Connect with us

Kronike

U arrestua një vit më parë në Spanjë, pritet të ekstradohet sonte në Tiranë ish-kreu i bandës së Durrësit

Pas 1 viti e 3 muaj nga arrestimi i Lulzim Berishës në Spanjë, ish-kreu i bandës së Durrësit, do të ekstradohet këtë të martë në orën 23:15 minuta në Tiranë. Lulzim Berisha ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2022 dhe pritet të mbërrijë në Rinas gjatë orëve të mbrëmjes.

Berisha ka humbur betejën ligjore në Spanjë, duke kundërshtuar ekstradimin në Shqipëri, pas 15 muajsh qëndrim atje, ku u gjet i transformuar, me mjekër të bardhë dhe tatuazhe në duar, duke përdorur një identitet bullgar.

Lulzim Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës. 4 vite më pas, Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet për ngjarje të tjera kriminale, vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 Shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendon se gjithçka u bë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës. Lulzim Berisha “ra” edhe në sitën e OFL, e cila njoftoi se ai është subjekt i paketës Anti-KCK dhe se i është dërguar formulari i deklarimit të pasurisë dhe burimin e origjinës.

Në tetor 2024 Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishajt, të cilët akuzohen për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame. Vendimi për pushimin e çështjes u dha me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Kjo është hera e dytë që SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ka prova që implikojnë këta dy persona në vrasjen e Lames. Herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë.

Advertisement