë pavarësia nga Shtetet e Bashkuara,” ka deklaruar Merz, duke nënvizuar se SHBA-të po tregohen gjithnjë e më indiferente ndaj të ardhmes së Ukrainës.

Nëse do të bëhet kancelar, ai do të realizojë ëndrrën e një jete pas një karriere politike me ulje-ngritje dhe ndërprerje të gjata. Për mbështetësit e tij, Merz është lideri që do ta rikthejë CDU/CSU-në tek rrënjët e saj konservatore, pas 16 viteve të “socialdemokratizimit” të Merkelit. Ai ka premtuar të “përgjysmojë AfD-në”, por deri tani ka dështuar—që nga largimi i Merkelit, ekstremi i djathtë është rritur nga 11% në 21%.

CDU/CSU vazhdon të mbetet rreth 30%, ndonëse analistët besojnë se potenciali i saj është 35-40%, si dikur nën Merkelin. Megjithatë, partia është unifikuar rreth Merz-it, duke e parë atë si mishërimin ideal të një politikani konservator klasik—sidomos në lindje të vendit, ku AfD po fiton terren dhe Merkel nuk është aspak popullore.

Merz lindi në vitin 1955 në një familje katolike në Brilon, në North Rhine-Westphalia. Si i ri, ai kishte një pamje të çrregullt (ende debatohet nëse mbante flokë të gjatë deri tek supet, siç ka pretenduar ai vetë). Pas diplomimit në juridik, nisi karrierën politike në Bundestag, ku u shqua si një nga oratorët më të mirë.

Kur nuk e tradhtojnë emocionet—gjë që ndodh jo rrallë—ai është një ligjërues i aftë. Është i martuar me Charlotte dhe ka tre fëmijë. Disa vite më parë, ai publikoi një foto duke luajtur klarinetë në një skenë tipike familjare gjermane: ai në klarinetë, gruaja në piano dhe fëmijët duke kënduar.

Instinktivisht populist, Merz është një nga ‘nxënësit’ e Wolfgang Schäuble dhe ka një pasion të njohur për politikat fiskale. Në vitin 2003, ai u bë i famshëm për një skemë taksash të vizatuar në një nënshues birre, duke pretenduar se deklaratat e të ardhurave mund të thjeshtoheshin maksimalisht. Ai nënshues sot është ekspozuar në një muze në Bonn.

Por populizmi i tij e ka çuar shpesh në rrugë të gabuar. Në të kaluarën, ai ka shkaktuar polemika për deklaratat kundër emigrantëve, duke i quajtur “turistë socialë”, duke etiketuar fëmijët e tyre si “pasha të vegjël” dhe duke akuzuar migrantët për zënien e vendeve të pritjes te mjekët përpara gjermanëve. Në vitin 2000, ideja e tij për një “kulturë dominuese gjermane” (Leitkultur) shkaktoi polemika edhe brenda CDU-së.

I apasionuar pas avionëve dhe pilot amator, Merz u përfol kur fluturoi me avionin e tij privat për në dasmën e ministrit të Financave, Christian Lindner. Gjermanët nuk ia kanë falur as deklaratën e tij se të qenit milioner nuk të bën të pasur, por thjesht pjesë e “klasës së mesme të lartë”. Një tjetër burim dyshimi për gjermanët, të cilët janë tradicionalisht skeptikë ndaj financave të mëdha, është fakti që pas daljes nga politika në vitet 2000, Merz punoi për gjigantin e investimeve BlackRock.

Pas 16 viteve të Merkelit, figura e tij duket aq “retro” sa e ka të vështirë të tërheqë elektoratin femëror. Po ashtu, disa gabime të së kaluarës vazhdojnë ta ndjekin: në vitin 1997, ai votoi kundër një ligji që ndëshkonte përdhunimin brenda martesës. Së fundmi, ai ka pranuar se “sot do të votoja ndryshe”—ndoshta më mirë vonë se kurrë./La Repubblica

 

Advertisement