Aktualitet
Pushime me stres/ Boks për çadra, çmime të larta, zhurmë dhe shërbim skandaloz

Në kulmin e sezonit turistik, ajo që pritej të ishte një kohë relaksi dhe pushimi për mijëra qytetarë dhe turistë, është kthyer në një përvojë kaotike dhe shpesh të padurueshme përgjatë vijës bregdetare ku shpesh, pronarë ‘tokash të zanuna’ konfliktohen me njëri-tjetrin për çadra e shezlongë, në mes të ditës, para të huajve që vështrojnë të habitur, dhe ne që na është “regjur lëkura” me skena të tilla.
Nga ana tjetër, nëse doni të konsumoni një darkë jo luksoze buzë detit, përgatituni të paguani shifra që nuk i justifikon as cilësia e ushqimit, as sasia dhe as shërbimi. Për një familje me tre deri në katër persona, fatura mund të shkojë nga 80 deri në 100 euro. Aleluja! Skandali e ka emrin kamarierë pa trajnim, sjellje arrogante, por edhe mungesë totale respekti për klientin.
Dhe spër ti vënë kapakun shkatërrimit të ditës, mendon muzika shpërthyese e beach bar-eve, që e ka kthyer bregdetin shqiptar në një diskotekë të hapur, ku qetësia është fjalë e huaj dhe dilema e mallkimit e ka zgjedhjen brenda, iki për të mos u kthyer më…
Në këtë realitet të trishtueshëm, vendi ynë po përpiqet të konkurrojë me vendet fqinje – si Greqia, Mali i Zi, Kroacia, apo edhe Turqia. Por si mund të konkurrojmë me vende që ofrojnë standarde europiane, pastërti, qetësi dhe shërbim professional???
Turizmi, që duhet të ishte motori ekonomik i verës shqiptare, po kthehet në një krizë nervash për qytetarët. Duket se flluska po shfryhet dita-ditës. Nëse nuk ndërhyhet menjëherë, nuk rrezikojmë vetëm të humbasim sezonin, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend mikpritës dhe atraktiv për pushime.

