Connect with us

Kronike

Pas ekstradimit nga Spanja, Lulzim Berisha transferohet në burgun e Durrësit

Ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha është transferuar në burgun e Durrësit. Ai u ekstradua në Shqipëri më 18 mars nga Spanja me kërkesë të Prokuroririsë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Berisha ka humbur betejën me autoritetet gjyqësore në Spanjë për kundërshtimin e ekstradimit në vendlindje, duke pretenduar se ekstradimi i tij në Shqipëri do t’i rrezikonte jetën.

Ish-kreu i bandës së Durrësit u arrestua më 14 dhjetori 2023 në Spanjë teksa fshihej në Alicante, në kuadër të operacionit “Sant Joan”. Lul Berisha fshihej në Spanjë me letra bullgare. Ish-kreu i bandës së Durrësit ishte shpallur në kërkim në Janar të vitit 2022 për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, krim i ndodhur në 2005-ën.

Biznesmeni Lame u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi. Për vrasjen e Lames çështja u pushua për mungesë provash, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Kush është Lulzim Berisha

Lulzim Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa u lirua më 2016. 16 anëtarët e ish-bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga asokohe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Më janar të 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi tre dënime përjetë të anëtarëve të bandës së Durrësit dhe la në fuqi vetëm burgun përjetë të Indrit Dokles.

Në 6 dhjetor të 2016, plot 10 vite pas arrestimit të tij në Maqedoni ish-kreu i Bandës së Durrësit fitoi lirinë. Berisha u lirua nga Gjykata e Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit. Berisha prej kohësh qëndronte pranë spitalit të burgut në Durrës ku ishte nën kujdesin e mjekëve pas disa problemeve shëndetësore, ndërsa mësohet se vuan nga një sëmundje e rëndë, për të cilën kishte shkuar të kurohej në Turqi. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Advertisement