Connect with us

Bota

Parada e Kinës shkund botën/ Kim dhe Putin takim ‘vllazëror’, Trump i ashpër: Komplot ndaj SHBA-ve

Parada ushtarake e Kinës, ka bërë bashkë një sërë liderësh, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, i ka cilësuar takimet një komplot kundër SHBA-ve. Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka pasur një marrëdhënie komplekse me Kinën, të karakterizuar si nga konkurrenca ashtu edhe nga një respekt i pavullnetshëm.

Nga njëra anë, Trump ka lëvduar vazhdimisht marrëdhënien e tij me Presidentin Xi, të cilin e ka përshkruar si një “udhëheqës shumë të zgjuar” dhe “shumë të mirë”.

Nga ana tjetër, kjo administratë është përballur me përplasje të nxehta me Kinën për një numër çështjesh, që kanë kryesisht në fokus tregtinë. Kjo kulmoi me vendosjen e një tarife jashtëzakonisht të lartë prej 145% për mallrat kineze.

Por Trump ka qenë i gatshëm të negociojë, dhe në gusht, delegacionet amerikane dhe kineze ranë përsëri dakord të zgjasin një armëpushim mbi tarifat, dhe hakmarrjet e së kaluarës i kanë bërë shumë nga lëvizjet e Trump kundër Kinës jetëshkurtra.

Por kjo marrëdhënie kundërshtare vazhdon dhe vetëm javën e kaluar Trump kërcënoi se do ta godasë Kinën me tarifa 200% nëse eksportet kineze të mineraleve të rralla të tokës ulen.

Nga ana tjetër parada ka shërbyer për një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un. Putin e ftoi Kim në Rusi pas një takimi dy orë e gjysmë mes tyre, ndërsa lideri i Koresë së Veriut tha se ishte “detyrë vëllazërore” e vendit të tij të ndihmonte Rusinë sa më shumë që të ishte e mundur.

Kim Jong Un nuk solli asnjë zyrtar të lartë ushtarak për të marrë pjesë në paradën ushtarake të Kinës – një rregullim i ndryshëm nga vizita e tij në Rusi në vitin 2023.

Lista e delegacionit nuk është zbuluar, por asnjë zyrtar ushtarak ose i mbrojtjes nuk është i dukshëm nga fotot e mbërritjes së Kim në Pekin, të publikuara nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut.

Përveç vajzës së tij Ju Ae dhe motrës Yo Jong, spikati edhe Jo Yong Ëon, sekretari i partisë për çështjet organizative. I konsideruar gjerësisht si një ndihmës i ngushtë i Kim, ai dukej të ishte i vetmi anëtar i delegacionit i sanksionuar nga OKB-ja.

Kim është bërë udhëheqësi i parë i Koresë së Veriut që merr pjesë në një paradë ushtarake kineze në më shumë se gjashtë dekada, por kjo nuk do të thotë që Kina do të angazhohet për ndonjë partneritet ushtarak me Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut ndërrojnë rolet

Çfarë ndryshimi bën një dekadë.Nëse doni një ide vizuale se sa shumë ka ndryshuar bota, shikoni një foto nga e njëjta paradë në Pekin në vitin 2015, për të shënuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Atje ishte presidentja e atëhershme e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, e cila qëndroi krah për krah me Presidentin Xi dhe Presidentin Putin. Kim Jong Un mungonte. Koreja e Veriut dërgoi një zyrtar të partisë në vend të tij.

Por sot Kim ka vjedhur shfaqjen dhe presidenti i Koresë së Jugut mungon. Presidenti Lee Jae Myung mori një ftesë, por e refuzoi. Në vend të kësaj, Seuli ka dërguar kryetarin e parlamentit të tij.

Koreja e Jugut ende e konsideron Kinën një partnere të rëndësishme, por më e rëndësishme është marrëdhënia e saj me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Të tre vendet kanë punuar më ngushtë së bashku për të luftuar kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Koreja e Veriut – dhe Presidenti Lee, i cili u zgjodh vetëm në qershor, ka qenë i etur t’i provojë Presidentit Trump se sa shumë e vlerëson këtë partneritet. Sot, Xi, Putin dhe Kim përfaqësojnë një treshe kundër Uashingtonit, Seulit dhe Tokios.

Parada ushtarake e Kinës/ Kim dhe Putin takim ‘vllazëror’,

Presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe Presidenti Kinez Xi Jinping në 70-vjetorin në 2015

Të gjithë udhëheqësit perëndimorë, përveç dy prej tyre, i shmangen paradës së Xi-së

Shumica e udhëheqësve perëndimorë kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” në Kinë, raportin BBC, me përjashtim të Robert Fico-s së Sllovakisë dhe Aleksandar Vuçiç të Serbisë. Të dy morën pjesë në paradën e Ditës së Fitores në Rusi majin e kaluar dhe të dy janë takuar me Vladimir Putinin e Rusisë në Pekin, njësoj siç bënë në Moskë.

Advertisement