Connect with us

Bota

Trump njoftoi armëpushimin, izraelitët zgjohen nga raketat iraniane

ostimi i Presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale, i cili njoftonte armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit, ishte planifikuar të fillonte “përafërsisht 6 orë” nga koha kur ai bëri njoftimin më herët gjatë natës në SHBA.

Kjo kohë sapo ka kaluar.

Trump ka thënë se është arritur një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Iranit.

Përmes një publikimi në median sociale Truth Social, Trump ka uruar botën për arritjen e këtij armëpushimi dhe ka njoftuar se do të hyjë në fuqi pas gjashtë orësh.

“Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një armëpushim të plotë dhe total (përafërsisht në 6 orë nga tani, kur Izraeli dhe Irani të jenë tërhequr dhe të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!)”, shkroi Trump.

Pritet vetëm përmbyllja e misioneve të fundit nga secila palë, siç e komentoi vetë Trump, pa thënë asnjë fjalë mbi pasurimin e uraniumit nga Irani. Dhe me asnjë koment as për luftën e Izraelit në Gaza.

“Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, gjë që do të funksionojë, do të doja të përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet LUFTË 12-DITORE”, shkroi Trump.

“Kjo është një Luftë që mund të kishte vazhduar me vite dhe të kishte shkatërruar të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë!”, shtoi më tej Trump.

Ndërsa, e mbylli me disa lutje:

“Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoti e bekoftë botën!”.

Teksa i komunikoi botës se ishte arritur akordi mes vendeve dhe se besonte se nuk do të shkelej, Trump e quajti të gjithën një epokë të re për Lindjen e Mesme, pa dhënë shumë detaje.

Mësohet se armëpushimi u arrit nëpërmjet ndërmjetësimit të Katarit dhe Amerikës midis Izraelit dhe Iranit, thanë burime të njohura me çështjen.

Pas sulmit ndaj bazës amerikane, Irani i përcolli Shtëpisë së Bardhë një mesazh nëpërmjet Katarit se nuk do të kryente sulme të mëtejshme dhe se përgjigja e tij kishte mbaruar, sipas një burimi të njohur me detajet.

Shtëpia e Bardhë iu përgjigj Iranit me mesazhin e vet, duke theksuar se nuk do t’i përgjigjej ushtarakisht sulmit iranian dhe se Shtetet e Bashkuara ishin gati të rifillonin negociatat për një marrëveshje bërthamore.

Por teksa agoi në Izrael dhe Iran, mbizotëroi konfuzioni nëse të dy vendet ishin ende në luftë.

Izraelitët, të cilët ranë në gjumë nga lajmi se ishte rënë dakord për një armëpushim, u zgjuan nga katër paralajmërime të njëpasnjëshme për raketa, duke u drejtuar drejt strehimoreve teksa një raketë goditi një ndërtesë banimi në Be’er Sheva, duke vrarë tre persona, sipas qendrës izraelite të zjarrfikësve dhe shpëtimit.

Irani po ashtu përjetoi disa nga bombardimet më intensive izraelite gjatë natës, me një përdorues të mediave sociale në Teheran që shkroi se “bombardimet sonte në Teheran ishin jashtëzakonisht intensive”.

“Për një orë të plotë shpërthimet nuk ndaleshin. Ne jemi një popull krejtësisht i pambrojtur”.

Disa demokratë amerikanë sakaq kanë reaguar ndaj pretendimit të Trump për një armëpushim me lëvdata të lehta.

“Unë i jap vlerësime jashtëzakonisht të larta këtij ekipi të sigurisë kombëtare dhe Presidentit Trump për menaxhimin e kësaj krize”, tha Brett McGurk, ish-koordinatori i Presidentit Joe Biden për Lindjen e Mesme, në një intervistë me CNN.

“Por tani le të vazhdojmë. Ka një shans për diplomaci këtu”.

“Jam i lumtur që Presidenti Trump nuk po përshkallëzohet më tej”, shkroi kongresmenja Sara Jacobs në X.

“Por kjo nuk e ndryshon faktin se bombardimi i Iranit ishte i pamatur, jokushtetues dhe dëmton besueshmërinë e SHBA-ve për të negociuar një marrëveshje të përhershme dhe të verifikueshme”.

Advertisement