Politike
‘Padi në SPAK Bufit të Roskovecit’/ Bardhi: Banda e Ballukut vazhdon t’i bëjë karshillëk drejtësisë

Udhëheqësi i listës së PD në Fier, Gazment Bardhi ka bërë të ditur se do të padisë në SPAK kryebashkiaken e Roskovecit, Majlida Bufin.
Sipas Bardhit, Bufi në mënyrë të paligjshme ka përgatitur shpërndarjen e 300 certefikatave të pronësisë për banorët e Roskovecit me qëllim tjetërsimin dhe manipulimin e vullnetit të tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai thekson se shpërndarja e lejeve të legalizimit dhe certifikatave të pronësisë është në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal, dhe meriton ndëshkim shembullor nga organet ligjzbatuese.
Bardhi deklaron se, siç edhe duket, për Belinda Ballukun dhe anëtarët e bandës elektorale të saj nuk vepron as ligji e as drejtësia.
“Përndryshe si mund të shpjegohet që të gjitha zyrtarët e shtetit në qarkun e Fierit kanë braktisur detyrën dhe shërbimin ndaj qytetarëve, duke u vënë tërësisht nën shërbimin e bandës elektorale, dhe gjithë këtë e bëjnë ditën për diell, pa u shqetësuar se shkelin ligjin dhe konsumojnë haptazi vepra penalisht të dënueshme”- shton Bardhi.
Postimi i Gazment Bardhit:
Banda elektorale e Belinda Ballukut, ku kryebashkiakja e Roskovecit zë një vend ’nderi’, vazhdon t’i bëjë karshillëk ditën për diell ligjit dhe organeve të drejtësisë. E trimëruar nga pandëshkueshmëria, Majlinda Bufi, kryetarja e rekordeve të paligjshmërisë dhe korrupsionit, ditën e djeshme shpërndau fotot e grupeve të terrenit që po përgatisin lejet e legalizimit dhe certifikatat e pronësisë për 300 banorë të Roskovecit dhe Strumit, me të vetmin qëllim tjetërsimin dhe manipulimin e vullnetit të tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Shpërndarja e lejeve të legalizimit dhe certifikatave të pronësisë është në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal, dhe meriton ndëshkim shembullor nga organet ligjzbatuese. Por, siç duket për Belinda Ballukun dhe anëtarët e bandës elektorale të saj nuk vepron as ligji e as drejtësia. Përndryshe si mund të shpjegohet që të gjitha zyrtarët e shtetit në qarkun e Fierit kanë braktisur detyrën dhe shërbimin ndaj qytetarëve, duke u vënë tërësisht nën shërbimin e bandës elektorale, dhe gjithë këtë e bëjnë ditën për diell, pa u shqetësuar se shkelin ligjin dhe konsumojnë haptazi vepra penalisht të dënueshme.
Megjithatë, ne nuk do të heshtim dhe as nuk stepemi përballë bandës dhe anëtarëve të saj. Ditën e sotme kam autorizuar ekipin ligjor që të përgatisë menjëherë kallëzimin penal të radhës për Majlinda Bufin në SPAK, ndërkohë që presim që prokurorët e posaçëm të veprojnë me urgjencë mbi dhjetëra kallëzime dhe mijëra faqe prova që kam dorëzuar këto gjashtë muaj ndaj kryetares së bandës elektorale, Belinda Balluku dhe secili anëtar të bandës së saj individualisht.
Për qytetarët e Roskovecit dhe Strumit, ashtu si edhe për të gjithë qytetarët e Fierit është e qartë se këto janë përpjekje të dobëta për t’ua rrëmbyer votën dhe manipuluar vullnetin në momentin e fundit.
Për të gjitha këto përpjekje, banda elektorale do ta marrë përgjigjen më 11 maj, duke votuar masivisht ekipin e Partisë Demokratike, për Fierin madhështor, për të ardhmen madhështore, për Shqipërinë madhështore.

