Connect with us

Aktualitet

Ajri urban/ Tirana, Elbasani dhe Korça me ajrin më të ndotur

Ajri urban në qytetet e monitoruara gjatë vitit 2024 nuk ka cilësi të mirë. Kështu theksohet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Ndotësit kryesorë të cilësisë së ajrit urban janë grimcat e pluhurit me diametër 10 mikron (PM10) dhe 2.5 mikron (PM2.5). Nga monitorimi rezulton se Tirana, Korça dhe Elbasani kanë nivelin më të lartë të ndotjes.

Sipas raportit, burimet kryesore të ndotjes nga PM10 dhe PM2.5 në stacionin e Tiranës dhe Elbasanit lidhen me trafikun dhe ndërtimet në afërsi të stacioneve, ndërsa në qytetin e Korçës lidhen me ngrohjen me dru gjatë periudhës së dimrit.

Referuar të dhënave, në periudhën janar-maj 2024 kemi tejkalim të vlerës mesatare të grimcave të pluhurit PM2.5 në qytetin e Elbasanit, me 20% tejkalim të normës dhe kjo gjë vjen kryesisht nga përpunimi i metaleve.

Por veç tyre, një ndotës tjetër i ajrit urban janë edhe dioksidi i squfurit (SO2) dhe dioksidi i azotit (NO2), gazra të cilat lidhen kryesisht me trafikun e rënduar dhe cilësinë e karburanteve, por edhe automjetet e vjetëruara. Monitorimi i këtyre dy gazrave, për periudhën janar–maj 2024, është realizuar në stacionet Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier, Elbasan dhe Korçë. Bazuar në të dhënat e monitoruara rezulton se kemi tejkalim të vlerës limit ditore në Tiranë të dioksidit të squfurit (SO2) me rreth 60% mbi normë. Ndërsa nivelet e dioksidit të azotit nuk janë tejkaluar, por ishin afër limitit vjetor, sidomos në Tiranë, Elbasan dhe Korçë.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ka lënë disa rekomandime, siç është përdorimi i transportit publik, menaxhimi më i mirë i trafikut në mënyrë që të shmanget bllokimi i automjeteve dhe qëndrimi i zgjatur në kryqëzimet e rrugëve, rritja e përdorimit të automjeteve elektrike si dhe rritja e gjelbërimit në qytete.

Ndotja e ajrit sjell një sërë problematikash në shëndetin e qytetarëve: irritim të rrugëve të frymëmarrjes, rrit rrezikun për asma, bronkit, sidomos tek fëmijët, ul funksionin e mushkërive në ekspozim afatgjatë ndaj ndotësve, si dhe ndikon në sistemin kardiovaskular.

Advertisement